Yukio Mishima, rinia e samurajit

Fjalët nuk mjaftojnë. Kështu shprehej fiks 47 vjet më parë shkrimtari patriot japonez Yukio Mishima teksa kryente gjestin vetëvrasjes përpara tele-kamerave me ritualin tradicional seppuku. E pabesueshme ishte dhe ceremonia e lamtumirës, i veshur më të bardha sepse është ngjyra e zisë në Japoni, dhe më përpara lamtumira e tij në shkrim. Më pas fjalës së shkruar iu ngjesh gjesti i shpatës në stomak që e katapultoi nga jeta në vdekje. Njihet si Hara-kiri, por çarja e zorrëve për japonezët emërtohet me termin Seppuku. Kjo është forma ekstreme e ritualit japonez e kryer nga meshkujt, që kur kryhet nga femrat, quhet Jigai. Ky është kodi i nderit i samurajëve, si forma më e fundme e mos-rënies në duart e armiqve dhe si një formë e dënimit kapital për të mos pranuar turpin.

Vetëvrasja heroike e patriotit japonez Yukio Mishimës tronditi shumë patriotë të gjithë botës. Ishte pothuajse çeguevara i së djathtës, që martonte in capitulo mortis, në përmbyllje të kapitullit letërsinë dhe vdekjen, Estetin dhe Heroin, Super-njeriun dhe Traditën. Yukio Mishima ishte një romancier i madh po aq sa gjigant ishte dhe narcizizmi i tij heroik. Të rrallë janë shkrimtarët që dinë të japin aq hollë dhe aq estetikisht luhatjen e ndjenjave të një njeriu në një fjali gjest. dhe aty kupton se Vlera e njeriu shfaqet pikërisht në momentin kur jeta vendoset përballë vdekjes. Sepse jeta është e shkurtër dhe gjithë njerëzit duan ta zgjasin sa më shumë. Dhe pse jeta njerëzore është strukturuar në atë mënyrë që vetëm kur sheh përpara syve vdekjen mund të kuptojmë unicitetin e njeriut dhe dëshirën e tij për të jetuar.

***

Yukio Mishima, me emrin e vërtetë Kimitake Hiraoka, rridhte nga një familje fshatarësh. Lindur më 1925, ai do ta kalonte pothuaj tërë fëmijërinë e tij të hershme tek gjyshja, e cila vinte nga një familje samurajsh. Fëmijë i ndrojtur, disi i feminizuar, ai nuk merr pjesë në asnjë veprimtari shkollore, nga frika e gjyshes. Ajo e ndalonte të mos merrej me sport, madje as të dilte në diell. Mendohet se prirjet e tij drejt vdekjes dhe teprimit kanë ardhur si rrjedhojë e këtyre viteve me gjyshen, e cila ishte tepër nevrike si pasojë e vuajtjeve nga nervi shiatik. Megjithatë, kur Mishima është tashmë 12 vjeç, ajo pranon ta rikthejë më në fund tek prindërit e tij, dhe vdes dy vjet më vonë, më 1939. Në shtëpi, prindërit kanë dy qëndrime të kundërta. I ati, një njeri i vrazhdë, i mësuar me disiplinën ushtarake, bën kontrolle të befta në dhomën e të birit dhe ia gris shkrimet e gjetura. Ai nuk do kurrsesi që i biri të merret me letërsi, si një profesion për njerëz të dobët, dhe e detyron të mësojë gjermanishten. Duhet thënë se i ati kishte pikëpamje naziste. Ndërsa e ëma, e përkrah dhe e mbështet në përpjekjet e tij për të shkruar.

Më 1944, ai mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera, duke u dekoruar nga vetë dora e perandorit, një takim i cili do ta shënojë përjetë. Po atë vit, ai boton romanin e parë Pylli i tëri në lule, ku dhe merr pseudonimin Yukio Mishima. Gjatë Luftës së Dytë botërore, arrin të mos shkojë në front, duke pretenduar se vuan nga tuberkulozi. Megjithatë, ai do të vuajë nga kjo, nga humbja e rastit për të pasur një vdekje heroike. Më 1947, diplomohet në Universitetin e Tokios dhe punësohet në Ministrinë e Financave. Megjithatë, i ati e lejon të merret me shkrime për një vit, por më pas, ai e kupton që i biri do të jetë një shkrimtar. Gjatë kësaj kohe, njihet dhe me Yasunari Kawabata, Nobelistin e ardhshëm (1968).

Vazhdon kështu seria e shkrimeve të tij, një krijimtari e pasur ku do të bien përnjëherë në sy temat e tij të zakonshme : kulti i trupit, i bukurisë, i luksit. Por bukurinë trupore ai e shihte të lidhur gjithmonë me bukurinë shpirtërore. Megjithatë, në këtë kult të bukurisë trupore, duhen parë dhe prirjet e tij homoseksuale të cilat ai i kishte shfaqur që në shkollë. Romanet e tij priten mjaft mirë në Europë dhe në SHBA-ës. Ndihet në ajër dhe mundësia e një Çmimi Nobel të ardhshëm.

Përsa i përket jetës së tij vetjake, ai fillon të merret me arte marciale dhe bëhet një ekspert i kendos. Trupi i tij fiton atë bukurinë e kënduar aq shumë nëpër shkrimet e tij, dhe këtë trup do ta mbajë deri në vdekje, më 1970. Në të njëjtën kohë, fillon të shëtisë nëpër bare homoseksualësh, ku flitet se ka pasur ca lidhje me të huaj që kalonin nëpër Japoni. Megjithatë, pasi mendon të lidhet me Shoda Michiko, e cila më pas u bë gruaja e perandorit Akihito, ai martohet përfundimisht me Yoko Sugiyama, me të cilën do të ketë dy fëmijë, vajzë e djalë.

Në vitet ‘60, ai do të shpalosë gjithnjë e më tepër pasione nacionaliste. Ëndrra e tij është për një Japoni tradicionale, jashtë botës teknike e cila ka filluar të shtrijë kthetrat e saj gjithandej. Është pikërisht në këtë kohë që ai shkruan novelën “Patriotizëm”, të përfshirë në këtë botim të pranishëm, ku tregon vetëvrasjen e një çifti të ri për atdhe dhe nder. Përballë opinioneve të tij nacionaliste, vetë shkrimtari Kenzaburo Oe, më vonë Çmim Nobel 1994, ndërmerr shkrimin e një libri të titulluar “17”, në të cilin ai mbron një qëndrim krejt të kundërt me atë të Mishimës. Por kjo i pëlqen Mishimës, si provokues që është. Madje ai nuk do të ngurojë të shkojë vetë në Universitetin e Tokios për të folur përpara studentëve komunistë. Më 1968, themelon “Shoqërinë e Mburojës”, një lloj milicie private në mbrojtje të perandorit. Betimi që duhet të bënin shokët e tij, ishte: Ne betohemi në shpirtin e burrave të vërtetë të Yamatos se do të ngrihemi me shpatë në dorë kundër çdo kërcënimi ndaj kulturës apo trashëgimisë sonë.

Dhe nisur nga fundi i vitit 1969, ai fillon të organizojë planin e vetëvrasjes. I tillë si një Samuraj i cili nuk duhet të lerë asgjë pas vetes, Mishima fillon të përgatisë testamentin, duke iu lënë fëmijëve të drejtat e autorit, dhe iu bën vizita miqve dhe shokëve të vet, pa rënë në sy. Dhe më 25 Nëntor 1970, gjithçka është gati.

Pasi ka nënshkruar po atë ditë veprën e fundit të tij, romanin Engjëlli në kalbje, pjesë e veprës së tij Deti i shterpësisë, të përbërë prej katër romanesh, ai ngrihet dhe hidhet në veprim. Ngjarja do të jetë e rrallë dhe e padëgjuar më parë.

Më 25 Nëntor 1970, në orën njëmbëdhjetë të mëngjesit, së bashku me tre shokë të tij, ai hyn në zyrat qendrore të ushtrisë në Tokio dhe kërkon të flasë me gjeneral Matsuda. Thuhet se i ati i tij, kur e ka parë Mishimën duke dalë nga shtëpia me dy shpata në brez, ka thënë : “Do të më duhet përsëri të ndërhyj me policinë sepse ky kushedi ç’marrëzira do të bëjë ende”. Mishima mbante me vete një shpatë të stolisur në shekullin e shtatëmbëdhjetë për t’ia treguar gjeneralit Matsuda ; motivi i vërtetë ishte për ta mashtruar këtë të fundit dhe për ta kapur peng. Duke nxjerrë pretekst nxjerrjen e një shamie për të fshirë tehun, njëri nga shokët e tij duhet të lidhte gjeneralin… por gjenerali u ngrit vetë për ta kërkuar këtë shami, çka kjo bëri që të gjitha planet e bandës fluturuan në erë. Pas disa goditjesh të rrëmujshme, gjenerali ishte lidhur ; ushtarët, të lajmëruar nga zhurma, përpiqen të hyjnë brenda ; Mishima pret dorën e njërit prej tyre dhe plagos disa të tjerë, çka kjo bën që ushtarët të tërhiqen.

Mishima, ushtarët e tij, dhe gjenerali janë vetëm për vetëm. Mishima përgatitet të dalë në ballkon, gjoksin hapur dhe në ballë një shirit me moton e samurajve : “shërbe kombin gjatë shtatë jetëve”. Ai dëshiron t’iu flasë ushtarëve që presin poshtë. Më në fund del në ballkon dhe fillon të flasë për rikthimin në vlerat e vjetra të Japonisë. Mirëpo ushtarët nuk pranojnë ta dëgjojnë, duke e ftuar të zbresë poshtë për t’u marrë vesh ballë për ballë si burrat. Atëherë Mishima kthehet brenda dhe merr shpatën me një gjest që e kishte paramenduar me kohë. Kishte ardhur çasti i takimit me vdekjen, në kulmin e bukurisë së shpirtit dhe trupit të tij ; kjo vdekje që ai e kishte përshkruar në mënyrë aq të gjallë dhe të frikshme në novelën Patriotizëm. Në të vërtetë, Mishima nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër : si një njeri i cili e urrente dështimin, dhe duke parë se idetë e tij nuk kishin zënë vend në Japoni, atëherë vdekja ishte një çlirim për të. Por një vdekje e cila për të do të ishte heroike, e bukur. Pas disa minutash të tmerrshme vuajtjeje, me tehun e shpatës në bark, ai rrinte me trupin drejt, duke vazhduar ta ngulë më thellë, derisa njëri prej shokëve të tij shkon t’i presë kokën, sipas ritit seppuku. Kështu ka mbaruar njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit të XX-të, Yukio Mishima.

Përgatiti: L.Lita – Faktor.al