Piktorët e “Plein Air” sjellin 55 peizazhe në galerinë e Durrësit

Një grup piktorësh peizazhistë mjaft të njohur në vendin tonë kanë hapur prej disa ditësh në Durrës një ekspozitë me punimet e tyre nga qyteti bregdetar dhe treva të tjera të vendit.

Arkitekti Viktor Dhimgjini, i cili ka oganizuar ekspozitën në galerinë “Nikolet Vasia” thotë se 13 artistët pjesëmarrës punojnë së bashku që prej 4 vitesh, kur themeluan edhe grupimin “Plein Air”. Agron Dine, Agron Polovina, Arsen Kurti, Buron Kaceli, Kujtim Buza, Nikolin Ivanaj, Pashk Përvathi, Sadik Kasa, Sefedin Stafa, Vangjo Vasili, Agim Kadillari, Spiro Panariti dhe Xheneta Kadillari kanë sjellë së bashku në qytetin antik 55 peizazhe dhe portrete të realizuara në dy vitet e fundit.

Secili me karakteristikat personale dhe me kolorite që i dallojnë nga njëri-tjetri, artistët e brezit të dytë të piktorëve shqiptarë kanë hapur ekspozita të përbashkëta në qytete të ndryshme të vendit.

Dhimgjini thotë se 3 javë më parë ata përfunduan veprimtarinë “Një javë në Durrës”, e cila u përmbyll me një ekspozitë të përbashkët në një nga komplekset turistike të qytetit. Ekspozita “Miqësisht në Durrës” që ka ngjallur interesimin e artdashësve durrsakë do të jetë e hapur deri në fund të këtij viti.