Paqja në Parlament më e frikshme se lufta në rrugë

Nga Lorenc Vangjeli

Tre ditët pas protestës antiprokuror e mbyllën ciklin e tyre. Të premten në mbrëmje vonë mbarojnë emisionet politike në televizione. Fevziu, Balla, Zogaj e Rakipi, Zheji, Çani, Demi, Vasili e Tare, Xhunga, Xhokaxhi, Dudushi e Hyskja dhe gjithë moderatorët e tjerës të emisioneve të politikës, e kanë pushim fundjavën. Fundjavën e ka të shenjtë dhe nuk e ngatërron me politikë edhe Sandri, Nikolla, Thomai, Irfani, Carlo, Ylli me të tjerë, që kur kanë kohë dhe nge i dorëzohen shtunës dhe të dielës duke bërë sa Xing me Ermalin, sa Bingo me Arditin aq edhe stop me Portokallinë e Altinit apo luajnë me linjat zanore të Luanës. Të dielën, Juven e Kaç Çaushit nuk e trazon aspak as humori i ish-kolegut të tij të vjetër në Akademinë e Arteve Rama dhe as tifozeria e përmbajtur e fqinjit të tij të ri Meta, që ndahet me një gardh nga Akademia.
Në fundjavë, parlamenti i Edit, Lulit dhe Monikës, parlamenti i Berishës dhe Ruçit nuk ekziston për ta.
Nga e hëna tjetër e javës së fundit të këtij viti, protesta e opozitës do të mbushë një javë jetë. Prokurorja me të shkuar të djathtë familjare, por zgjedhur me votat e të majtës, do të përfundojë javën e parë në detyrë. Gjithçka tjetër do të jetë pezull në pritje të betejës së rradhës, por edhe betejat e vjetra do të presin Vitin e Ri!
Në një javë do të jenë konsumuar të gjjitha epitetet dhe krahasimet, metaforat e lodhura nga e shkuara dhe parashikimet e zymta për të ardhmen, por Shqipëria do të vazhdojë qetësisht normalitetin e saj anormal. Eshtë i tillë sepse gjithkush e quan anormale çfarë ndodhi në parlament ditën që do të zgjidhej pasuesi i përkohshëm i Adriatik Llallës. Por kjo botë është interesante pikërisht për shkak të kontrasteve. Për shkak të bashkëjetesës mes normalitetit dhe anormalitetit.
Po të hënën anormale të Tiranës, ishte tërësisht normal dëshpërimi i Doktor Berishës që ju sul gardhit të gardës me vrullin e viteve 90-të, por që kur ktheu kokën pas në vitin 2017, pa që shumica e deputetëve të tij shtronin sërish xhel mbi flokë, rregullonin sutjenat me mbushje tw shkara pak mbi bel dhe pothuaj pa dallim, gra e burra, nxitonin të bënin selfie e video live për në Facebook e Instagram. Shumica e të cilave, me diçiturën luftarake: “Uau, mami, sa të poshtër ata çunat e gardës. Sa të forta i kishin ato duar, mi ma’. Dhe sesi shtynin”!
Lulzim Basha nuk ishte aty.
Ishte tërësisht normal dëshpërimi i kryeministrit Rama që shihte sesi konsumohej përpara syve të tij një skenë e përmbysur. E njëjtë me atë që shihte dikur në televizior nga zyra. Vetëm se në vend të Taulantit që sulmonte atëherë, ishte Edi Paloka  që mbrohej. Në vend të Flamurit që e mësynte, dikur ishte Sadriu që hidhej mbi gardh gardistësh në emër të tij.
Shihte në krah Pandin, që dikur e merte seriozisht kur qeshte dhe e mer me të qeshur tani që i flet seriozisht. Drama e Ramës ishte sidomos dhe mbi të gjitha, kur shihte se në vend të Saliut që mbretëronte dikur, ishte ai vetë në karrigën e kryeministrit, nën akuzë se kërkon të bëhet sulltano-prokuror.
Lulzim Basha përsëri nuk ishte, por ai e di mirë se një ditë, herët a vonë, ai do të jetë aty.
Deri këtu ky është një film i parë shumë herë. Dhe si i tillë, askush nuk ka asnjë dyshim sesi do të jetë vazhdimi i tij.
Po në të vërtetë, a ishte e hëna dita më e zezë e parlamentarizmit shqiptar, siç e quajtën njëlloj, por për arsye të ndryshme, të majtët e të djathtët e politikës, medias dhe të gjithë shoqërisë shqiptare në përgjithësi?
E majta e quajti ditë të zezë sepse “u sulmuan” institucionet, u goditën policë, u ndaluan deputetë të votojnë dhe u ndezën zjarre pa tym” në sallën e parlamentit.
Opozita e quajti gjithashtu ditë të zezë të hënën sepse u konsumua të gjithë elementët e “një grushti shteti, u grabit institucioni i prokurorit të përgjithshëm dhe se vetë demokracia u vu më në rrezik se kurrë nga uzurpimi i të gjitha pushteteve nga kryeministri”.
Në fakt, nuk është kështu. Gabojnë të gjithë. Dukja gënjen gjithmonë! Vetëm të marrët lanë lehtësinë e padurueshme të të parit vetëm në sipërfaqe. E hëna shfaqi vetëm sipërfaqe. Po të shihet pak më me vëmendje, shumëkush mund të kuptojë se ajo ishte një ditë e zakonshme. E rëndomtë. Një ditë normale në anormalitetin e qeverisjes së përbashkët të binomit maxhorancë-opozitë në Shqipëri.
Ajo që tmerron  nuk është zhurma. As rrëmuja. As protesta. As goditjet majtas e djathtas, as protesta, gurët në godina, të shtyrat mbi policë apo shkopinjtë mbi protestues. As dhuna fizike dhe as arrestet. As deklaratat politike dhe as diskutimet juridiko-akademiko-vajtje-ardhiste mbi shkak-pasojën e vjetër me pulë dhe vezë.
Parlamenti shqiptar, sidomos në këtë dekadën e fundit e ka tjetër kund tmerrin që prodhon. E ka në ato seancat e zakonshme të ditës së enjte. Në ato seancat kur “murgjërit” e përdëllyer të shoqërisë i quajnë si paqe të përdëlluar. Si bashkëjetesë. Si bashkëpunim. Si kompromis. Si armëpushim. Si normalitet. Tmerri i vërtetë është atëherë kur njëri mbas tjetrit, shumica dërmuese e atyre 140 grave dhe burrave me imunitet, heronj facebook-u dhe tribunë  instagrami, të majtë e të djathtë që çojnë kostumin apo fustanin e tyre drejt foltores, që recitojnë me nivelin e një gjimnazisti të virgjër fjalimin patetik të rradhës, shkëmbejnë ironi në sallë dhe buzëqeshje në kafen e parlamentit, ndajnë akuza të përkora dhe bëjnë trafik favoresh në korridore; që pretendojnë se janë në skenë duke luajtur një rol kryesor në një shfaqje të cilën as e kuptojnë, as e ndjejnë dhe as nuk ja kanë idenë se pse janë aty.
Më shumë se protesta që bërtet, bën zhurmë injoranca që hesht. As ligësia nuk bën aq dëm sa budallallëku njerëzor. Këtë vend nuk e kanë marë në qafë as pushtuesit dhe as shqiptarët e sjellë me të si pushtues, por e ka shkatëruar kulti i idiotëve të mirë.
Në një shumicë dëshpëruese, të majtë e të djathtë brenda asaj salle, i përgjigjen në apel padijes së plotë në politikë. Ka një shumicë në atë shumicë të majtë e të djathtë që është ndarë keq me djepin dhe është rritur keq pa kopësht fëmijësh, që urren me shpirt librat dhe refuzon bibliotekat; janë shumë ata që dinë të shohin telenovela në televizor, por nuk i kanë thënë ende mirëdita një rreshti të vetëm në kompiuter; janë individë që ngrejnë dorën për të votuar ligje që nuk i kanë lexuar dhe mundin të lexojnë vetëm emër mbiemrin e tyre në borderonë e Kuvendit.
Ky është tmerri i vërtetë që lebetit Doktorin si një baba që sheh si i është trashëguar prona që ka krijuar apo lebetia që tmerron Ramën kur sheh sesa më shumë ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë. Ky është makthi i vërtetë që pendon Bashën apo mërzit Kryemadhin!
Ka megjithatë një diferencë nga java që iku në javën që vjen. E hëna e zhurmshme e protestës është ku e ku më e paqtë se të enjtet idilike të parlamentit siç i ëndërrojnë idealistët naivë. Tre ditët e çudisë së saj kanë mbaruar. Tre dekadat e kësaj pothuajsedemokracie në Tiranë janë ende peng i heshtjes heroike të pushtuesve të rinj të Tiranës: kultit të idiotëve të mirë e të zhurmshëm të të enjteve. (Javanews.al)