Me rolin “Babai”, Reshat Arbana rikthehet në Teatrin Kombëtar

Vepra e Florian Zeller, “Babai” rikthen në skenën e Teatrit Kombëtar aktorin e njohur Reshat Arbana. Përkrah tij interpretojnë aktorët Elia Zaharia, Flaura Kureta, Hysen Mullajonuzi dhe Mario Elezi.

Në qendër të veparës është historia e një burri të moshuar me demencë. Florian Zeller tha se, “Unë nuk përpiqem të them diҫka kur filloj të shkruaj. Unë e zbuloj në fund se ҫfarë dua të them. Kur shkrova “Babain” nuk u mundova kurrë të bindja veten, ose që të bëja ҫmos të shkruaja një dramë për demencën. Me mua ndodhi ndryshe. Unë fillova të shkruaja dhe personazhi erdhi natyrshëm… Në fund të dramës, unë u habita kur zbulova se drama ishte për demencën”, shprehet autori i veprës, sipas ATSH-së.

“Të shkruash romane është punë vetmitare”, shprehet Zeller, “kurse kur shkruan për teatrin dramaturgu nuk është asnjëherë vetëm. Kjo ndodh pasi dramaturgu gjithnjë ka parasysh fytyrat e aktorëve, që në fillim, ai nuk është vetëm. Kjo është një mënyrë për të parë diҫka më të madhe se vetvetja”.

Zelleri nuk e krahason shkrimin e dramave me asnjë përvojë tjetër: as me leximin, shkuarjen në kinema ose dëgjimin e muzikës që interpretohet “live”. Kjo sipas tij, ndodh sepse “spektatori ka shpirt, një shpirt të veҫantë, për një natë dhe unë nuk e kuptoj përse kjo gjë më emocionon së tepërmi. Ajo që ai sheh në një shfaqje nuk do të përsëritet më kurrë, është diҫka që do të zhduket”.

Florian Zeller u lind më 28 qershor 1978 në Francë. Është romancier dhe dramaturg. Vepra e tij është botuar dhe vënë në skene në të gjithë botën. Ai ka fituar disa ҫmime Molier në France. Ҫmimi Molier ështe ҫmimi më i lartë në France në fushën e dramaturgjise. Florian Zeller, sipas gazetës prestigjoze The Guardian, është “dramaturgu më i mirë i epokës sonë”. Vepra do të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar në datat 21-22-23-24 dhjetor.