Mbërrin në Tiranë këngëtari i famshëm italian, Riccardo Cocciante (FOTO)

Ka mbërritur në Tiranë, shoqëruar nga bashkëshortja e tij, këngëtari i madh italian, Riccardo Cocciante. Kantautori i njohur vjen në Shqipëri si i ftuar ekskluziv nga RTSH dhe do të këndojë në natën e parë të Festivalit të 56-të të Këngës.

Cocciante ka falënderuar Radio Televizionin Shqiptar për ftesën dhe e ka konsideruar këtë vizitë, përveçse vendosjen e një raporti të ri me publikun shqiptar, edhe një mënyrë, për ta shpërblyer këtë publik për dashurinë që i ka dhuruar atij si artist. Ndër të tjera, ai është shprehur edhe se e konsideron këtë edhe një rast për ta njohur më mirë vendin tonë, sidomos pas lidhjes konkrete që u vendos me Elhaida Danin, kur ajo fitoi “The voice of Italy”.

“Ajo e meritoi dhe publiku italian e deshi. Talenti i saj u evidentua në turin me Notre Dame de Paris në versionin francez. Do ishte mrekulli që në ardhjen time të tretë të sjell muzikalin Notre Dame në Shqipëri”, ka theksuar kantautori, sapo ka mbërritur në Shqipëri.

Ngjarja më e  madhe muzikore e vitit çel siparin nesër mbrëma në Pallatin e Kongreseve dhe do të zgjasë tre net, 21, 22 dhe 23 dhjetor.

Cocciante të këndojë një prej hiteve të tij më të njohura të karrierës, si edhe do të këndojë një duet me këngëtaren shqiptare Elhaida Dani, me të cilën shkoi deri në fund të “Voice of Italy”.

Pjesëmarrja spektakolare e Cocciantes në shfaqjen live, që do transmetohet në RTSH është e para e tij në një aktivitet muzikor të këtyre përmasave në Shqipëri.

Festivali i 56-të në Radio Televizionin Shqiptar do të prezantohet nga gazetari dhe moderatori i mirënjohur, Adi Krasta.

/a. gjergji/

 

(Në foto: Kantautori i mirënjohur italian, Riccardo Cocciante dhe drejtori i Festivalit të 56-të, z. Martin Leka.)