Ndodhi, politikani Berisha bëhet edhe bodyguard…

Garda duke bllokuar Berishën në Kuvend

Nga Lorenc Vangjeli

Skena kur Sali Berisha përleshet fizikisht me gardistët është një emblemë politike e pabesueshme. Njeriu që ka kushtëzuar me portretin e tij të ashpër pothuaj tre dekadat e pothuaj pluralizmit shqiptar, u gjet papritur përballë me njerëzit e institucionit që për shumë vite rresht, për një vokacion edhe personal, i kompozoi, i mendoi dhe i përdori si një gardë personale. Ai i shtyu me trup dhe çeli një shteg mes gardhit të gardistëve duke pushtuar fortesën e drunjtë me mikrofon.

Shtatë vjet më parë, në 21 Janar 2011, ai u përlesh ligësisht me një prokurore të përgjithshme që kërkoi t’i arrestojë përkohësisht gardistët.

Shtatë vjet më pas u përlesh trup më trup me gardistët që të ndalonte zgjedhjen e përkohshme të një prokuroreje të përgjithshme.

Shtatë vjet janë shumë në jetën e një qënieje njerëzore, ndërsa në historinë e një shoqërie janë shumë më pak se një hapjembyllje sysh. Kjo rrjedhje kohe, megjithatë, është tmerrësisht shumë për të shpjeguar një të vërtetë të thjeshtë që funksionon edhe në pothuaj demokracinë shqiptare. Në të gjitha rastet, në të gjitha rrethanat, në të gjitha kombinimet e rasteve dhe të rrethanave, pushteti i dalë nga vota, nuk është pronë. Eshtë një kontratë qeramarrjeje për vendimmarrje në emër të votuesit. Që mund të zgjasë një mandat, dy, tre, por herët a vonë, do të bjerë dhe do të zëvendësohet.

Pushteti në demokraci është kurdoherë një pushtet i përkohshëm. Njëlloj si mandati i prokurores që u votua sot, në ditën kur politikani i përjetshëm Sali Berisha, u shndërrua në bodyguard të përkohshëm. Si Noka e Paloka. Si Felaj e Ulsiu, por jo Pandeliu.

Thellë-thellë nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme. Nga duartrokitjet e socialistëve dhe deri tek tymueset e PD & LSI-së, u dëshmuan vetëm dy skajet e largëta të hendekut që ndan, jo të majtën e të djathtën, por pozitën dhe opozitën në Shqipëri. Të dy palët bënë sikur në këtë të hënë nisi realisht lufta e vërtetë politike në vend. Në fakt gjithçka është vetëm një hallkë beteje në zinxhirin e pafundëm të betejave që zhvillohen në Tiranë në luftën për pushtet.

Pozita intepretoi politikisht kur gjykonte se zgjedhja e prokurorit të përgjithshëm është një e drejtë e saj ekskluzive dhe se do ta kryente këtë akt me çdo kusht e çdo çmim.
Dhe po kështu edhe opozita, kur reagoi sikur mbas kësaj të hënë nuk do të gdhihej kurrë një e martë dhe se kjo javë do të ishte e fundit në kalendarin e vendit.

Shqipëria ka parë halle politike shumë herë më të mëdha se kaq, por nuk ka ndodhur ndonjëherë një gjë e tillë; ditët kanë zëvendësuar njëra-tjetrën dhe javët politike janë rrokullisur duke ndikuar pak ose shumë pak në morinë e halleve të një shoqërie të traumatizuar nga varfëria dhe pasiguria, nga anarkia dhe dystandartizimi i bërë standart.
Shqipëria ka parë shpesh njerëz politikë që përleshen si “luanë savane” për territor gjuetie apo dhe majmunë që kanë tentuar të imitojnë luanët duke mbetur në thelb imitues të mjerë; një majmun me kostum është vetëm asgjë më shumë se një majmun.

Nga sot e deri aq ditë sa është jetëgjatësia e çudisë në Shqipëri, do të ketë një debat të fortë për çfarë ngjau. Palët do të tentojnë të gjejnë dhe të brohorasin të drejtën e tyre, pa kuturisur asnjë çast në përpjekje për të identifikuar edhe tek tjetri arsye. Sepse ka gjithmonë një arsye edhe te kundërshtari më i egër. E rëndësishme është vetëm që pozita të kufizojë tentacionin për të përdorur forcë dhe pranga mbi demonstruesit dhe opozita të kufizojë ngasjen për të përdorur forcën e turmës. Gjithçka tjetër është vetëm një ushtrim demokracie që mund të gjente arsye edhe tek tjetri.

Në një rast të tillë arsyeja e maxhorancës fillon me një të vërtetë të thjeshtë: mandati i ish-kryeprokurorit ka përfunduar.

Arsyeja e opozitës është gjithashtu e thjeshtë: frika legjitime e saj se prokurorja e re do të përdoret edhe penalisht kundër saj dhe se do të ndikojë në mbylljen e dosjeve të nxehta që janë nën hetim.

Debati për të gjykuar se çfarë ndodhi realisht këtë të hënë, ndoshta do të kishte kuptim dhe fytyrë tjetër nëse shihej nga një këndvështrim i tillë. Duke shmangur retorikën që do të nisin të përdorin socialistët që do të thonë se nën motivet e muzikës së filmit Skënderbeu, është “sulmuar tempulli i demokracisë”. Dhe për të shmangur të njëjtën retorikë të opozitës që pretendon se zgjedhja në krye të akuzës së një gruaje të panjohur, do të prodhojë këllqe junte që bën “grusht shteti”.

Në Tiranë, edhe “tempulli parlamentar”, edhe “grushti i shtetit”, janë karikatura të tempujve realë dhe të tmerrit të vërtëtë të grushtit të shtetit. Ato së bashku janë një shfaqje që Viti i Ri do ta bëjë të harrohet shpejt. Të majtë e të djathtë në politikën aktive do ta presin Babagjyshin me ngazëllim, edhe pse për shumë prej tyre, hyrja në politikë ka qenë vërtet një dhuratë babagjyshi. Shumëçka në Tiranë është shndërruar në karikaturë pikërisht për këtë arsye. Edhe përleshja e Doktor Berishës me gardistët për të marë fjalën në foltore nuk ka kuptim tjetër përveç dëshpërimit të thellë të njeriut që i ka dhënë portretin e tij të ashpër gjithë “pothuajse demokracisë” shqiptare.

Dëshpërimit që po e gjuajnë me të njëjtat mjete me të cilët ai gjuante dikur.

Sali Berisha është i dëshpëruar se këtë të hënë, partia e tij e krehur me xhel flokësh, e duartokiti si bodyguard. Por ish-kryeministri nuk është i vetëm në këtë ndjenjë. Edhe Rama është i dëshpëruar sepse përveçse të jetë politikani kryesor i vendit, i duhet të shndërrohet edhe në bodyguard. Në bodyguard-in e zgjedhjeve të veta njerëzore. (Javanews.al)