Fejton/Incident në drekën e deputetëve të PS me Kryeministrin

Sot grupi parlamentar i PS-së drekon në një restorant luksoz në Tiranë. Emrin e restorantit nuk po e shkruajmë se bëjmë reklamë falas!

Masat për një drekë të tillë të bollshme dhe ku do vlojë dashuria e deputetëve socialistë, janë marrë prej ditësh. Mbrëmë në restorant kanë mbërritur për 74 deputetët e PS-së, 27 gjela deti, 33 qingja, 34 keca, 11 gica dhe 234 zogj fshati. Verë e kuqe dhe raki pa numërim.

Taulant Balla si shefi i deputetëve ka marrë prej ditësh shënim se çfarë hanë sejcili prej 73 deputëtëve, pasi vetë shijon kecin e zonës së Librazhdit, por mbrëmë ka patur sherr me ish-ministrin Bledi Çuçi.

-Ore kush duron deri nesër për ti ngrënë këto?!- i është drejtuar Çuçi, Taulant Ballës, pasi ish-ministri është pjesë e grupit të punës për përzgjedhjen e ushqimeve dhe plotësimin e shijeve për çdo deputet. Pasi përzgjodhi kryeprokuroren e re për të hënën, i duhet të durojë erën e qingjave të pjekur të cilët kishin filluar që mbrëmë vonë të piqeshin.

-Mos prek asnjë gjë!- iu hakërrye Taulanti, ish-ministrit.

-Ore një copë mish viçi nga kjo që është shënuar për ministrin Blendi Klosi, do ta ha!- insistoi Çuçi dhe preu një copë nga racioni i ministrit Klosi- E meriton Klosi, pak më pak se të tjerët se e di ça i bëri kryeministrit të Panari i Turizmit?- gëlltiti mishin dhe pa nga Taulant Balla, i cili po kontrollonte gicat, gjelat e detit, mishin e viçit, pulat, zogëzat për disa deputetë.

-Pse ça i bëri?- pyeti, pa e patur mendjen Taulant Balla.

-Si ore nuk e pe që kishte futur disa studentë dhe bërtisnin kundër Ramës?!

-Aaa! Popo! Hiqja dhe një pjesë nga racioni këtij Klosit- foli serioz Balla.

Më pas mbërriti ministri Niko Peleshi, si njeri që ka nën patronazh edhe blegtorinë e vendit.

-Lerëni veçmas këtë kecin e kryeministrit! Jo afër të tjerëve!-foli prerë ministri i bujqësisë dhe iku.

Ndërkohë sot paradite u rrethua restoranti ku drekojnë deputetët dhe ministrat. U sollën rojet, garda, policia kontrollon zonën. Deri këtu gjithçka mirë. Taulanti lëvizte nëpër restorant dhe u thoshte ca gocave simpatike, që ishin veshur hollë në këtë dhjetor të ftohtë, se si do të vendosnin emrat e sejcilit deputet.

-Jojo, hiqe këtë Majkon! Mos e lërë afër kryeministrit. Ai me zor e futi në qeveri që të mos fliste, kurse ti e vendos afër. Hiqe!-bërtiti Balla dhe u soll nëpër restorant.

Tavolinat shtruar përbukuri, raki e verë shumë e shtrenjtë për deputetët e popullit. Salla ngrohtë, diku mbi 26-27 gradë, pasi ministret dhe deputetet femra do lirohen paksa nga rrobat e dimrit.

Ora 12.00, orari i fillimit të drekës. Hanë herët deputetët e popullit. Kanë edhe një drekë shtesë nga ora 17.00, por sot mëqënëse është festë dhe qyl se paguan qeveria, dreka do jetë vazhdojë edhe pas orës 17.00, por sipas ministrit Damian Gjiknuri, do jetë drekë-darkë.

Senida Mesi, që është direkt pas Ramës si autoritet qeverisës, u magjeps kur pa kaq bollëk. Nuk kishte kurrë në jetën e saj gjithë të mirat e botës shtruar në tavolina.

-Nuk kam marrë kaq shumë lekë me vete, Taulant për të paguar drekën time!- iu drejtua në vesh Ballës.

-Pa merak, paguan kryeministri! Bëni qejf!- ia ktheu Taulanti që merakoset shumë për deputetët e tij.

Ndërkohë që u shtruan deputetët dhe ministrat, nga jashtë restorantit u dëgjua një zhurmë e madhe qensh. Foli kryeministri buzagaz e plot humor.

-Hajde gëzuar! Të rrojë Rama! Bravo je i madh!- thërrisnin ministrat dhe deputetët.

-Je Skenderbe!- u dëgjua zëri i Elisa Spiropalit. Ministrja e drejtësisë dhe ajo e kulturës e pinë gotën e parë me fund. Salla rrotullohet, por aty është, pasi gota e dytë të sjellë më në formë.

-Hajde gëzuar për Opozitën tonë të dashur!- ngriti dolli ministri Bushati dhe shikoi në bisht të syrit kryeministrin. Rama qeshi. Qeshi me vrap edhe ministri. Edhe ministrat. Edhe deputetët. Të gjithë qeshin kur qesh kryeministri!

-Hajde një dolli për ministrin që mungon sot në drekën tonë, Arben Ahmetaj!- u ngrit ministri Gjiknuri.

-Pse çka, ku është, pse nuk është?!- pyesnin nën zë deputetët dhe thonin “E palosi edhe këtë kryeministri apo si?”.

Ndërkohë ministri Arben Ahmetaj ndodhet në këto momente në avion. Po kthehet nga Londra, pas një vizite në Mbretërinë e Bashkuar. “Jepi pak më shpejt i thotë pilotit! Më pret kryeministri im për drekë! Shtoje pak shpejtësinë”.

Nuk vonon e ngrihet ministri më i rëndësishëm i kabinetit, vetë Pandeli Majko.

-Mos!- u thotë kolegëve deputeti Paulin Stërkaj- ky do ta dreqosi se nuk e mban mirë rakinë!

-Një dolli për ambasadorin Lu dhe ambasadoreshën Vllahutin!- bërtet Majko.

Fatmir Xhafa, ndërkohë rri qetësisht. U hedh nga një sy ministrave e deputetëve.

-Ky është me dosje, ai atje ka marrë tre tendera, ky këtu është për në burg. Ajo ka marrë një dorë me dollarë për emërimin në Vetting të iksit. Edhe ky është për në burg…- mendon me vete ministri i brendshëm.

Sakaq të lehurat e qenve bëhen shqetsuese edhe në sallë.

Hyn një guzhinier me një bluz të bardhë të bërë sallatë dhe kërkon urgjent Taulant Ballën. Taulanti nxiton pas guzhinierit.

Qentë e sjellë nga Garda për kontroll dhe sigurinë e kryeministrit, por edhe të zotit Ruçi, duke ndier erën e mishit të pjekur të shtruar në guzhinë në pjata të mëdha, nën një aromë rakie, ishin turrur me vrull e vrik mbi mishin. Gardistët të frikësuar se mos arrestohen se nuk kanë ushqyer qentë e gardës prej një jave se pritet tenderi për ushqimin e tyre, kishin kërcënuar guzhinierët që të thonin se nuk futur turinjtë në krejt mishrat.

Taulanti shikon se si qentë vazhdonin punën e tyre mbi mishin e deputetëve të popullit, ndonëse nga një racion kishte shkuar në sallë para mbërritjes së qenve.

-Janë të qenë të kontrolluar!- tha komandanti i qenve- Ua kemi bërë gjilperat para katër vitesh, pa merak.

-Si ore pa merak!? -bërtiti shefi i deputëtëve të PS-së, Taulant Balla. Ndërkohë në sallën e deputetëve vazhdon ahengu, muzika, qejfi.

-Këtë mishin këtu, edhe atë atje, edhe këtë… që nuk janë prekur nga qentë mi ruani për kryeministrin, kryetarin e Kuvendit dhe mua. Edhe këtë ma ruaj dhe çoja direkt Ilir Beqajt se dikur më ka bërë një nder- foli i telendosur Balla.

Sakaq sjellin ministrin e bujqësisë dhe blegtorisë Niko Peleshin në guzhinë.

-Nuk ka asnjë problem! Qentë janë soji i mirë. Janë tanët!- foli gjithë qejf ministri. Kishte pirë paksa dhe ishte në formë. Taulanti i hodhi një vështrim tangent, me inat, por e ndjeu se nuk bisedohej në këto kushte kur rakia dhe vera në sallë po derdhej lumë nga deputetët e popullit, për popullin.

Kryeguzhinieri vjen me vrap.

-Duan përsëri mish, deputetët!- tha dhe shikonte Taulantin. Qentë kishin dalë dhe të ushqyer mirë po bënin roje deputetëve dhe kryeministrit. Ishin të relaksuar qentë e Gardës, por edhe ndonjë nga të lagjes që kishte hyrë hajdutçe për të kapur një copë mishi.

Taulanti porositi ministrin Peleshi dhe krejt guzhinierët që të mos hapnin gojë, pasi bëhej nami. Arrestoheshin direkt nga kryeministri. Niko Peleshi që ishte në formë, thoshte se “nuk ka problem!”.

-Ore më dëgjo mua Niko!- iu drejtua Balla- Nuk të fusin në burg ty as mua dhe asnjë për tenderime, por për këtë që ka ndodhur hamë burg të rëndë. Edhe nga FBI.

Kur po largonin qentë e Gardës, Taulant Balla kishte telefonuar kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të cilit ia kishte shpjeguar se ç’kishte ndodhur, por i ishte lutur në Zot që të mos tregonte njeriu.

Sakaq mbërrin Erion Veliaj.

-Cilët qenë kanë futur hundët në mish? Këta të qytetit janë të vaksinuar një për një. Për ata të Gardës nuk të jap garanci, i ka patur nën kontroll Saimir Tahiri. Ai zgjidhte dhe emëronte edhe qentë!- foli dhe u lehtësua kryebashkiaku.

Atëhere kryeguzhinieri që të shpëtonte nga druri dhe burgu tha:

-Ishin qentë e lagjes!

-Bravo! Shpëtuam, shpëtuam nga ky siklet!- bërtitën të gjithë.

-Mbushi me mish pjatat!- urdhëroi kreu i deputetëve.

-Ore ishin qenë të gardës!- ndërhyri pa takt ministri i bujqësisë.

-Mbylle ore ti! Ishin qenë të lagjes, na dha garanci Erioni- e vulosi Taulant Balla.
Ndërkohë dreka vazhdon. Kanë filluar fjalimet, muzika gërthet, mish shqyhet.

Spiten Prulli