Prestigjozja britanike “The Economist”: E ardhmja e Lali Eri

Prestigjozja britanike “The Economist” i ka kushtuar një artikull kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Në artikull shkruhet për fillimet e karrierës së tij në politikë si dhe punën që ka bërë me Tiranë në 2 vitet para të mandatit të tij. Me ndryshimet që ka sjellë në kryeqytet, “The Economist” shkruan se në Shqipëri, Veliaj shihet si lideri i ardhshëm i vendit.

“Lali Eri, lali Eri,” dëgjohen tek bërtasin fëmijët e vegjël teksa nxitojnë t’i japin dorën Erion Veliajt, shefit 37-vjeçar të Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë. Ai po futet të inspektojë një rrugë që po rregullohet dhe ku po vendosen tubacionet e ujërave të zeza, ku javë më parë kishte vetëm gropa e baltë. Asnjë qytet në Europë nuk ka ndryshuar në 25 vitet e fundit kaq shumë sa Tirana. Tani, Veliaj, që prej disave pritet të jetë lideri i ardhshëm i vendit, po e ndryshon atë sërish.

Në dy vitet e tij të para si kryetar bashkie, Veliaj, anëtar i Partisë Socialiste, punoi me qendrën e qytetit. Në qershor ai përfundoi punimet me sheshin “Skënderbej” në zemër të Tiranës. Dikur në atë që ishte një rrethrrotullim i trazuar, makinat janë zëvendësuar me pemë e shatërvane. Tani ka në plan rinovimin e piramidës së temrrshme të Tiranës.

Një çerek shekulli më parë, Tirana ishte më shumë kryefshat se sa kryeqytet. Gjatë komunizmit aty jetonin rreth 200 mijë njerëz. Deri në vitin 1991, makinat personale ishin të ndaluara, kishte shumë pak dyqane e mungonin mundësitë e argëtimit. Tani, pjesërisht falë ndryshimeve kufitare, Tirana është shtëpi e 1 milionë banorëve, më shumë se 1/3 e popullsisë së Shqipërisë. Qyteti gjeneron gjysmën e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto të vendit, thotë Veliaj.

Rënia e komunizmit solli një  fazë “çmendurie” ndërtimi kudo, përfshirë edhe parkun qendror të Tiranës. Edi Rama, tani kryeministër i vendit, spastroi shumë nga ndërtesat ilegale të qendrës kur ai ishte kryetar i Bashkisë. Veliaj vazhdoi punën aty ku e la Rama.

Kur Veliaj ishte 10 vjeç, babai i tij vdiq dhe ai shkoi drejt Greqisë duke kaluar kufirin malor mbi supet e xhaxhait të tij. Më vonë ai studioi në Amerikë dhe Britani. Së pari, erdhi në vëmendjen e publikut me organizatën “Mjaft”, një grup aktivist anti-korrupsion që sulmonte qeverinë e Sali Berishës, i cili ishte kryeministër nga viti 2005 deri në vitin 2013.

Tani, që është në gjysmë të mandatit të tij, Veliaj e ka zhvendosur vëmendjen në periferi të Tiranës. Pothuajse të gjitha ndërtesat atje ishin ilegale. Disa shtëpi dhe biznese të ndërtuara në parqe e zona të tjera ku nuk duhet, janë shkatërruar.

Për shumë, kjo është hera e parë që shteti po bie në kontakt me periferinë në 25 vite, thotë Veliaj.  Kundërshtarët e tij e sulmojnë për mungesë transparence për mënyrën se si janë dhënë kontratat dhe përpjekjet për të zhveshur mediat jomiqësore, por të dyja pretendimet hidhen poshtë prej tij.

I pyetur nëse dëshiron të drejtojë Shqipërinë në të ardhmen, Veliaj thotë se në mendjen e tij kërkon të fitojë vetëm mandatin e dytë si Kryetar Bashkie. Tani ai nuk mund të ndodhet në një post më të mirë. Gjithkush mund të shohë rezultatet e punës së tij dhe ai përfitoi nga mospërfshirja në skandalin që shpërtheu në tetor që dëmtoi Ramën dhe qeverinë e tij. Një ish-ministër i Brendshëm u akuzua për bashkëpunim me kontrabandistët e drogës, akuzë të cilën ai e mohon. Në dobi për Veliajn, ish-ministri, karriera e të cilit u shkatërrua, ishte e vetmja mundësi serioze për ta rivalizuar për lidershipin e ardhshëm të Partisë Socialiste.