Gjiknuri tek Albcontrol, 6 milion dollarë të investuara në 4 vjet për sigurinë ajrore

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri inspektoi sot investimet e kryera në shoqërinë e kontrollit ajror Albcontrol. Gjatë  katër vjeçarit të fundit, Kulla e Kontrollit të Trafikut ajror ka pësuar përmirësime operacionale duke bërë të mundur rritjen e sigurisë, kapacitetit dhe cilësisë së shërbimeve, falë investimeve që kanë arritur në vlerën prej 6 milionë dollarësh.

Gjiknuri: “Është një progres i jashtëzakonshëm, më vjen mirë që dëgjoj që Albcontrolli shqiptar është në avangard në rajon. Pra, krahasuar me vende të tjera ka një teknologji shumë moderne dhe ofron shërbime jashtëzakonisht të mira. Ajo c’ka është për t’u theksuar, që të gjitha këto investime kanë ardhur si rezultat i një mirëmenaxhimi të kësaj kompanie, por nga ana tjetër Albcontrol në funksion edhe të strategjisë së qeverisë shqiptare për të zgjeruar infrastrukturën aeroportuale, është duke u përgatitur edhe për zhvillimet e pritshme edhe për ndërtimin e aeroporteve të reja në vend. Çka do të thotë që Albcontroll në paralel me zhvillimet infrastrukturore do të përgatisë edhe stafin edhe teknologjinë e duhur dhe trajtimet e duhura, pra do të jetë në kapacitetet e nevojshme në gjendje që në momentin që Shqipëria të ketë mundësinë të ketë infrastrukturë shtesë aeroportuale Albcotrol t’i vijë me shërbimet e saj”.

Drejtoresha e Albcontrol, Belinda Balluku, u ndal më gjërë tek investimet e kryera në këtë kompani me synim garantimin e standardeve evropiane për sigurinë ajrore.

Balluku: “Sapo kemi përfunduar, ringritjen e kullës së kontrollit të ambjenteve të brendshme, ku janë vendosur tre konsola  nga më modernet që ekzistojnë për momentin, të cilat janë të pajisura me pajisje teknologjike të reja për të facilituar të gjtiha proceset e punës të kontrollorëve të trafikut ajror. Gjithashtu, aviacioni është një fushë që ka progres, pra është një fushë dinamike e cila ka progres çdo vit. Shqipëria, si të gjitha vendet e rajonit është e detyruar që të përmbushi të gjitha kriteret që kërkohen nga BE për të operuar në mënyrë të parrezikshme dhe për të ofruar standardet e kërkuara, që kryesisht kanë të bëjnë me minimalizimin e vonesave, gjë për të cilën krenarisht themi se Albcontrol e ofron shërbimin me vonesa zero”.

Gjatë këtyre viteve është bërë e mundur përditësimi i Sistemit Skyline me të cilin operon shoqëria çka ka sjellë ndër të tjera automatizimin e funksioneve të Kullës së Kontrollit, përmirësimin e koordinimit e shkëmbimit të informacionit, si dhe përpunimit të të dhënave. Falë përditësimit të këtij sistemi  është përmirësuar cilësia dhe siguria në ulje/ngritje dhe janë eleminuar vonesat.