Shqipëria i rrëmben Zvicrës një lojtar

Në intervistën e fundit të dhënë për mediat në vendin tonë trajneri i kombëtares shqiptare Christian Panucci pati deklaruar se është në tratativa për të afruar një sulmues të ri. “Në muajt në vijim do të jem në kërkim të lojtarëve të rinj. Kam në mendje edhe një sulmues”.

Pas afro një muaji është zbuluar lojtari që tekniku italian kishte në plane për t’a afruar në Kombëtare. Sipas “panorama sport” bëhet fjalë për futbollistin e Luzernës në kampionatin zviceran, Shkëlqim Demhasaj. 21-vjeçari këtë sezon ka shënuar shtatë gola në 16 ndeshje që është aktivizuar në Kupë dhe në kampionatin helvet.

Demhasaj në fillim ka hezituar të pranojë ftesën e e përfaqësueses kuqezi, por ka qenë menaxheri i tij që ka biseduar me përfaqësuesit e institucionit të futbollit që më pas e ka bindur. Shatëlarti 189 centimetra ka luajtur dy ndeshje me kombëtaren U-21 Të Zvicrës kundër Uellsit dhe Bosnjë Hercegovinës.

Me dakortësinë mes palëve “FSHF” është duke bërë gati dokumentacionin për 21-vjeçarin që të jetë i gatshëm për Panucci-n në grumbullimin e radhës me Kombëtaren.