Gramoz Ruçi në Uashington: Heqje e tatimit të dyfishtë mes Shqipërisë dhe SHBA

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në vijim të axhendës së qëndrimit të tij në Washington DC, mori pjesë në forumin parlamentar për inteligjencën dhe sigurinë dhe zhvilloi disa takime me senatorë dhe kongresmenë amerikanë.

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Washington D.C., Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi mori pjesë në forumin parlamentar për inteligjencën dhe sigurinë. Ruçi shoqërohej në këtë forum nga Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, znj. Mimi Kodheli, kryetare e komisionit për politikën e Jashtme, deputeti Anastas Angjeli dhe z. Fatmir Mediu, si përfaqësues i opozitës në delegacion.

Kongresmeni Pittenger tha gjatë këtij forumi se gjatë punës së 9 forumeve janë mbledhur mbi 700 anëtarë parlamentesh në më shumë se 60 shtete dhe duke e konsideruar të rëndësishëm bashkëpunimin u shpreh i gatshëm për vazhdimësinë e tij.

“ Në këtë frymë 165 anëtarë parlamenti, ambasadorë, delegatë dhe të ftuar të shquar nga më shumë se 50 vende jemi mbledhur këtu për të biseduar dhe vazhduar punën e forumeve të mëparshme.

Rëndësia e diskutimeve tona është e dominuar nga sulmet terroriste që kanë pasur në shenjestër qytetarë të pafajshëm në mbarë botën. Shpresa jonë është që ky forum do të ndihmojë që të theksojmë rëndësinë e një përpjekjeje gjithëpërfshirëse për të luftuar burimin e terrorizmit. Ndërkohë që ne bashkëpunojmë në forcimin e financimit të terrorizmit, sigurisë kibernetike dhe intelegjincës, ne do të mbrojmë interesat e përbashkëta kombëtare dhe qytetarët tanë. Jemi të hapur për zgjerimin e dialogut dhe bashkëpunimin tonë. Përmes perpjekjeve tona të përbashkëta ne mund të vazhdojmë të parandalojmë sulmet e mundshme terroriste dhe të mposhtim misionin e tyre”, – ishin fjalët e z. Pittenger.

Gjatë viteve të fundit Forumet Parlamentare të Sigurisë dhe Inteligjencës kanë tërhequr 650 deputetë dhe zyrtarë qeverie nga mbi 60 vende, për të diskutuar mbi financimin e terrorizmit, sigurinë kibernetike dhe bashkëpunimin në fushën e inteligjencës. Forumi i 10-të parlamentar për Sigurinë dhe Inteligjencën shënoi një pjesëmarrje të nivelit të lartë.

Gjithashtu, Ruçi, në kuadër të axhendës së takimeve me zyrtarë të lartë të SHBA-ve gjatë ditëve të tij të qëndrimit në Washington, zhvilloi takime me kongresmenët: z. Ron Estes, Elliot Engel dhe z. Robert Aderholt, si edhe me senatorin e Michiganit, z. Gary Peters, kryetar i grupit të miqësisë me Shqipërinë në senat.

Ndër çështjet që Ruçi ndau në takimet me përfaqësuesit e Kongresit dhe Senatit amerikan, ishte heqja e tatimit të dyfishtë ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-ve, si një incentivë që do t’i bënte kompanitë amerikane më të interesuara për investime në Shqipëri.

Gjatë takimeve z. Ruçi i informoi kongresmenët dhe senatorin për ecurinë e deritanishme të implementimit të reformës në drejtësi dhe të procesit të vetingut, si një garanci për ndërtimin e një sistemi drejtësie të pandikuar nga politika dhe të fortë në luftën kundër korrupsionit. Duke u ndalur në zhvillimet në rajonin e Ballkanit z. Ruçi falënderoi Kongresin Amerikan për vëmendjen ndaj rajonit dhe kërkoi prezencë më të lartë të kompanive amerikane në Shqipëri.