20 vite radio Kontakt, pritja gala që bashkoi personalitetet e vendit (FOTO)

Një ndër radiot e para private në Shqipëri, radio Kontakti zhvilloi mbrëmjen e djeshme pritjen gala me rastin e 20-vjetorit të themelimit. Në ceremoninë festive u bënë bashkë personalitete të politikës, ambasadorë e përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të sferës akademike, personalitete të shquara në fushën e artit, si dhe drejtues e gazetarë të medieve nga Shqipëria, Kosova, Shkupi e Ulqini.

Fjalën e rastit e mbajti drejtoresha e përgjithshme e Media Kontaktit, Dr. Jolanda Lila, e cila pasi bëri një ekspoze përmbledhëse të veprimtarisë së radio Kontaktit përgjatë dy dekadave, ndër të tjera, theksoi se Radio Kontakti lindi dhe u zhvillua si një radio për të gjithë shqiptarët.

”Këtë e tregoi gjatë luftës së Kosovës, ku aksionet sensibilizuese nëpërmjet valëve të kësaj radioje, arritën që të grumbullojnë jo vetëm qindra ton ndihma materiale, por kjo medie shërbeu edhe si një urë lidhëse për banorët kosovarë të shpërngulur, të cilët kishin humbur kontaktet me njerëzit e tyre të dashur. Edhe sot mes shumësisë së kanaleve mediatike, radio Kontakti spikat me identitetin e vet. Ky identitet është konturuar e konsoliduar nga drejtorët e kryeredaktorët ndër vite, nga dhjetëra e qindra gazetarë e teknikë që kanë punuar përgjatë 20 vjetëve në këtë radio. Radio u është mirënjohëse atyre, siç i janë ata asaj!”.

Ndërsa më tej, fjalën e mori drejtori i parë i Radio Kontaktit, Z. Alfons Zeneli, i cili tregoi rrethanat në të cilat u krijua radio Kontakti. ”Kjo radio hyri në histori jo thjesht për faktin se ishte e para radio private, por sepse ishte e para që përkrahu fjalën e lirë dhe demokratike, pa asnjë lloj censure”.