Presidenti Meta takon Romano Prodin: Të ndërtojmë një simbol të turizmit shqiptar

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar mëngjesin e sotëm një takim me ish-kryeministrin italian, Romano Prodi.

Në një koment në Facbook, Presidenti Ilir Meta shprehet se me mikun e shqiptarëve ka diskutuar për të ardhmen europiane të Shqipërisë marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.

Presidenti Meta zbulon dhe detaje të bisedës me ish-kryeministrin Prodi. Kreu i shtetit thotë se ka mbështetur propozimin e Romando Prodit për të ndërtuar një simbol të turizmit të Shqipërisë, me qëllim promovimin vlerave turistike të Shqipërisë në botë.

Një mëngjes pune me mikun e shqiptarëve, profesor Romano Prodin, me të cilin diskutuam për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona e të ardhmen europiane të Shqipërisë. I drejtë propozimi i mikut tonë për të ndërtuar një simbol të turizmit shqiptar, që do promovonte edhe më fuqishëm rritjen cilësore të turizmit e përfitimeve”,- shkruan Presidenti Meta në Facebook.

Këshilla e ish-kryeministri italian: Ecni në shpejt me reformat

Romano Prodi, ish-kryeministri dhe një nga ikonat e politikës italiane dhe asaj ndërkombëtare ndodhet këto ditë në Shqipëri, si pjesëmarrës në konferencën me temë “Roli i ndërkombëtarëve në tranzicion”.

Në fjalën e tij në këtë konferencë, ish-shefi i ekzekutivit italian deklaroi se zhvillimet në Shqipëri kanë qenë të jashtëzakonshme. Nga ana tjetër, ai ka kërkuar nga politika shqiptare që të ecë më shpejt me reformat për të arritur standardet e kërkuara nga Bashkimi Europian. Prodi deklaroi se reformimi i sistemit të drejtësisë, por edhe lufta ndaj krimit e korrupsionit, duhet bërë me shpejtësi.

“Një pikë e rëndësishme janë reformat e bëra, të cilat duhet zbatuar me përpikëri. Është i dukshëm ndryshimi i përditshëm juaji. Me prioritet është zbatimi i reformës në drejtësi, reformimi i sistemit të drejtësisë, lufta ndaj krimit e korrupsionit. Gjithçka duhet bërë me shpejtësinë më të madhe të mundshme, është momenti për të vepruar. Edhe ne duhet të hidhemi në aksion për të përmbushur atë që ka mbetur”,- deklaroi Prodi.

Nuk ka munguar as vlerësimi për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke thënë se është mjaftueshëm i dukshëm. “Progresi i këtij vendi është mjaftueshëm i dukshëm. Sfida e Shqipërisë është lufta ndaj korrupsionit. Ka pritshmëri për një panoramë të re, pavarësisht tranzicionit. Ne kemi gjetur një harmoni me njerëzit në Shqipëri. Shqipëria po ecën në rrugën e duhur për integrimin në Bashkimin Europian”, tha Prodi.