Parlament i ri me 110 deputetë, Shehi: Pse duhen pasur frikë PD-PS

Kreu i LZHK-së dhe anëtari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Dashamir Shehi, deklaron në një intervistë për gazetën ”Panorama”, se forcat politike në Shqipëri e kanë kuptuar dhe kanë rënë dakord se sistemi aktual zgjedhor duhet ndryshuar. Aleati i PD thekson edhe se vetë opozita nuk ka një ide të qartë se cilin sistem duhet të mbështesë, ndaj edhe propozon që për këtë çështje, të hapet një debat publik.

Z. Shehi, në mbledhjen e Reformës Zgjedhore ju kërkuat që fillimisht forcat kryesore politike duhet të investohen për të ndryshuar sistemin aktual zgjedhor dhe më pas të përmirësojnë Kodin Zgjedhor. Cila duhet të jetë rruga që duhet të ndjekë Komisioni sipas jush?

Unë gjykoj që Komisioni i Reformës Zgjedhore është mbledhur, në radhë të parë, për të ndryshuar sistemin. Nëse do të qëndrojmë me këtë sistem, nuk ka përse të bëjë kaq shumë zhurmë kjo Reformë, do të bëjmë ato arnimet e vogla, si në çdo palë zgjedhje, dhe do mjaftoheshim. Por në gjykimin tim, ky Komision është ndërtuar për të bërë dy ndryshime të mëdha. I pari është ai i ndryshimit të sistemit dhe gjatë rrugës do të vendosim se cili do të jetë sistemi më i mirë. Ndoshta do të duhet të hapim edhe një debat për këtë çështje, pasi sistemi mund të ndryshojë edhe 6 muaj përpara zgjedhjeve. Dhe së dyti, duhet çuar deri në fund ajo që është lënë në gjysmë gjatë gjithë këtyre viteve e që lidhet me votimin dhe numërimin elektronik. Këto janë dy temat kryesore të Reformës Zgjedhore, për të tjerat nuk ka nevojë për shumë zhurmë, pasi konsensusi është më i thjeshtë për t’u arritur.

Ju, si një nga aleatët kryesorë të PD, por edhe në diskutimet që keni pasur me kreun e opozitës, Lulzim Basha, keni arritur në një konsensus mes jush për propozimin e një sistemi zgjedhor?

Shpresa kryesore e të gjithëve është që ky sistem aktual që kemi, nuk do të jetë. Pastaj, se ku do të arrijmë për propozimin e një sistemi tjetër, ende nuk kemi një vendimmarrje. Për të qenë fare të sinqertë, edhe ne vetë nuk e dimë se cili prej sistemeve do të ishte më i përshtatshëm në kushtet ku ndodhet vendi. Ashtu siç e theksova edhe më parë, ndoshta për këtë çështje do të ishte i nevojshëm një debat publik, ku të krahasohen të gjitha sistemet. Por që sistemi aktual nuk është i përshtatshëm, për këtë kemi rënë dakord të gjithë. Edhe që duhet votuar dhe numëruar votat në mënyrë elektronike, kemi rënë dakord. Prandaj, edhe duhet që, fillimisht, të ndërrojmë sistemin dhe më pas të ecim përpara me çështjet e tjera. Sepse duke ngelur peng i diskutimit mbi votimin dhe numërimin elektronik, kondicionohen edhe shumë pika të tjera.

Për ju personalisht, nisur edhe nga karriera e gjatë politike, cili do të ishte sistemi më i mirë zgjedhor që i duhet vendit?

Unë do të isha për një sistem të kombinuar. Do të isha për një sistem maxhoritar të kombinuar me proporcional. Përmes këtij sistemi, i jepet mundësi edhe popullit të zgjedhë përmes maxhoritarit deputetët që ai do, por edhe partive, që të ruajnë personalitetet e veta. Unë do të isha për të pasur rreth 80 zona maxhoritari dhe 30 proporcionali. Sepse duhet të reduktohet edhe numri i deputetëve, pasi një vend kaq i vogël sa ky i yni, e ka të panevojshëm një numër aq të madh deputetësh. Pra, e kombinuar, ku 2/3 e deputetëve të dalin përmes sistemit maxhoritar dhe 1/3 përmes atij proporcional.

Po çështja e financimit të partive politike, si mund të zgjidhej? Ditët e fundit kemi pasur akuza në drejtim të PD për shifra që prekin rreth 1 milion dollarë, të përdorura për lobim në SHBA. Cila do të ishte zgjidhja për financimin e partive?

Edhe çështja e fondeve do të zgjidhej duke u vendosur një kuotë e caktuar shtetërore dhe çdo lloj fondi tjetër të konsiderohej si fond i zi. Ne jemi vend i vogël, e njohim të gjithë njëri-tjetrin, nuk ka nevojë për sisteme kaq të mëdha propagande. Zgjedhjet duhet të thjeshtësohen, njësoj siç u vendos për reklamat, që të shfaqen vetëm në disa zona urbane, pasi nuk ka nevojë për reklama shumë të mëdha. Edhe hapësira televizive gjatë fushatës në televizionet publike për partitë garuese, të ishte falas, do të ulte shumë kosto të panevojshme të fushatave.

Ka tendenca nga forcat kryesore politike PS-PD që në fund të procesit të Reformës Zgjedhore të arrihet drejt një sistemi që të ulë akoma më tepër peshën e partive të vogla?

Është fillimi dhe është e kotë që t’i paragjykojmë. Por historia na ka mësuar që forcat kryesore këtë gjë e kanë bërë gjithmonë, ndaj edhe frika duhet pasur. Por jemi ende në fillim të procesit dhe do të ishte vetëhelmuese të thoshim se kërkojnë të na eliminojnë. Duhet bërë një reformë jo për të mos cenuar të voglat, por për të zgjeruar demokracinë. Sepse nuk është e nevojshme që të ketë edhe kaq shumë forca politike, por këtë e zgjidh vota e shqiptarëve. Mjafton të ketë një kuotë që duhet kapur nga çdo forcë gjatë zgjedhjeve që duhet të jetë 2%-3% dhe jam i sigurt që pas kësaj vendimmarrjeje, shumë prej partive do të dilnin jashtë sistemit.

Në kushtet kur shumë parti të vogla rrezikohen, mund të konsiderohet edhe krijimi i një poli të tretë, ku të përfshihen disa nga forcat e vogla politike?

Unë gjykoj se krijimi i poleve është më shumë çështje politike sesa çështje numrash. Shpesh është krijuar ideja se do të mblidhen partitë e vogla për të krijuar një pol të tretë, por sa herë vijnë zgjedhjet, forcat e vogla politike rreshtohen të gjitha sipas orientimeve politike që kanë. Nëse nuk ka një substancë politike për polin, numrat janë të pamjaftueshëm. Polet janë politike, por politika jonë përgjithësisht ka qenë bipartizane, bipolare. E rëndësishme është të mos jetë mbipartiake, sepse kështu është e rrezikshme./Panorama/