Kryeministri Edi Rama: BE do të martohet me ne, por nuk na thotë se kur!

Edi Rama dhe Presidenti i PE, Antonio Tajani

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel ku ka zhvilluar një sërë takimesh me drejtues të institucioneve të Bashkimit Europian. Në qendër të takimeve ka qenë procesi i integrimit të Shqipërisë, bërja e reformave nga qeveria “Rama” si dhe mundësia e çeljes së negociatave të anëtarësimit për vendin tonë.

Gjatë forumit të Ballkanit Perëndimor, “Miqtë e Europës”, që është duke u mbajtur në Brukesl, Kryeministri Rama u shpreh se pa ndihmën e Bashkimit Europian, Shqipëria nuk do të mundte të realizonte reformat që po kryhen në vend.

Kryeministri Edi Rama ka komentuar dhe dilemat që ekzistojnë në BE lidhur me zgjerimin e saj me vendet e Ballkanit Europian. Me humor kryeministri shqiptar tha se Bashkimi Europian do të martohet me vendet e Ballkanit, por nuk është ende gati.

Unë shpresoj që shtetet anëtare do të pajtohen me BE-në dhe BE-ja të jetë ashtu siç e kemi njohur dhe siç kemi ëndërruar për të dhe jo diçka tjetër. Duket se mallkimi është Ballkani. Kur BE-ja ishte në formën e saj më të mirë, ne ishim në formën më të keqe, tani që jemi në formën më të mirë, BE-ja jo se është në formën më të keqe, por po shkon në këtë drejtim.  Ndoshta ne kemi një shans për t’u divorcuar përfundimisht me të shkuarën dhe të martohemi me një union të shkëlqyer, i cili na thotë se do të martohemi por nuk na thotë se kur. Në qoftë se nuk do të ndodhë shpejt, do të na ndihmojë të rritemi në mënyrë të shëndosh. E gjithë pjesa e dhimbshme e procesit, etiketat e vendosura, janë shumë të rëndësishme. Është themelore të ndërtojmë institucione”,- tha Kryeministri Edi Rama.

Rama tha më tej se pas shumë dekadash konflikte, situata në Ballkan është e re. “Unë shpresoj se shtetet anëtare do të pajtohen me BE. Ne e duam BE-në në formë të mirë, që ne të përfitojmë maksimalisht nga ky sinkronizim formash”. I pyetur se cila është ëndrra e BE brenda rajonit, Rama u shpreh: “Ëndrra e BE është të jemi pjesë e familjes me rregulla të qarta, ku gjithkush respekton rregullat, shtetin e së drejtës, për të pasur shtet dhe institucione të forta. Kjo ka të bëjë me të qënit pjesë e një familje që përfaqëson vlera unike”, tha Kryeministri.

VIDEO/Samiti për Ballkanin Perëndimor organizuar nga Miqtë e Europës

Rama takon Presidentin e PE: Besim për çeljen e negociatave

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka zhvilluar sot një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Parlamentit Europian Antonio Tajani në Bruksel.  Fillimisht fjalën e mori, italiani Tajani i cili theksoi rëndësinë e ecurisë që ka bërë Shqipëria me reformat pozitive për mundësinë e çeljes së negociatave me BE.

“E njoh mirë Shqipërinë, dhe ajo po ecën mirë në rrugëtimin e BE. Në pranverë do kem një vizitë në Shqipëri me një delegacion që të bëjmë raportin për vendin. E përgëzova Ramën për rezultatin zgjedhor dhe se Shqipëria është një vend shembull për dialogun atdhetar. Duhet të marrin shembull nga Shqipëria të gjitha vendet,” u shpreh ai.

Ndërsa kryeministri Edi Rama u shpreh i kënaqur me hapat e hedhura nga Shqipëria deri më tani dhe tha se vendi do të vazhdojë me të njëjtën vendosmëri për të patur akses në tryezën e Europës. “Ishte një nder të pritesha në zyrën tuaj. Ishte kënaqësi e veçantë t’ju takoja, si një mik i madh i Shqipërisë që jeni. Këtu jemi për të folur me fakte e rezultate, për të pritur të çelim këtë portë negociatash me Europën. Mbështetemi tek miqësia juaj dhe tek miqtë e mëdhenj që kemi. Vlerë ka rezultati në çdo pjesë të asaj fletoreje të detyrave të shtëpisë që ne kemi. Jam i kënaqur që Shqipëria ka mundur të dëshmojë se ka hedhur hapa përpara dhe do vazhdojmë me të njëjtën vendosmëri për të arritur në maj me çdo gjë kemi mundësi për të patur akses në tryezën e Europës. Jeni më shumë se i mirëpritur atje, se keni qenë edhe më parë dhe si italian mund të hyni në çdo moment edhe pa lajmëruar,” tha Rama.

DEKLARATAT E PLOTA TE PRESIDENTIT TE PE DHE KRYEMINISTRIT RAMA

Antonio Tajani: Duke qenë se kryeministri shqiptar flet një italishte të përsosur mund të shprehem në gjuhën time, mëmë.

Së pari dua t’a falënderoj për vizitën. Këtu në Parlamentin Evropian kemi trajtuar të gjitha temat kryesore që kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë e Ballkanit, luftën kundër terrorizmit, dialogun ndërfetar dhe raportet midis Shqipërisë dhe BE. Unë nënvizova rëndësinë e progresit të realizuar nga Shqipëria, e cila ka kryer një seri reformash të rëndësishme, të cilat shkojnë në drejtimin e  anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe i referohem posaçërisht reformës në drejtësi, e cila për ne mbart një profil dhe një rëndësi shumë të madhe.

Kjo natyrisht lehtëson raportin midis Shqipërisë dhe BE-së. Unë jam italian dhe e njoh mirë vendin që është përballë nesh, një vend shumë i rëndësishëm në rajonin Adriatik.  Dje, në L’Akuila përfunduam punën për një projekt europian shumë të rëndësishëm për rajonin Adriatik që përfshin drejtpërdrejtë Shqipërinë, e kjo do të ketë përfitime të rëndësishme.

Kjo është një mënyrë shumë e mirë për të ecur përpara në rrugëtimin drejt integrimit. Në pranverë do të kem një vizitë zyrtare në Shqipëri, i shoqëruar me një delegacion sipërmarrësish evropianë në mënyrë që të sigurohemi që ky raport i privilegjuar me një vend, i cili në gjykimin tim, duhet të shndërrohet në vitet e ardhshme në një anëtar me të drejta të plota të Bashkimit Europian, të mund të shndërrohet edhe në një raport konkret për të krijuar vende të reja pune, për të nxitur zhvillimin dhe punësimin. Kjo do të ndihmojë krijimin e sipërmarrjeve të përbashkëta, duke ndihmuar në lindjen e kompanive të mëdha, të mesme apo të vogla anembanë vendit.

Unë gjithashtu përgëzova Zotin kryeministër jo vetëm për rezultatin zgjedhor, por edhe për faktin së Shqipëria është një vend shembull për dialogun ndërfetar. Në një rajon kaq të ndërlikuar si Ballkani, ne urojmë që të gjitha vendet e tjera të marrin shembull nga Shqipëria. Një vend tek i cili kemi besim të madh, me të cilin duam të përforcojmë lidhjet mes nesh dhe kjo vizitë  e sotme e shton një pjesëz të mozaikut të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe BE-së, gjithashtu përfaqëson një hap përpara në rrugëtimin e çeljeve të negociatave të anëtarësimit, midis Shqipërisë dhe BE-së.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit President!  Ishte një nder pritja në zyrën tuaj. Ishte kënaqësi e veçantë që ju takova, siç e thatë mirë, juve nuk jeni vetëm Presidenti i Parlamentit Evropian, por, edhe një italian i madh, që do të thotë një mik i madh i Shqipërisë. Për ne është e rëndësishme që të jemi këtu për të folur me fakte dhe me rezultatet e betejës sonë për të arritur më në fund tek hapja e kësaj porte negociatash me Evropën. Ne mbështetmi shumë tek miqësia juaj, dhe tek mbështetja e të gjithë miqve të mëdhenj që kemi në këtë institucion, por gjithashtu jemi dhe mjaft të ndërgjegjshëm për faktin se mbi të gjitha vlerë ka rezultati në çdo pjesë të asaj fletore të detyrave të shtëpisë që ne kemi. Jam i kënaqur se Shqipëria sot mund të dëshmojë që ka hedhur hapa përpara edhe ne muajt e fundit. Do të vijojmë me të njëjtën vendosmëri për të arritur në prill e në maj me gjithçka është e nevojshme për të pasur akses në tryezën e negociatave me Evropën.

Faleminderit që njoftuat vizitën tuaj në Shqipëri. Jeni më shumë se i mirëpritur, rrugën e dini sepse keni qenë edhe më parë në vendin tonë dhe si italian mund të hynin në çdo moment edhe pa na lajmëruar.

Takimi me Përfaqësuesen e BE, Frederica Mogerini

Kryeministri Edi Rama ka takuar në Bruksel shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federika Mogerini. Pas takimit ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat. “Po presim me padurim për të pasur një rezultat pozitiv për përpjekjet e përbashkëta dhe nisjen e bisedimeve për anëtarësim. Jam shumë krenar se vijmë me më shumë rezultate e do kemi edhe më shumë rezultate në muajt e ardhshëm”, tha Rama. Më herët, kryeministri Edi Rama deklaroi se “integrimi është mundësi për të lënë mënjanë fantazmat e së kaluarës” Në Samitin e Ballkanit të organizuar nga ‘Friends of Europe’, Rama tha gjithashtu se procesi i integrimit në BE për rajonin mbetet një forcë lëvizëse e rëndësishme për të ardhmen.

I pyetur në lidhje me largimet në Ballkanin Perëndimor, Rama ka thënë: “50.000 u larguan në Kroaci vitin e kaluar, askush nuk po flet për të. Sigurisht që njerëzit do të largohen dhe njerëzit do të vijnë.”  “Sundimi i ligjit dhe institucionet e fuqishme është ajo çka e bën më tërheqëse për tu anëtarësuar në BE”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.Presidenti Meta: Solidaritet dhe ndihmë për fëmijët me aftësi të kufizuar.