Vijon puna e FA në Darëzezë, ja si duket ura e re që po ndërtohet

Vijon edhe ditën e sotme puna për ndërtimin e urës në Darëzezë të Fierit. Ura që lidh 2 mijë banorë të kësaj zone me rrethinat dhe qytetin e Fierit u shemb nga përmbytjet masive që përfshinë jugun e Shqipërisë për tri ditë me radhë, për shkak të reshjeve intensive të shiut, që nxorën nga shtrati Lumin Vjosë.

Forcat e Armatosura ndihmuan nga toka dhe uji banorët e bllokuar, ndërsa pritet përfundimi i urës për t’i dhënë fund makthit të shumë banorëve, të cilët vijojnë transportin përmes motobarkave nga njëra anë e fshatit në tjetrën.

Ndërkohë, ura e re që po ndërtohet është metalike, do mundësoj kalimin jo vetë për njerëzit por edhe për mjetet. FA po vijon punën mes reshjeve të shiut, deri sa ta përfundojnë ditën e nesërme. Shqiptarja.com sjell video të reja nga Darëzeza, ku shihet se ura tashmë ka marrë pamje të re dhe shpejt mund të vihet në përdorim nga banorët.