Moratti: Është momenti për të shijuar klasiken e futbollit italian Juventus-Inter

Edhe ish-presidenti i Interit, Massimo Moratti, është shfaqur mjaft i lumtur për paraqitjet që po dhuron skuadra zikaltër në këtë sezon.

Ai vlerësoi shumë punën e trajnerit Spalletti, ndërsa theksoi se kishte mbetur i mahnitur nga paraqitja e djeshme ndaj Chievos.

“Kundër Chievos pashë një Inter mjaft të bukur, të rreshtuar mirë në fushë dhe me dëshirë të madhe për të marrë maksimumin. Spalletti është shumë i zoti dhe ia ka dalë të ndërtojë një ekip me përfshirjen e të gjithë lojtarëve, pasi edhe ata që kanë luajtur më pak, e treguan dje se janë të aftë të të luajnë në formacion”, tha ish-bosi zikaltër.

Massimo Moratti nuk la pa komentuar as sfidën e të shtunës në mbrëmje, ndërmjet zikaltërve dhe Juventusit, ndërsa u shpreh i bindur se Interi i ka të gjitha mundësitë të pretendojë titullin kampion.

“Në Torino do të përballen 2 skuadra të organizuara mirë dhe që luajnë një futboll të bukur. Mendoj se tani është momenti ideal për të shijuar këtë klasike të futbollit, që pavarësisht rezultatit, është e sigurt që do të na dhurojë një 90-minutësh emocionues. Edhe Interin e shoh pretendent për titull, sepse ka krijuar një grup shumë të fortë, të gatshëm të sakrifikojë për të arritur objektivat dhe mbi të gjitha, drejtohen nga një trajneri i zoti”, u shpreh Massimo Moratti.