Ministri Xhafaj: Detyra kryesore jetët njerëzore, masa konkrete dhe efikase

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka shkuar në komunën e Novoselës në Vlorë për të monitoruar situatën e përmbytjeve tek Ura e Mifolit. Kreu i Ministrisë së Brendshme po zhvillon takime me banorët e zonës dhe autoritetet që ndodhen në terren për të ndihmuar qytetarët në përballimin e kësaj situare.

Ministri bëri me dije se në terren janë 2200 forca policore. ”Le të shpresojmë që deri në fund të vazhdojmë kështu që të kemi sa më pak dëme. Është rasti për të falënderuar policinë dhe të themi që kjo është fytyra e vërtetë e policisë. Detyra numër 1 e forcave speciale është që të shpëtojnë jetët njerëzore. Së dyti të shpëtojnë bagëtitë dhe së treti të shpërndajnë ndihma. Faza e parë është shpëtimi i jetëve njerëzore”,-tha ministri Xhafaj.

Janë marrë masat më të mira të përballimit të situatës?

E di çfarë do më thoni: “Pse ke ardhur deri këtu?”. Thjesht kam bërë detyrën. Dhe kam ardhur që të përgëzoj e të falënderoj forcat operacionale të Policisë së Vlorës për gjithë këtë kontribut të jashtëzakonshëm që kanë dhënë. Në fakt Policia e Shtetit ka tre ditë që është në shërbim të përforcuar. Sot kemi në terren rreth 2220 forca policie në gjithë territorin, të impenjuara drejtpërsëdrejti në këtë operacion, me rreth 400 mjete të kalueshmërisë së lartë, të vëna në dispozicion të gjithë këtij procesi. Natyrisht Forcat e FNSH-së, DELTA dhe forcat e policisë këtu në Vlorë kanë një meritë të veçantë. Kontributi i tyre është gjithashtu një arsye ndër të tjera që, së bashku me forcat e ushtrisë, forcat e ardhura nga Kosova dhe natyrisht me organet e pushtetit vendor, u bë e mundur që kjo situatë të përballohet në mënyrë të tillë. Besoj se është një nga rastet më të mira kur koordinimi i gjithë këtyre strukturave e njësive ka dhënë një efekt pozitiv. Të shpresojmë që deri në fund të vazhdojë kështu, në mënyrë që të mos kemi jo thjesht dhe vetëm humbje jetësh njerëzore, por sa më pak dëme. Dhe është rasti për të falënderuar dhe njëherë Policinë. Dhe për të thënë që kjo është realisht fytyra e vërtetë e Policisë. Kjo është realisht Policia që kemi dhe që do duhet të kemi në të ardhmen.

Ndërkohë si do të funksionojë sot operacioni? Do të hyjnë në banesa për të shpërndarë ndihma, do të evakuojnë njerëz prej aty, çfarë do të ndodhë?

Së pari, detyra numër një e Forcave Speciale është të shpëtojnë jetë njerëzore. Së dyti, të mundësojnë të ketë sa më pak dëme materiale, përfshirë këtu pjesën e bagëtive. Dhe së treti, natyrisht të ndihmojnë operacionin e shpërndarjes së ndihmave. Në rastin konkret, në momentin aktual duhet të përballojmë fazën e parë: duhet të evitojmë humbjen e jetëve njerëzore.

A ka pasur rrezik për humbje njerëzore gjatë këtyre ditëve? Të paktën për zonën ku jemi?

Ministri Xhafaj: Po. Të paktën ju vetë keni dhënë shembuj konkretë ku janë kërcënuar jetë njerëzore, kanë qenë në vështirësi ekstreme të lëvizjes dhe është dashur ndërhyrja e forcave operacionale për t’i shpëtuar përmes operacioneve shumë të vështira, duke sakrifikuar jetët e tyre në funksion të jetëve të njerëzve.

Cili është mesazhi sot nga ministri për këtë ditë, duke qenë se e kemi kaluar fazën e vështirë?

Ministri Xhafaj: Ka vetëm një mesazh: ne jemi në shërbim të njerëzve. Dhe duhet të bëjmë detyrën në shërbim të njerëzve. Dua të them dhe diçka shumë e rëndësishme për mua, për ju posaçërisht këtu, për mënyrën si e keni përcjellë lajmin. Ndoshta, në vlerësimin tim, është një ndër mbulimet më të mira mediatike që i është bërë një situate të tillë. Shumë e ekuilibruar. Shumë e kujdesshme. Dhe dëshiroj t’ju përgëzoj për këtë gjë. Keni një meritë të veçantë. Zakonisht ju merrni pjesën e keqe për ta bërë lajm. Por ajo që duhet të vlerësoj është që, ndryshe nga herët e tjera, edhe gjërat e mira i keni bërë lajm të mirë.