Përse nuk e thotë kush që autostrada u përmbyt prapë nga palmat?

Përmbytja e autostradës Tiranë-Durrës ka ndodhur përsëri prej projektit të mbjelljes së palmave, i cili ngushtoi ose i mbylli fare kanalizimet. Kjo është një situatë e re që është shfaqur në këtë rrugë kombëtare, vetëm pas projektit palmor të kryeministrit Edi Rama.

Po në nëntor të vitit shkuar ka ndodhur e njëjta gjë me autostradën. Në atë kohë mbi 30 biznese të autostradës Tiranës-Vorë deklaruan më shumë se 10 milionë euro dëme nga përmbytjet e mëngjesit të 8 nëntorit të vitit 2016. Të gjendur përballë indiferencës totale të pushtetit vendor të Vorës, Tiranës dhe institucioneve qendrore, ata u bashkuan dhe kërkuan reagimin e institucioneve.

I kanë dërguar madje një letër qeverisë, ku shprehën zemëratën e tyre dhe kërkonin pikësëpari marrjen e masave urgjente për rikthimin e infrastrukturës në gjendjen e mëparshme, në mënyrë që të shmangen fenomene të tilla në të ardhmen.

Kërkonin në mënyrë urgjente të niste pastrimi dhe rehabilitimi i gjithë infrastrukturës së ujërave dhe aksesi i bizneseve (kanalet kulluese, përroi i Kasharit, nënkalimi i Kasharit, kanalet ujore nën trasenë e autostradës në këtë segment, deri në derdhjen e tyre në lumë). Bëhet fjalë për biznese të mëdha që mbajnë peshën më kryesore të të ardhurave në tatime.

Natyrisht, vjet me kalimin e situatës së emergjencës askush nuk e vuri më ujin në zjarr dhe pas një viti nuk e pësojnë vetëm bizneset, por edhe qytetarët e thjeshtë, të cilët mbetën dje peng në mes të ujit, u është dëmtuar malli që patën blerë dhe makinat, me të cilat po shkonin në qendrat tregtare të zonës ditën e djeshme. Ndaj, natyrshëm vijnë pyetjet e mëposhtme:

A ka faj qeveria që fle gjumë?

A i dëmshpërblen kush qytetarët dhe bizneset për humbjet e mëdha, meqë Ramës iu tek të mbillte palma?

A është vetëm e qeverisë dhe e qeverisë përgjegjësia për këtë dëm të madh ekonomik në kurriz të taksapaguesëve të saj?

Për palmat dhe dëmet e tyre do mbajë njeri përgjegjësi?

Dhe e fundit a del e qartë që kryeministri duhet ta kuptojë që forma nuk është kurrsesi përmbajtje?

Burimi: 27.al