Ministri Majko tregon minutat e ankthit: Isha në parlament, familjen e kisha të bllokuar në autostradë

Ministri Pandeli Majko ka rrëfyer sot se si i përjetoi përmbytjet e natës së kaluar që bllokoi qindra qytetarë në autostradën Tiranë-Durrës.

Në emisionin “Studio e Hapur” në News24, Majko tregoi se ndërsa ai ishte në parlament, familja e tij ndodhej në autostradë, pasi po kthehej në Tiranë.

“Unë kam pasur familjarët e mi mbrëmë në makinë dhe megjithëse isha në podiumin e parlamentit arrija të ndieja shqetësimin e tyre, jo vetëm se kisha familjen time por se ata më tregonin online se çfarë po ndodhte dhe me të vërtetë ka qenë një situatë e jashtëzakonshme”, tha Majko.
Kujtojmë se autostrada Tiranë-Durrës, sidomos tek Qafa e Kasharit ishte totalisht e bllokuar dhe uji arrinte në 1 metër.