A mund ta dënojë Rama shkaktarin e autostradës?

Ajo çka ndodhi në autostradën Tiranë-Durrës, para kthesës së Kasharit si dhe të City Park është krejtësisht për fajin e pushtetit. Qoftë pushteti i Berishës apo ky i tanishmi. U përmbyt autostrada, makinat u mbuluan nga uji duke rrezikuar fëmijë në makina, ndërsa në City Park mbi 200 njerëz nxituan në katin e dytë për të shpëtuar, ndërsa makinat e parkuara notonin sikur të ishte ndonjë lojë kukullash. Dhjetra biznese janë sakatuar nga dallgët e ujit të shiut, por që disa dëshmitarë flasin se uji erdhi mënjëherë, sikur u hap ndonjë digë apo rezervuar. Po kështu edhe në Fushëkrujë, Golem dhe frika mbetet se mos edhe në Fier e Vlorë mos ndodhë kasaphana ujore. Por le të rikthehemi të ngjarja e Tiranës.

Kryeministri Edi Rama dje pasdite foli gjatë një mbledhje në kryeministri për përmbytjen e autostradës dhe bllokimin e dhjetëra makinave që kërcënoi jetën e njerëzve. Rama hodhi poshtë versionin që doli nga opozita, sipas të cilës shkaqet e përmbytjes së autostradës janë, se e para vjen nga bllokimi i kanaleve kulluese në anë të autostradës ku u mbollën palmat dhe e dyta shkarkimi i Liqenit të Kasharit me urdher të Erion Veliajt.

Sipas Ramës asnjëra nga këto dy shpjegime nuk qëndron:

“Nuk kanë munguar zërat e ekspertëve të cinizmit, duke ia vënë fajin palmave. Është sa qesharake, ashtu sic është edhe e papranueshme të ndërtohet një gënjeshtër politike se medemek u hap Bovilla apo Liqeni i Kasharit, që është 3 metra nën kuotë, tani që po flasim dhe krijoi atë përmbytje.

Ajo përmbytje ka shkaqe të tjera, për të cilat 100% mbështes Ministrin e Brendshëm. Do t’i shkojmë deri në fund përgjegjësive administrative, civile, penale pasi aty është ndërhyrë në rrjetin e shkarkimeve. Kjo është e qartë. Qoftë duke ndërtuar pa leje, qoftë duke ndërtuar forma të tjera shkarkimesh që sjellin pastaj këto pasoja. I kërkoj ndjesë shumë të thellë qytetarëve që u gjendën në pritën e paligjshmërisë që kërcënoi jetë njerëzish. Ne nuk do falim asnjë përgjegjës për atë situatë” u shpreh kryeministri.

Këto tha kryeministri live. Të gjithë pamë ministrin e brendshëm Fatmir Xhafa I cili kur doli paradite për të inspektuar gjendjen në segmentin e autostradës u gjend, papritur, në një valë zemërimi kundrejt qeverisë lokale dhe qendrore. Dhe të gjithë theksonin se është faji i pushtetit për këto përmbytje, pasi dikush, një i fortë ka bllokuar rrugën, kanalet kulluese dhe tubacionet e dikurshme. Të gjithë thonin se është “njeri”, por as të përmbyturit nuk ia shqiptonin emrin nga frika, por as edhe ministri e kryeministri nuk thanë se kush e kishte fajin. Kryeministri deklaroi mbrëmë se nuk do falim asnjë për këtë që ndodhi, por edhe Edi Rama nuk guxoi ta thotë emrin.

As Erion Veliaj nuk ia thotë. Ndaj ajo që ndodhi parmbrëmë do të vijojë prapë sa herë të ketë shira të këtij niveli rrezikshmërie.

Edhe diçka tjetër; teoria e kryeministrit që nuk lejon asnjë mur apo avlli, edhe kur duhet, mbetet një vendim absurd. Ai duhet të kuptojë se nuk duhen masa kaq drastike ndaj shumicës së thjeshtë, edhe kur duan të ndërtojnë një gjë në favor të mbrotjes apo sigurisë së banesës së tyre, natyrisht brenda pronës. Jemi në kushtet kur akoma nuk janë gjërat përfekte si fjala vjen në Zvicër apo Itali, kësisoj duhet që jo kaq strikt e të dhunshëm pushteti vendor dhe ai qendror në raste të tillë. Ishte vetë ministri i brendshëm Fatmir Xhafa i cili u ndodh në siklet kur disa biznesmenë e qytetarë, u drejtuan atij se nëse mund të lejoheshin nga bashkia të ndërtohej një iks mur mbrojtës, nuk do të kishin dëmtime e shkatërrim të pronës, por nuk i lejon bashkia, sepse ka një urdhër të kryeministrit për prishje e hedhje në erë të çdo gardhi. Nuk themi të mbijnë gardhet pafund, por disa masa mbrojtëse private shteti duhet ti lejojë.

Kryeministri Rama ndodhet para provës publike që të jetë më i arësyeshëm me qytetarët dhe bizneset e vegjël për disa arnime dhe “barrikada” mbrojtëse prej tyre, nga njëra anë dhe përdorimit të forcës ligjore për të mposhtur forcën e të fortit, i cili shkaktoi këtë fenomen në autostradë.

Këtu do jemi dhe shikojmë se si prapë kryeministri Rama do tërhiqet para të fortit. Sepse kështu e ka konceptuar qeverisjen; bashkëqeveris me pak veta milionerë e miliarderë.

A.Mati