Festë në volejboll, ndeshja për ”Kupën e Flamurit”

Shqipëria dhe Kosova në volejboll u përballën dje në Tiranë në Kupën e Flamurit me rastin e 105-vjetorit të Pavarësisë. Kuqezinjtë fituan të dyja ndeshjet, si për meshkuj ashtu edhe për femra, në një organizim që më shumë se sfidë, ishte një festë sportive.

Kombëtarja e femrave fitoi 3-0, në një takim me rivalitet vetëm në setin e parë. Madje Kosova udhëhiqte 22-24 dhe i mjaftonte një pikë, që në fakt nuk erdhi, pasi vajzat kuqezi përmbysën shifrat dhe fituan 26-24. Në dy setet e tjera kombëtarja jonë ishte vazhdimisht superiore në parket, duke u shkëputur gradualisht dhe më pas administron avantazhin, për të fituar 25-18 dhe 25-21.

3-1 fitoi kombëtarja e meshkujve, që mundi pa shumë probleme atë të Kosovës, në një takim thuajse në sens unik dhe ku epërsia e kuqezinjve ishte e madhe (25-19, 25-21, 22-25, 25-22). Volejbollistët kosovarë rivalizuan vetëm në setin e tretë, duke e fituar atë dhe rihapur përkohësisht ndeshjen, ndërsa në tri setet e tjera dominuan kuqezinjtë.

Në mes të dy ndeshjeve miqësore, FSHV organizoi edhe një ceremoni duke shpërndarë titullin “Mirënjohje” për mjaft ish-volejbollistë shqiptar ndër vite, ndërkohë që të pranishëm ishin edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe presidenti i KOKSH, Viron Bezhani