Dosja sekrete “Z” turbullon Qeverinë e Edi Ramës

-Luftë me skandale dhe shantazhe mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.

-Dosja “Z” rri e pret se kur do ta nxjerr Basha. Nëse nuk del në publik atëhere pazari është bërë në mesnatë, si me 18 maj. Dosja “Z” pret dritën e diellit!

Pas akuzave politike, lufta mes opozitës dhe mazhorancës kaluar në një nivel më të ashpër. Tashmë beteja po zhvillohet me dosje skandalesh, shantazhe politike dhe me përmendjen e prangave dhe qelive të burgut. Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha paralajmëroi dje një tjetër dosje që do të publikohet shumë shpejt nga opozita. Në një takim me deputetët e PD-së që janë pjesë e komisioneve të Sigurisë Kombëtare dhe të Ligjeve, Basha tha se shumë shpejt një tjetër skandal do të publikohet për qeverinë. Në komunikimin me mediat Basha ishte i kujdesshëm që të mos jepte detaje se cili politikan është në qendër të skandalit të ri. Ajo që la të kuptohet është se provat apo faktet për këtë dosje të re kanë ardhur nga partnerët ndërkombëtarë. Sipas demokratëve emri i ri që këtë herë del i implikuar nga radhët e mazhorancës nuk ka të bëjë as me dosjen “Habilaj” dhe as me kryebashkiakun e qytetit të Durrësit. Lista e mëkatarëve në radhët e mazhorancës është e gjatë dhe mes ministrave të “Ramës” kanë nisur pyetjet: “Kush e ka radhën”.

Është dosja “Z”. Kështu quhet në emërtimin e dorëzuar nga partnerët ndërkombetarë. Skandale dhe korrupsion ka brenda dosjes. Mazhorancës do ti duhet të vihet edhe njëherë në siklet të madh pas publikimit të kësaj dosje. Fill pas dosjes Tahiri-Habilaj dalja e dosjes “Z” do sjellë fortunë në PS.

Dje ish-kryeministri Sali Berisha, me anë të burimeve të “qytetarit” dixhital foli për video komprometuese për disa ministra të kabinetit “Rama”. Këto video, sipas burimit të Sali Berishës, janë realizuar në hotelin “Santa Quaranta”, pronë e Klement Balilit që dje u sekuestrua nga Policia e Shtetit. Diversioni i Berishës ishte i qartë, pas bllokimit të pasurive Klement Balili, njeriu që kërkohet nga drejtësia e disa shteteve mund të hakmerret duke publikuar materialet komprometuese për politikanët që e lanë në baltë. Flitet se materialet kanë mbërritur në Tiranë.

Publikimi i videove pritet të bëhet publike, në momentin që do vendosë Lulzim Basha. Burime pranë kreut të PD-së tregojnë se janë kopjuar videot dhe shpërndarë në tre vende në mënyrë që të mos zhduken, nëse tentohet nga personazhet e skandalit që të vidhen apo të merren më mënyra të ndryshme.

Dosja “Z” ndodhet te Lulzim Basha. Por ndërkohë që opozita po numëron përditë skandalet që dëmtojnë mazhorancës, Partia Socialiste këto ditë nuk ka humbur kohë. Rrjeti i gazetarisë investigative BIRN, në kulmin e skandaleve për drogën, publikoi disa dokumente për financimin e kompanive lobuese të PD në SHBA. Sipas dokumenteve demokratët kanë paguar rreth 800 mijë dollarë për takime në SHBA dhe lobime gjatë protestave në çadër dhe zgjedhjeve. Prej dy ditësh, zyrtarë të lartë të PS akuzuan prokurorinë se nuk po heton për këtë skandal. Mbrëmjen e djeshme, Prokuroria e Tiranës nisi procesin e verifikimit. Ndërsa deputetët e PS kërkuan që gjithë familja e Lulzim Bashës të merrej nën hetim për çështjen e parave që janë paguar për kompanitë amerikane.

Dosjet që pretendon PD dhe akuzat që PS-ja bëri para prokurorisë për Bashën duken ngjarje që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ajo që i bashkon është lufta mes opozitës dhe mazhorancës që tani është kthyer në një arenë shantazhesh dhe kërcënimesh. Për çdo dosje që publikon opozita, mazhoranca ka gati përgjigjen. Nëse Basha kërkon arrestimin e Saimir Tahirit, Taulant Balla kërkon hetimin e çështjesh CEZ dhe arrestimin e Berishës, Bodes etj. Nëse PD lajmëron së një tjetër skandal do të plasë në publik, deputetët e opozitës bllokojnë ekranet duke paralajmëruar se me prokurorin e ri do të hapen disa dosje që nuk janë hetuar siç duhet gjatë viteve të fundit për PD.

Pra presion. Oferta e PS ndaj PD: Mos boto dosjen “Z” që të mos hetojmë edhe ne për ju!

Që nga shpërthimi  dosjes “Habilaj” dhe me pas “Tahiri” skena politike është kthyer në një arenë presionesh dhe kërcënimesh të hapura dhe të fshehura. Bashkë me partitë, mediat janë përfshirë në operacione informimi dhe dezinformi, ku skandalet e vërteta fshihen pas miniskandaleve për të krijuar konfuzion dhe paqartësi. Kjo bën që shpesh herë të harrohen ngjarjet reale. Të paktën 2 prej të akuzuarve si kapo të trafikut nga policia e Italisë, Greqisë dhe SHBA, Klement Balili dhe Florian Habilaj ende nuk janë arrestuar. Ndërkohë gjithë shefat e komisariatit të Vlorës janë arratisur. Arratisja e ish-drejtuesve të policisë konfirmon akuzat e opozitës ndaj qeverisë.

Dosja “Z” rri e pret se kur do ta nxjerr Basha. Nëse nuk del në publik atëhere pazari është bërë në mesnatë, si me 18 maj.

Dosja “Z” pret dritën e diellit!

S.P.