“Djaj në veladon”, reagon Janullatos: Sulmi ka kaluar çdo kufi, por…

Mediat greke e kanë konsideruar provokim prezantimin në Panairin e Librit të Tiranës të botimit “Djaj në Veladon” me autor Sejdi Kondin.

Në kopertinën e librit është stampuar ikonografia e Shën Kozmait dhe Kryepeshkopit të Kishës Orthodhokse, Anastas Janullatos me titullin “Djaj në Veladon”.

Libri në kopertinën e jashtme nuk përmban ndonjë shënim mbi shtëpinë botuese, por botimi prezantohej dhe shitej për publikun në stendën e “I Love Çamëria”, ku listoheshin kryesisht tituj librash mbi Çamërinë, shkruan Respublica.

Sipas mediave greke, libri nuk ka bërë përshtypje ndonëse në panair parakaloi thuajse gjithë kabineti qeveritar dhe presidenti i Republikës.

Janullatos i pyetur nga ANT1 bëri këtë koment:  “Forca ime është e madhe. Sulmi ka kaluar çdo kufij të arrogancës dhe provokimit, por nuk i ka kaluar kufijtë e mi të durimit dhe dashurisë. Me të tilla akte bëhen përpjekje të minohet harmonia fetare. Ne po luftojmë për bashkëjetesën harmonike”.