Një kurorë tingujsh të trishtuar për të madhin Aleksandër Lalo

…Një artist i madh, një kompozitor i madh, një familjar shembullor, një shembëlltyrë e ndritshme që frymëzon dhe na sjell gjithnjë pranë  modele të njohura  të këtij formati…

Nga Dedin Suli

(Studiues,  koreograf)

Këto ditë edhe pse ndodhem në Itali, shtypin e ndjek me vëmendje, dhe vëmendja ime vjen e mprihet të dëgjoj ndonjë shkrim për mikun tim Aleksandër Lalo, i cili iku në amshim. Sa herë që një njeri e kemi,  na duket se ai është përgjithmonë me ne, por mizorja vdekje e shkëput papritur  dhe atëhere fillojmë e kujtohemi më shumë. Kjo është në një farë mënyre një kod sjellje pa të keq e genit njerëzor, i cili kujton se është i përjetshëm, kurse në të vërtetë jemi të ikshëm…Po kur ikin njerëz të këtij rrangu,  atëhere kjo vëmendje bëhet  më e madhe dhe njeriu nuk ia fal vetes harresat e përditshmërisë. Sa herë vija nga Italia për në Shqipëri, një udhëtim ritualistik për shkak të kushteve dhe akomodimit tim,  duke e ndarë jetën mes dy shtetetve, më duhej të takoja Aleksandër Lalon,  dhe të dy të pinim kafe tek  bar”Koreshi” e të rrinim me njëri tjetrin , jo vetëm për t`u çmallur, po edhe për të biseduar.

 I tregoja për planet e mia krijuese, studimet e mia, ndërsa ai, si gjithmonë Sandri ekspresiv,  më fliste e fliste me një gjallëri të jashtëzakonshme. Nëse do të sillemi drejt qasjes dhe arsyetimit midis njeriut dhe artistit në një lidhje të pashkëputur,  këtë do ta gjeje tek i madhi Aleksandër Lalo, i cili ishte jo vetëm një kompozitor i klasit të lartë, po edhe i njohjeve shteruese të gjithë zhanreve të artit, çka është e natyrshme për një kompozitor të atij formati. Ai e njihte shumë mirë korreografinë, fushë në të cilën kam punuar aq vjet dhe jam marrë me studime të gjithë valleve dhe baleteve të TOB, po edhe historikun e saj,  artistë me zë, për të cilët fliste me respekt. I tillë ishte Sandri,  një krijues i vetvetishëm, pasionant dhe me karakter të fortë, fantasist i jashtëzakonshëm i tingullit, ngjyrës dhe nuancës së tij,  që bënte muzikë shqiptare, dhe jo muzikë që të sillte intonacione huazuese, njeri serioz e kompozitor serioz, i papërsëritshëm dhe kurajoz, sepse një artist duhet të jetë kurajoz dhe i papërtuar, ma përsëriste ai shpesh këtë thënie, duke më treguar sa raste nga vetja e tij, tregonte vuajtjet në Kukës, po edhe punën këmbëngulëse që kishte bërë në këtë rreth verior në gjurmimin e folklorit dhe të muzikës, atëhere kur ishte dënuar me qarkullim, ai që futej në ajkën e krijuesve shqiptarë të muzikës. Artisti i vërtetë, më thoshte nuk duhet t`i sdorëzohet apatisë, pritshmërisë, as mbetje në vend, por ai, pavarësisht sa të favorshme ose kundërthënëse janë rrethanat, duhet t`i bindet vetëm një autoriteti:zërit të kërkimit dhe të bërit art, art vejak, origjinal, të pangjashëm me tjetrin dhe kurdoherë të freskët. Si sot më sillen ndërmend dhe i kam të freskëta këto thënie dhe më duhet të them se ato më kanë shërbyer shumë e më kanë sjellë gjithnjë nën një dritë kujtese fytyrën e hajthshme të mikut tim të pavdekshëm , që iku herët nga kjo botë duke na lënë një peng njerëzor të natyrshëm,  jo vetëm si njeri, por edhe se roli i tij , vendi bosh që la,  vështirë të mbushet me  figurën e një artisti të përmasave të tij.

Aleksandër Lalo dhe Kujtim Laro janë dy krijues të  mëdhenj të muzikës së filmit shqiptar. Aleksandër Lalo padyshim zë një vend të parë me muzikën e filmave “Dimri i fundit” Tomka dhe shokët e tij”, ”Vajza me kordele të kuqe”, ”Emblema e dikurshm” etj, etj, po edhe për këngët aq të freskëta dhe rinore”Grurë dhe këngë””Kur jemi bashkë të dy”, ”Zgjodha njeriun””Kompozitori dhe fëmija”etj. Krijimtaria e tij është jo vetëm e gjerë, e pasur, po mbi të gjitha cilësore. E kam ndjekur me kujdes vokacionin e këtij artisti edhe pse më është dashur  për arsye të studimeve të mia, po edhe pse e kam pasur një shok, po këto nuk kanë rëndësi , sa fakti që krijimtaria e tij të bënte për vete, të sillte pranë një realiteti frymëzues dhe të cyste fantazinë.

Artistët e vërtetë janë të matshëm përmes produktit të tyre, dhe produkti i tyre është puna, krijimtaria, sa ajo futet midis njerëzve, sa bëhet pjesë e njerëzve, sa i gëzon, trishton, sa i mobilizon ose i nxit ata për ta parë  jetën me një ngjyrë tjetër. Në fund ky është misioni i artit të madh, ai të shkojë tek njerëzit, dhe prandaj, kur artistë të tillë ikin kaq shpejt , njerëzit ndjejnë një  humbje që vjen jo vetëm nga respekti dhe mirënjohja,  po edhe nga një mendim i çastit  se humbja e tyre është e pazëvëndësueshme. Në jetën e vet Sandri i dashur, kishte pasë peripeci, që nga Festivali i njëmbëdhjetë, atëhere kur ai u dëbua nga Tirana dhe përfundoi në një rreth të largët verior, qoftë edhe prej antikonformizmit, që ishte një tipar genetik i njeriut dhe artistit të madh. Sepse ai nuk ishte si disa artistë të tjerë që bënte kompromis për artin, për atë që është e parealizuar dhe merret si art, jo ai nuk i vinte dorashka mendimit të tij kur ishte puna  për të thënë atë që duhet, atë që është e drejtë dhe e kapshme si e tillë,  që buronte nga vetëdija kritike e një artisti  me format të lartë.  Sa herë i kemi diskutuar  këto së bashku dhe e shihja se si pikëllohej e ndjente një trishtim ekspresiv,  kur i duhej të fliste për deformimet e muzikës që bënin disa kompozitorë ,  madje duke vjedhur intonacione apo duke përzier e ngjyrosur vija melodike të allosojshme.

Dhe mirë e kishte, ai nuk mund të dilte kundër vetes, nuk mund të përshtatej me mediokritetin edhe pse s`donte, edhe pse vetëdija e lartë artistike nuk ia lejonte këtë. Aleksandër Lalo ishte një kompozitor i formuar, me kulturë të gjerë, ndryshe çfarë mund të ishte dhe si mund ta formonte atë staturë të ndritshme. Ai e njihte majë gishtash muzikën botërore, jetët e kompozitorëve të mëdhenj, frymëzohej nga ata, po nuk duhet të harrojmë dhe, ma përsëriste shpesh:e gjithë njohja për një artist kthehet në dekoracion këndellës, nëse ai nuk ka dhe nuk mundet të japë diçka nga vetja. Sepse për një artist, është e rëndësihme që kur krijon,  t`i heqë modelet nga koka për një çast edhe pse ata rrinë aty , pranë. Dhe mendimet e tij kalonin pastaj edhe tek tradita jonë e mirë e muzikës, tek kompozitori Çesk Zadeja, që e kishte pasur mësues, tek Agim Krajka, prej të cilit kishte mësuar fizarmoonikën e tek Tish Daia etj etj, tek Opera shqiptare, baleti shqiptar, filmi, kënga, tek peripecitë e artistit të sotëm që ka kaluar jashtë vëmendjes së shoqërisë dhe të shtetit, e kështu ky artist i madh më përkundëte në mendimet e veta dhe ndjeja flladin e tingujve të tij, sepse Sandri ishte njeriu muzikë, siç e ka cilësuar me të drejtë studiuesi Josif Papagjoni në një shkrim të kohëve të fundit.

Aleksandër Lalo iku duke lënë pas një trashëgimi të vyer që i përket nderit të tij personal artistik, po edhe fondit të artë të muzikës shqiptare. Një artist i madh, një kompozitor i madh, një familjar shembullor, një shembëlltyrë e ndritshme që frymëzon dhe na sjell gjithnjë pranë  modele të njohura  të këtij formati.

Tingujt e muzikës së tij, këto ditë  në një dhimbje të justifikuar sikur u zhveshën pak nga ngrohtësia dhe e ulën pak furinë nga dhimbja për artistin e madh, për ta marrë veten sërish dhe të shojnë prapë aty ku ishin, në forcën dhe ngrohtësinë,  fantazinë,  finesën e delikatesën që ua dha natyrshëm dora , mendja, frymëzimi dhe përkushtimi i natyrshëm i Aleksandër Lalos, tinguj që na mrekullojnë duke u bërë një shkollë për gjithë atrtistët e muzikës  të rinj e të vjetër…