Gazeta franceze ”Libération” artikull për Teatrin Kombëtar

Gazeta e njohur franceze ”Libération” i ka kushtuar një artikull të posaçëm trupës sonë të Teatrit Kombëtar që performoi në Festivalin “Mettre en scene” në Renne të Francës, shfaqjen ”Lukrecia Borxhia”.

Teatri Kombëtar u ngjit në skenën e festivalit “Mettre en scene” në Renne të Francës me shfaqjen “Lukrecia Borxhia”, në datat 10-11-12 nëntor.

Pjesë e kësaj shfaqjeje ishin aktorët e njohur; Luiza Xhuvani, Artan Imami, Xhino Musallari, Vasjan Lami, Indrit Çobani, Lulzim Zeqja, Genti Deçka, Gent Hazizi dhe Marsel Rupi.

Në shkrimin e publikuar nga gazeta franceze “Liberation”, sipas atsh thuhet se, “gjashtë shkronja u sollën në skenë nga aktorët: B, O, R, G, I, A. Janë të mëdha dhe të bardha. Në qendër qëndron Kollona pa fund e Bankusit dhe këto përbëjnë thelbin e dekorit. Eric Vigner ka realizuar një skenografi fine dhe të stilizuar të veprës së Viktor Hygo-it. Çdo gjë luhet në tragjiken e brendshme të personazheve, në veçanti të Lukrecias, nënën inçestuale, e cila do të donte të fshinte me dashurinë e saj krimet e klaneve tiranike dhe dekadente”, shkruan gazeta.

Një pjesë të mirë të këtij artikulli e zë figura e aktores kryesore të shfaqjes, Luiza Xhuvani për të cilën shprehen: “në interpretimin e Luiza Xhuvanit, 53 vjeç është dhimbja e brendshme dhe brishtësia që të tërheq dhe jo histeria”. Drama e saj personale është e lidhur me dramën e personazhit të Lukrecia Borxhias, duke e bërë figurën e saj akoma më të prekshme për publikun”, thuhet në shkrim.

Në këtë artikull nuk është lënë pa përmendur rikthimi i publikut shqiptar drejt teatrit, duke theksuar se vendi po pëson një bum të teatrove dhe të kompanive teatrore. “Publiku i Teatrit Kombëtar është shumëfishuar këto tre deri në pesë vite të fundit dhe numri i shfaqjeve është trefishuar”, vijon artikulli më tej, duke shtuar dhe ndihmën e Ministrisë së Kulturës, sipas tyre për artin.