Ermonela Jaho dhe Placido Domingo, verën tjetër së bashku në Peralada

Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho është ndër të parat këngëtare klasike që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Festivalin Peralada. Ermonela Jaho do të jetë krahas Placido Domingos në festivalin e madh spanjoll, duke performuar operën “Thais” nga Jules Massenet. Koncerti do të zhvillohet verën e ardhshme, me 29 korrik.

Një ditë para kësaj date, pra me 28 korrik, tenori Jonas Kaufmann do të shoqërohet nga Orkestra e Teatrit Mbretëror të Spanjës.

Ermonela Jaho, në anën tjetër, ka bashkëpunuar edhe në të kaluarën me Placido Domingon, ndërsa në Spanjë do të sjellin operën më të mirë të francezit, e cila tani po kalon në një periudhë lulëzimi në disa skena të mëdha botërore.

Jaho vjen në rolin e kurtizanes, ndërsa Domingo në rolin e Athanael. Artistët do të shoqërohen nga Michele Angelini, Jean Teitgen, Lidia Curtis dhe Elena Copons. Performanca fillon në ora 22:00 në The Castle Gardens Auditorium në qytetin Peralada. Libretoja e operës bazohet në novelën me të njëjtin titull nga Anatole France. Premiera e operës është dhënë në Paris me 16 mars 1894.