Dosja “Habilaj-Tahiri”, priten arrestime të zyrtarëve të lartë

Të paktën 3 ish-drejtues të lartë policie pritet të arrestohen nga çasti në çast. Urdhër arrestet janë firmosur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe lidhen me dosjen “Habilaj”, në të cilën është përfshirë dhe ish-ministri, Saimir Tahiri.  Urdhër arrestet janë lëshuar për ish-drejtuesit e Policisë së Shtetit në Vlorë, Shkodër dhe Dhërmi.

Burime nga prokuroria thanë për “Koha Jonë” se arrestimet janë firmosur pas mbledhjes së provave lidhur me implikimin e drejtuesve të Policisë së Shtetit në trafikun e drogës.

Prokuroria nuk ka dhënë detaje për akuzat konkrete që rëndojnë ndaj ish-zyrtarëve të policisë. Mësohet se një prej personave për të cilët është kërkuar arrestimi është ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Çela ka drejtuar policinë e Vlorës nga shtatori 2014 deri në prill të 2017, ndërsa më parë ka drejtuar drejtorinë e policisë së Durrësit. Pas ardhjes së Fatmir Xhafës në krye të Ministrisë së Brendshme, Jaeld Cela u shkarkua nga detyra dhe në Policinë e Vlorës u emërua Gentjan Shehaj.

Urdhër-arrestet bazohen në hetimet që ka kryer Prokuroria e Krimeve të Rënda në lidhje me dosjen Habilaj, ku rezulton i përfshirë edhe ish-ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri.

Ndërkohë mandat-arresti ka edhe për Sokol Boden, shefi i policisë kufitare në Dhërmi. Bode ka punuar edhe në Shkodër si shef krimesh.

Zyrtari tjetër i lartë i policisë që pritet të arrestohet është Gjergj Kohila, shefi i krimit të organizuar në Policinë e Vlorës.

Jaeld Çela

Prokuroria kërkon arrestim të atyre që i cilëson si bashkëpunëtorë të Tahirit në trafikun e drogës. Ish-ministri u vu nën hetim pas bërjes publike të përgjimeve nga pala italiane për dosjen ‘Habilaj’. Por Kuvendi nuk e dha autorizimin për arrestimin e tij. Aktualisht Prokuroria ka kryer kontroll banese dhe e ka marrë në pyetje Tahirin për hetimet qe janë duke u kryer.

Ish-ministri Tahiri me 12 drejtuesit e Policisë së Shtetit në Qarqe
Në foto: (Majtas) Sokol Bode dhe kushërinjtë Habilaj  
Gjergj Kohila

Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, urdhër-arrestet i janë dërguar për ekzekutim Policisë së Shtetit. Ish-drejtuesit e policisë akuzohen se kanë bashkëpunuar me vëllezërit Habilaj, duke i favorizuar ata në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Moisi dhe Florian Habilaj akuzohen për trafikimin e rreth 3.5 ton kanabis në drejtim të Italisë përgjatë viteve 2013-2017, kohë kur antimafia italiane i mbante në përgjim. Në këto përgjime, dy vëllezërit por edhe bashkëpunëtorët e tyre në këtë rrjet të trafikimit kanë përmendur pagesa të bëra në adresë të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri si dhe mbylljen e njërit sy nga strukturat e policisë lokale.

Një prej ish-drejtorëve të policisë mund të jetë larguar në SHBA

Një prej zyrtarëve të lartë tëq policisë prej të cilëve është lëshuar urdhër arresti dyhsohet të jetë larguar drejt SHBA-ve. Sipas Lapsi.al, Sokol Bode, ish-shefi i policisë kufitare të Dhërmiut mund të jetë larguar për në Amerikë.

Pas publikimit të fotos  me Habilaj-t ai u largua nga Policia e Shkodrës, ku shërbente pasi la detyrën e shefit të policisë kufitare në Dhërmi. Burime të Lapsi.al thonë se ka dyshime që Bode të jetë larguar drejt SHBA-së fill pas publikimit të kësaj fotoje. Sidoqoftë kjo mbetet për t’u konfirmuar. Për momentin nuk dihet ende kur do të ekzekutohen tre urdhër arrestet e Prokurorisë. Veç Sokol Bodes ka mandat arresti edhe për Jaeld Celën, ish drejtorin e policisë Vlorë dhe Gjergj Kohilën, shefin e krimeve të Vlorës.

Një deputete e PS është thirrur në prokurori për dosjen ‘Habilaj'”

Në emisionin “Opinion” është duke u diskutuar për çështjen e flet-arresteve që u lëshuan për ish-drejtuesit e lartë të Policisë. Gjatë emisionit moderatori, Blendi Fevziu lexoi një mesazh që thoshte se një deputete e Partisë Socialiste dhe ish-zyrtare e lartë është thirrur për të dëshmuar për çështjen e “dosjes habilaj” në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

“Një deputete e Partisë Socialiste ish-zyrtare e lartë është thirrur për të dëshmuar në prokurori për ‘dosjen habilaj’,”- ky ishte mesazhi që lexoi Fevziu në emisionin Opinion.