Peza falënderon lexuesin, por thumbon kolegët: Ju nuk u gëzuat për “Sarah”, ashtu si unë për librat tuaj

I sapo shpallur autori më i kërkuar nga blerësit i edicionit të 20-të të Panairit të Librit, që u mbyll mbrëmë në Tiranë, Alfred Peza ka bërë një falenderim special për të gjithë ata që e mirëpritën ardhjen e romanit “Sarah” në letërsinë shqipe.. Në një letër ai ka falënderuar të gjthë lexuesit, por edhe ata që nuk kanë mundur ende që ta kenë një kopje të tij, letër e botuar në Aplenews.

Kjo është letra e plotë e Alfred Pezës

“Ndihem me fat që më dhatë mundësinë të përjetoja një hyrje të tillë në tempullin e letërsisë. Në më pak se dy muaj jetë, nëpërmjet Jush romani “Sarah” më ka dhënë një kënaqësi të papërjetuar kurrë më parë, duke më bërë të ndihem në një përmasë tjetër, të re.

Kjo ndjesi prekëse dhe obliguese, nuk ka të bëjë aspak me tirazhet dhe kopjet e shitura, por me diçka krejt tjetër. Vetëm këto javë më kanë bërë që ta ndjej realisht magjinë e artit të të shkruarit dhe fuqinë e pashoqe, duke më dhënë mundësinë e papërsërtishme që të njoh shumë njerëz që nuk do kisha ndoshta kurrë fatin ti takoja në ndonjë rrethanë tjetër. Ata më kanë bërë që të kuptoj se libri nuk ka vdekur, se leximi nuk ka vdekur, se letërsia nuk ka vdekur dhe se e bukura nuk vdes kurrë në Shqipëri.

“Sarah” hyri në jetën shqiptare në këtë vjeshtë të 2017, siç edhe vetë personazhi gati një shekull më parë në realitet, si në një ballo e ftuar nga mbreti i tempullit të letërsisë: Lexuesi. Kjo më bën të ndjehem si edhe Ajo, i shënjuar nga fati, që Mbreti më zgjodhi mua për vallëzimin e parë.

Përveçse një festë letrare dhe e botimeve, romani u shndërrua në një temë të re bisedash, komunikimi, debatesh dhe në një gjenerator sado i vockël fenomenesh sociale. Duke prodhuar histori me emrin Sarah dhe rreth saj. Nuk e dija më parë se sa “Sarah” paska patur ky vend, derisa kam takuar aq shumë prej tyre saqë më kanë mbushur me një ndriçim të brendshëm, duke besuar se sa shumë më tepër do takoj në të ardhmen.

Jam ndjerë më shumë se i vlerësuar që personalitete të letrave shqipe, krijues, shkrimtarë kolegë gazetarë, kanë shkruar gjëra fantastike rreth librit tim. Sikundër kam mirëkuptuar heshtjen e shumë të tjerëve, të cilët nuk iu gëzuan ardhjes së “Sarah” në jetën letrare, siç unë më parë veprave të tyre.

Kam mirëpritur kritikat e derisotme, pavarësisht se ato kanë qenë të gjitha jashtë letrare dhe nuk kanë patur aspak të bëjnë me romanin, por me emocionet e tyre personale, politike dhe historike. Çuditërisht kam zbuluar se përgjithësisht ata që vetëm kritikojnë, paskan një të përbashkët, ndoshta edhe për rastet e tjera si ky: Nuk e kanë lexuar librin. E ndoshta nuk u duhet. Kanë mirëkuptimin tim të plotë, gjithashtu.

Ajo që më ka prekur më shumë në gjithë këtë qasje të re, ka qenë inkurajimi i shumë e shumë lexuesve, që ta vijoj këtë udhë me vepra të reja. Shpresoj që ti takoj në promovimet e në Panairët e ardhshëm të Librit. Sa më përket mua, ajo që kam kuptur më mirë është se letërsia qenka kurthi më i ëmbël në botë: Nëse e kalon një herë atë derë, nuk paske më asnjë shans, që të kthehesh pas!