Në kurthin e përjetshëm të delegjitimimit

Nga Skënder Minxhozi/

“Ti je vrasës”, “Ti je i droguar, trafikant hashashi”, “Ti grabit paratë e shqiptarëve”, “Ti i bën turp partisë tënde”, “Jeni katandisur si mos më keq”! Prej dy dekadash e gjysëm, politika shqiptare e ka pasur mani dhe obsesion deligjitimimin e kundërshtarit. Thënë ndryshe, poshtërimin, mosnjohjen, shburrërimin e tij. Pas vitit 2005 Berisha ngulmonte që të mos njihte Edi Ramën si kryetar të opozitës (më sillni Nanon, se ai është kryetari real!). Më pas, kur Basha erdhi në krye të PD, Rama nuk humbet rast pa i kujtuar kreut të opozitës se është një kukull, të cilës ia lëviz fijet nga pas “paraardhësi nga kulla”. Rregullisht figurat politike kryesore janë përpjekur ta mpakin dhe ta banalizojnë atë që kanë pasur përballë, në vend që t’i japin vendin që i takon, në bazë të votave që secili nga liderët politikë përfaqëson.

Në katet e ulëta të qeverisjes, ky ballafaqim grotesk merr forma edhe më agresive, në shembullin e asaj që ndodh në majën e politikës. Edhe sot, pas kaq e kaq vitesh pluralizëm, kur kemi kaluar mes kaq shumë krizash e problemesh, të prodhuara ndër të tjera edhe nga paaftësia për të komunikuar, ne shqiptarët kemi dëshirë ta shohim sa më keq dhe sa më poshtë kundërshtarin. “Unë s’dua gjë, por atij merrini lopën”, siç e thotë fabula e shqiptarit që u ftua të shprehë një dëshirë nga mbreti.

Çeshtja është se në nivelet e larta të një shteti ligjor dhe të një demokracie, punët janë shumë më të komplikuara sesa një batutë me lopë. Merrni për shëmbull atë që ndodhi në pjesën e parë të vitit që po mbyllet. Në shkurt, në bulevardin qëndror të Tiranës u instalua një çadër proteste, e cila e mbajti pezull ambjentin shqiptar deri në mes të majit. Për tre muaj të plotë, palët u shanë, u akuzuan dhe u kërcënuan me çfarë i erdhi në gojë. Gjërat më të ashpra, më fyese dhe ofensive buçitën nga megafonët e çadrës, apo nga podiumi i kryeministrisë. Fatmirësisht, shqiptarët, të regjur me këtë teatër ditor, e morën gjithçka me sportivitet dhe pa shumë stres. Ndryshe, me nivelin e dhunës verbale që kishte pushtuar zemrën e Tiranës, këtu duhej të kishin nisur nja tre luftra civile.

Epilogu i kësaj tragji-komedie të konsumuar “live”, ishte krejt e kundërta e asaj që u pa dhe u dëgjua. Pasi e deligjitimuan njëri-tjetrin deri në palcë, Rama dhe Basha u ulën dhe u morën vesh për gjithçka, në harkun e një 24 orëshi. Sharjet, akuzat, fyerjet banale – shkurt, poshtërimi publik që i kishin bërë njëri-tjetrit për tremuaj – kishin marrë të gjitha fund si me magji, duke i lënë vendin vullnetit për paqe e kompromis. Çadra u mbyll, protesta u shua dhe në fund të ditës të gjithë pamë fushatën më të qetë që mbahet mend në këtë vend.

Kjo lloj alkimie e habitshme, e bazuar mbi delegjitimimin fals të kundërshtarit, është një histori e vjetër dhe e njohur në këtë vend. Ndodhi pak a shumë njëlloj në vitin e tmerrshëm ’97 me qeverinë Fino të ngritur mbi rrënojat e shtetit të drejtuar nga Berisha, në fillim të viteve 2000 me paqen Nano-Berisha dhe në vitin 2008, mes Berishës dhe Ramës, kur u ndryshua Kushtetuta.

Në të gjitha këto momente dramatike të vendit, faktori bazë i krizave ka qenë dëshira e shfrenuar për ta dhunuar, deligjitimuar e madje eliminuar kundërshtarin. Nuk është marrë kurrë parasysh se secili nga liderët politikë, përfaqëson një copëz të vullnetit të popullit të shprehur në vota. Nuk është marrë kurrë në llogari, se pas sherrit vjen gjithnjë momenti i marrëveshjeve dhe kompromisit, nuk është pranuar thuajse asnjëherë qysh në krye të herës, se strategjia e murit me mur krijon vetëm kosto, e jo përfitime.

Ka ardhur dhe ka kaluar momenti që mali i lartë i mosmarrëveshjeve dhe krizave, të prodhojë më në fund një listë mësimesh të vlefshme për të gjitha kohërat dhe për të gjitha palët në këtë vend. Përfshirë edhe kohën e çuditshme në të cilën jetojmë, e cila përball një pozitë të fortë por me plot halle, me një opozitë të dobët me edhe më shumë probleme e dilema. Vijimësia e 17 majit, si datë simbol i aftësisë për t’u marrë vesh, pas një lufte cfilitëse në mes të bulevardit, do të ishte ku e ku më produktive sesa seancat shterpë ku gjelat e parlamentit vetëm shahen me rradhë, ndërkohë që ligjet dhe paratë e shtetit presin të miratohen në tre të mëngjesit. Atëhere kur të gjithë janë në gjumë… Javanews