Macja dhe celularët    

Fejton nga Hyskë Borobojka

Hyskë Borobojka

Mësuesia e biologjisë, zonja Shpresa Zuberi, në orën e tretë të mësimit, hyri në klasë me regjistër në dorë. Tema që do të zhvillonte atë orë ishte e gjatë dhe mjaft e vështirë, me një varg emrash e karakteristikash, që duheshin shpjeguar një për një.. Kontroll dijesh atë ditë s’bëri fare, por hyri drejt e në temën e mësimit: “Macja shtëpiake mishngrënëse dhe cilësitë e saj të rralla”. Për ta bërë mësimin sa më shkencor dhe tërheqës, kishte sjellë me vete, si mjet konkretizimi, një tabllo me portretin e bukur të një maceje laramane me bishtin tumbë, si të dhelprës. Tablonë e vari në dërrasën e zezë, në mënyrë që të kishin mundësi ta shihnin të gjithë nxënësit. Pasi vendosi qetësinë e nevojshme më klasë, filloi të shpjegonte temën e mësimit për të cilën ishte përgatitur, si shkencërish dhe metodikisht.

Në dërrasën e zezë shkroi me gërma të qarta: “Macja shtëpiake mishngrënëse dhe karakteristikat e saj”. Qëndroi përpara nxënësve dhe filloi t’u shpengojë se kjo kafshë shtëpiake e ka trupin shumë të shkathët, që e lejon të bëjë lëvizje të shpejta.Veshët i ka aq të prehtë sa është në gjendje të dëgjojë e të kapë edhe zhurmat më të vogla. Kur filloi të fliste për syrin e maces, të numëronte një nga një pjesët përbërëse të tyre, dritën, bebet, formën e tyre, se ajo sheh edhe natën e errët, në klasë u dëgjua zilja e zgjatur dhe e këndshme e një celulari. Nxënësi, pronar i tij, e vuri në vesh dhe filloi të fliste me dikë:

-Po, po. këtu jam, në orën e tretë të mësimit, mos ki merak, jam fare mirë. Bukën që ma vure në çantë e hëngra të gjithë.

Mësueses i mbeti fjala në gojë dhe i foli nxënësit me celular në vesh:

-Djalë i mbarë! Fike shpejt celularin se po na prish orën e mësimit!

-Nuk mund ta mbaj mbyllur, zonja mësuese. Kështu më ka porositur jo vetëm babi, por edhe mami, që më marrin shpesh në celular të më kontrollojnë se ku jam! – arsyetoi nxënësi.

Mësuesia e ndërpreu mësimin deri sa nxënësi e mbaroi bisedën me prindin dhe filloi përsëri shpjegimin. Por i ndodhi diçka e padëshirueshme. i ngatërroi vetitë e cilësitë e maces mishngrënëse. Nuk po i kujtohej ku e la, kur e ndërpreu shpjegimin. Te mustaqet e maces, që ndodhën në të dy anët e turirit, te masat e buta që ndodhen nen gishtërinjtë, apo te thonjtë, si thika në këllëf?!

-Përsëritja është nëna e diturisë! – tha me vete ajo dhe filloi përsëri nga e para t’ia numëronte karakteristikat kësaj kafshe shtëpiake. Se gjuha maces i shërben për të lëpirë lëngjet. Me të ajo pastron edhe qimet e trupit…Por s’vazhdoi dot më tej se e ndërpreu një zile e fortë celulari me muzikë. Kësaj here këtë mjet komnikimi e vuri në vesh njëra nga vajzat e bangove të para. Mësuesia urdhëroi nxënësen ta mbyllte me njëherë celularin dhe të dëgjonte shpiegimin e mësimit. Por vajza nuk preferoi ta hiqte nga veshi e u arsyetua se prindërit e saj punonin larg shtëpisë dhe nga meraku për vajzën e tyre e merrnin në celular për çdo orë, që t’i dëgjonin zërin kudo të ndodhej. Madje edhe gjatë orëve të mësimit në shkollë. Bebet e syve të mësues morën formën e një të çare vertikale, duke u zgjeruar si të maces në tabllon që po shpjegonte. Akoma nuk kishte vendosur qetësinë në klasë, kur nga mesi i bankave ushtoi një zile celulari e pa ndërprerë.

-Moj vajzë, mbylle atë viran celular! Jemi në orën e mësimit, nuk jemi as më rrugë e as në lulishte! – e qortoi mësuesia,

-Nuk e mbyll dot, s’ma ka mësuar mami . Ajo më ka porositur ta kem të hapur, që me të më marre t’i përgjigjem me njëherë! -i tha nxënësia.

Në këto e sipër filloi simfonia e celularëve, që në atë orë mësimi ishin aq të shumtë sa rallë e për mall mund të gjendej ndonjë nxënës a nxënëse pa të ne xhep apo në çantë. Mësusia e gjorë mbeti në këmbë si hu gardhi Në atë çast trokiti dera e klasës. Ajo nxitoi ta hapte, kur u ndodh ballë për ballë me nën drejtoreshën e shkollës, zonjushen Bella.

-Zonja mësuese, lëshoji nxënësit se do të shkojmë në mitingun e partisë.

-Akoma s’e kam mbaruar shpjegimin e mësimit e s’ka rënë zilja për mbarimin e or՚ës! – i tha ajo

-Në s’e ke mbaruar tani mbaroje nesër a pasnesër. Nuk hyjnë ditët në thes. Kurse mitingu i partisë bëhet sot, në ditën dhe orën e caktuar e s’mund të lëvizë! – e qarte zonja mësuese! – e urdhëroi ajo. Si urdhëron zonjushe nëndrejtoreshë. Fjala juaj është ligj për mua!- i tha ajo. Por kur u kthye nga nxënësit, ata e kishin dëgjuar më parë dhe ishin ngritur të gjithë më këmbë e po thërrisnin:

-Hyftata! Pushim, pushim!- dhe filluan të dilnin jashtë derës me nxitim, ndërsa mësuesia e biologjisë mbeti duke vështruar temën e mësimit të shkruar në dërrasën e zezë dhe figurën e maces në tabllo, me bishtin tumbë si të dhelprës, që me gjuhën e saj si furcë pastronte me kujdes qimet dhe me sytë, si të çara vertikale, vështronte mësuesen, sikur donte t’i qante hallin, që s’e lanë celularët e nxënësve dhe mitingjet e partive. Ajo e gjorë doli nga klasa me regjistër në dorë, me dëshirën e madhe të zbatonte urdhrin, që mësimin e sotëm ta zhvillonte të nesërmen. Po kush e siguronte se do t’i harronin në shtëpi celularët e tyre nxënësit apo në vend të pjesëmarrjes në mitingje të partisë të dilte ndonjë avas tjetër, si bie fjala, për të pastruar territorin nga hedhurinat apo për të mbjellë pemë dekorative?!

Koha Jonë