Helmimi i nxënësve, ministrja Nikolla, Bashës: Ju qofshi!

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka reaguar sot ndaj akuzave të kreut të PD, Lulzim Basha për ngjarjen e ndodhur në Shupenzë të Bulqizës. Në këtë fshat sot mbetën të asfiksuar rreth 60 nxënës nga tymi i kaldajave.

Lindita Nikolla thotë në një reagim në Facebook se ata fëmijë po marrin shërbimin e duhur në kohën e duhur. Ministrja i kujton Bashës dhe kohën e shpërthimit në Gërdec, ku Edi Rama u tregua sipas saj njeri normal dhe nuk u mor me hesapet e veta duke akuzuar.

Statusi në Facebook i Lindita Nikollës:
Zoti Basha!
Në çdo vend normal dhe bashkësi normale njerëzish nuk ndodh kurrë që politika të bëjë hesapet e veta, teksa ka rënë një fatkëqësi, ciladoqoftë e për çfarëdo arsye qoftë!
Sot ne të gjithë po merremi me femijët e Shupenzës dhe ju siguroj se falë angazhimit të të gjithëve, ata fëmijë po marrin shërbimin e duhur në kohën e duhur. Ndërsa ju po bëni hesapet tuaja, duke mos pritur as deri nesër për të vazhduar muzikën e stonuar të gramafonit tuaj, me akuza e revolta kundër qeverisë.
Disa vite më parë, u vranë 26 vetë dhe u hodhën në erë qindra shtëpi zoti Basha dhe koha më pas, tregoi edhe si edhe pse u shkrumbua një fshat i tërë, 15 minuta larg qendrës së Tiranës. Por atë ditë, në ato orë tmerri kombëtar, Edi Rama, atëherë në rolin që ju keni sot, u tregua njeri normal i një bashkësie njerëzish normalë dhe nuk u mor me hesapet e veta politike. Besoj ju kujtohet! Madje armiku që ju ka verbuar sytë dhe errësuar komplet arsyen, mori në kurriz edhe shumë akuza e shpotitje të pamerituara për “rrahjen e shpatullave” të kryeministrit në deren e spitalit.
Po ju sot?

Basha: Keqardhje dhe revoltë për helmimin e nxënësve në Bulqizë