Historiani Mark Uci prezanton botimin e radhës, “Lezha, tempulli i historisë kombëtare”

Nga Albina Gjergji

“Qytetin e Lisos (Lezhës) që i bindej pushtetit venedikas, Skënderbeu e donte me një mënyrë të veçantë” (ndërsa) “Princat shqiptarë e pëlqenin dhe e kishin fort për zemër Lezhën”!

Me këto vlerësime të dokumentuara e nis librin e tij, historiani Mark Uci, i cili duke cituar të madhin Marin Barleti shpalos edhe lidhjen e tij të fortë me “vendin e lisave”, Lezhën, si dhe orienton lexuesin që në krye mbi përmbajtjen e botimit të tij të fundit.

Botimi

I titullluar, “Lezha, tempulli i historisë Kombëtare”, ky botim sapo dalë në qarkullim nga Shtëpia Botuese, “Gjergj Fishta” dhe i ofron publikut fakte të rralla e detaje të ilustruara me imazhe të një historie të lavdishme qyteti (e jo vetëm).

I prezantuar në këtë Panair Libri në kuadër të 105-vjetorit të Pavarësisë dhe Vitit të Skënderbeut, autori Mark Uci vjen përpara auditorit të tij mjaft serioz dhe grish kuriozitetin e dashamirësve të historisë për të mësuar më shumë mbi këtë krahinë që nga lashtësia, e deri më 1939.

Në këtë libër do të njiheni me Lezhën parahistorike, me Lezhën në aktikitet, Lezhën Mesjetare, Lezhën kryeqendër e Dukagjinëve e të tjerë kapituj që do ju bëjnë për vete që në shfletimin e faqes së parë.

Por, kush është Lezha në vija të përgjithshme, sipas studiuesit, Mark Uci?

Autori e përshkruan kështu në pasthënien e tij këtë qytet me vlera të jashtëzakonshme historike dhe kulturore:

“Lezha është një ndër tempujt e historisë kombëtare, jo se ajo ka lisin dhe akrolisin, apo kështjellën historike, iliro-romake-bizantine, por ngaqë Lezha me historinë e vëçantë të qytetit, si dhe të tre komuniteteve; zadrimorët, mirditorët, malësorët ka dalluar në periudha të ndryshme të historisë së popullit shqiptar. Lezha ka heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Këtu prehet komandanti legjendar i shqiptarëve.

Lezha ka edhe Lekën e Kanunit me princat e Dukagjinëve, të cilët në vitin 1385 e patën shpallur këtë qytet kryeqendrën e principatës së tyre.

Në Lezhë ndodhet edhe poeti i shquar i kombit shqiptar, At Gjergj Fishta, i cili u ka kënduar aq bukur trimërive të malësorëve tanë te “Lahuta e Malcisë”, si dhe Shqipnisë, shqiptarëve e gjuhës sonë të bukur shqipe, me lirikat e tij të çmuara tek “Mrizi i Zanave”.

Por momenti më historik, që e bën Lezhën tempullin e historisë kombëtare është se ajo ka: “Parlamentin e Parë të Shqiptarëve me Katedralen e Shën Nikollës, ku u mblodhën fisnikët shqiptarë, më 2 mars, 1444, të cilët bënë Kuvendin e Madh të Princërve dhe aty themeluan: “Besëlidhjen shqiptare të Lezhës dhe Kryetar të Lidhjes ata shpallën liderine tyre, Skënderbeun”.

Pak për autorin

Në foto: Mark Uci

Mark Uci (Ucaj) ka lindur në Gajush të Lezhës më 15/7/1949. Ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës në degën e Histori-Gjeografisë. Nga viti 1970-1999 ka punuar në rrethin e Lezhës drejtues shkolle në, Zejmen, Tale e ShënKoll.

Në vitin 199 transferohet në Tiranë. Nga viti 1999-2002 punon zv/drejtor në shkollën e Kamzës e të Zall-Herrit të rrethit të Tiranës. Ndërsa nga viti 2003 deri në vitin 2011 ka punuar drejtor shkolle te shkolla “Ali Demi” dhe “Ahmet Gashi” të qytetit të Tiranës, duke dalë në pension në vitin 2014 në shkollën “At Zef Pllumi”.

Gjatë kohës së punës ai është marrë me studime pedagogjike e historike dhe ka bërë këto botime:

  1. ”Historia e shkollës së Tabakëve”, Tiranë.
  2. “Cokajt – Udhëheqës të denjë të luftës së malësorëve të Nënshkodrës”
  3. “Ali Demi, bir i Çamërisë trime”.
  4. “Llesh Nik Daka dhe lufta patriotike e malësorëve”.
  5. “Historia e Lezhës”, Vëllimi i parë.

“Lezha, tempulli i historisë kombëtare” me autor studiuesin Mark Uci, vjen i redaktuar nga Majlinda Zorba, ndërsa me fotografitë dhe dokumentet punoi Nikolin Ucaj. Për këtë botim, autori u është mirënjohës sponsorave: Vëllezërit Palin ë Nju Jork-SHBA, Pjetër Pali dhe Vladimir Pali; Gjon Shabit dhe Elona Shabit, Nju Jork-SHBA.

Historiani dhe studiuesi Ucaj këtë libër ua kushton 3 vajzave të tij, Brikenës, Bertonës dhe Artemidës.