Botimet e reja të Panairit, disa “sekrete” nga librat

Një libër i mirë bën që lexuesi të gjejë më të mirën brenda vetes, duke e kthyer në fuqi për të përmirësuar jetën. Festa e librit ka nisur zyrtarisht dje në Pallatin e Kongreseve, një aktivitet që do të zgjasë deri më datë 19 nëntor.

Janë rreth 97 shtëpi botuese që prezantojnë për lexuesin titujt e rinj, ndërsa vihet re dukshëm dominimi i autorëve të huaj. Në një periudhë kur studimet, karriera apo nisma të reja në biznes mund të shkaktojnë gjendje ankthi e stresi, duke hasur vështirësi në menaxhimin e tyre në ndihmë vijnë librat, që ju bëjnë të dilni nga kaosi.

Për të gjetur brenda vetes atë, që ju nevojitet për të qenë i suksesshëm panairi sjell tituj të rinj, por jo vetëm. “Si të bëhesh i pasur” & “Këshilla më e mirë mbi pasuritë e patundshme, që kam marrë ndonjëherë” nga Donald Trump; “Flisni me adoleshentët” nga Jean Sunde Peterson; “Zemërimi tek adoleshentët” nga Laura Longhine; “Mos i gjyko punonjësit” nga Steve Chandler & Duane Black, etj., janë vetëm disa nga titujt.

“Unë jam Malala”, vajza që u ngrit për arsimin dhe u qëllua nga talibanët, “Gjueti Fronesh”, ku nuk do të gjeni kompromise, nuk do të kursehet as i miri e as i ligu kur vjen çasti i tij. Në fund të fundit, jeta është cinike dhe ndonjëherë është pikërisht zgjuarsia për t’ju bërë ballë rrethanave të paparashikuara ajo që na bën të shkojmë përpara në botën tonë, kurse në botën kalorësiake na drejton George Martini, “Vajza në Tren” një nga bestseller nr.1 sipas New York Times-it dhe Britanisë së Madhe, vjen me një rrëfim me të panjohura dhe tradhti, duke mbajtur pezull lexuesin deri në fund, “Kur qau Niçja”, Irvin Yalom ngjall fakte dhe trillime, atmosferë dhe ankth, duke shpalosur një histori për forcën e miqësisë, Shtyllat e Tokës” rrëfen historinë e Filipit, kryemurg i Kingsbrixhit, i cili merr përsipër të ndërtojë katedralen gotike më të madhe që ka njohur bota.

“Gushëkuqi” nga Jo Nesbo, “Rregulli i ekuilibrit” nga Gianrico Carofiglio, “Shtatë leksione të shkurtra fizike” nga Carlo Rovelli, “Origjinat shoqërore të diktaturës dhe demokracisë” nga Barrington Moore, “Vdekje si boja” e Cornelia Funke, përbëjnë kolazhin e botimeve të disa zhanreve, por nuk kanë munguar as botimet e autorit italian, Pier Paolo Pasolini, “Djem jete” dhe “Një jetë e dhunshme” dhe një prej shkrimtarëve që ka ngjallur më shumë diskutime vitet e fundit, Salman Rushdie, nga këtë herë sillet në shqip “Klouni Shalimar”.

Letërsia shqipe sjell emra të njohur të letrave shqipe si; Preç Zogaj, Blendi Fevziu, Alfred Peza, Ben Blushi, Mimoza Ahmeti, Rudolf Marku, Shkëlqim Cela, Musa Ramadani, Vera Bekteshi, Maks Velo, Artan Mullai, etj. janë pjesë e këtij panairi. Interes të lartë në edicionin e 20-të panairit, kanë paraqitur jo vetëm të rinjtë, studentët apo gjimnazistët e shkollave të mesme, por edhe nxënësit e shkollave 9-vjeçare. /Almarina Gegvataj/