Monika Kryemadhi: Rama po i përdor paratë për t’u bërë qoka miqve

0

Nuk ndalon LSI. Kritikon ashpër kryeministrin për qeverisjen e korruptuar dhe të kanabizuar të vendit. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ishte e pranishme në një takim me ekspertë ku u diskutua për buxhetin e bujqësisë.

Kryemadhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se i ka përdorur paratë për t’i bërë qoka miqve të tij dhe jo për bujqësinë.
“LSI ka kërkuar përherë buxhet më të madh për bujqëinë. Kryeministri ka bërë qoka për miqtë e tij. Buxheti i bujqësisë është më i vogël se vetëm një nga konçesionet e tij. Kjo është qesharake. LSI ka nxjerrë disa tema kryesore që e shqetësojnë fermerin shqiptar. Ku është dora e shtetit për të zgjidhur problemet e tokës?,” tha Kryemadhi.

Në takim foli edhe ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i cili u shpreh se buxheti i caktuar nga qeveria Rama për bujqësinë është pamjaftueshëm dhe se ka lënë në harresë fshatin.

“Pamë vetëm rilindje pedonalesh, ndriçime, fasadash, nuk pati rilindje të fshatit. Gjysma e popullsisë së vendit është në fshat. Rritja e buxhetit është totalisht e pamjaftueshme për të plotësuar nevojat e fermerit. Programi ynë është një program me këmbë në tokë, nuk është program electoral si i PS-së,” tha Panariti.

Monika Kryemadhi ka qenë shumë e ashpër ndaj kryeministrit Rama. Ajo e ka akuzuar atë si kreun e bandave të drogës dhe si njeriu që bashkë me Saimir Tahirin kanabizoi Shqipërinë.