Kokëdhima, thirrje për mosbindje civile ndaj Qeverisë

0

Kryetari i Partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, u bëri thirrje qytetarëve përmes një statusi në “Facebook” që të refuzojnë çmimin e ri të ujit të propozuar nga Enti Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë, ku çmimi do të rritet me 44% për familjarët dhe shumë më tepër për klientët publikë dhe privatë.

STATUSI I PLOTË NË FACEBOOK

“Qytetarë, refuzoni çmimin e ujit!

Enti Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë miratoi tarifat e reja për Bashkinë Tiranë, sipas të cilave prej 1 janarit 2018 çmimi i ujit për konsumatorët familjarë do të rritet me 44 % dhe shumë më tepër për klientët publikë dhe privatë. Vendimi është publikuar gati një javë më parë në faqen e Entit Rregullator të Sektorit për Furnizim me Ujë, por mediat e publikuan sot.

Ky vendim është vulosja e një gjobe tjetër të rëndë dhe abuzive mbi familjet dhe bizneset në kryeqytet. Nuk ka asnjë bazë për të mbështetur rritjen drastike të çmimit të ujit në Tiranë. Ujësjellësi i Tiranës është ndërmarrja që vetëm zhvat konsumatorët dhe shpërdoron ujin e pijshëm për interesa korruptive të drejtuesve të lidhur me bashkinë e Tiranës. UKT faturon me pak se 20 për qind të ujit, pjesa tjetër vidhet dhe humbet! Kjo ndërmarrje që duhet të ishte simbol i menaxhimit në interes të qytetarëve të kryeqytetit, është kthyer në një minierë ari për të korruptuarit dhe shkatërruesit e pronës publike. Miliona lekë që zhduken nga buxheti i ndërmarrjes, një sistem shpërndarjeje katastrofik dhe i pakontrolluar në dëm të shëndetit të konsumatorëve, vendime abuzive me ndërrimin e pajustifikuar të matësave që u faturohen konsumatorëve, furnizime me orar dhe pa cilësi i kanë dhënë Ujësjellësit të Tiranës, njollën e turpit si një biznes i kapur dhe i rrënuar nga gjobëvënësit.

Ky është “suksesi” i radhës i bashkisë së Tiranës që po zhvat sa mundet qytetarët e pambrojtur. Është përfundim i atij votimi të turpshëm dhe pa kuorum në mbledhjen e 26 korrikut 2017, kur këshilli Bashkiak, edhe pse nuk kishte votat e mjaftueshme, votoi për rritjen e çmimit të ujit.

ZGJIDHJA fton qytetarët e Tiranës që të mos pajtohen me këto vendime dhe veprime arbitrare të pushtetit qendror dhe vendor. Ajo u bën thirrje që të refuzojnë në bllok gjobat e qeverisë dhe bashkisë, të cilat nuk dinë të zhvillojnë asnjë ekonomi fitimprurëse, por gjithë rritjen ekonomike e mendojnë si rritje të taksave dhe pagesave që duhet të bëhet nga shumica e heshtur, ndërsa biznesmenët e qeverisë dhe të bashkisë duhen liruar nga të gjitha detyrimet. Rama e Veliaj kanë ndërmend që pasi të rrisin çmimet, tu a japin në konçension miqve dhe të afërme të tyre UKT-në! ZGJIDHJA është e vetmja forcë politike që do i zhbëjë në të ardhmen e afërt këto politika dhe këto konçensione. #ZgjidhjaPërQytetarët”.