Edi Rama: Do shkarkojmë kryebashkiakun e Mallakastrës

0

Këshilli i Ministrave pritet të miratojë shkarkimin e kreut të Bashkisë së Mallakastrës, demokratit Agron Kapllanaj. Kreu i Bashkisë së Mallakastrës, sipas PS, është dënuar më parë për disa vepra penale disa vite më parë.

PS kërkoi shkarkimin e tij në KQZ, në bazë të ligjit të dekriminalizmit, por në KQZ nuk u miratua një vendim i tillë. Prej disa ditësh, deputetët e PS kanë deklaruar se PD po mbron një të dënuar ndërsa kanë kërkuar dhe shkarkimin e kreut të KQZ për moszbatimin e ligjit të dekriminalizimit.

Ndërkohë sot Qeveria ka vendosur të bëj një tjetër hap duke synuar shkarkim me vendim qeverie. Edhe pse është e paqartë baza ligjore sesi do të veprojë Kryeministri, sot Rama ka hedhur “dorezën e luftës” ndaj PD-së duke provokuar me largimin e një të zgjedhuri nga demokratët.

Deklarata Ramës u bë sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, ku Kryeministri mbështeti dhe kërkesën për shkarkimin e kryetarit të KQZ, Klement Zguri. Sipas PS, kreu i KQZ ka shkelur ligjin me rastin e kryebashkiakut të Mallakastrës, Kapllanaj.

“Kryetari i KQZ me paramendim ose në ndikimin e PD vendosi që të fshehë vendimin e prokurorisë për Agron Kapllanajn. Zguri ka kryer shkelje të rënda të ligjit duke shtyrë jetën politike të zgjedhurit të PD. Shembull konkret i pa tolerueshëm. Kapllanaj është i dënuar me dy vite burg për vjedhje në Itali. Është konfirmuar që ky dënim e bën të papajtueshëm dhe të pavlefshëm mandatin. Duhet që kryetari i KQZ të bënte shqyrtimin në KQZ, Zguri nuk e shqyrtoi. Megjithatë grupi i PS ka ndjekur të gjithë procedurën dhe ka monitoruar rastin dhe sot jemi në situatën që grupi i PS duke konstatuar që një zyrtar i lartë shkel ligjin duhet të marrim një vendim për të kërkuar shkarkimin e kryetarit të KQZ. Kryetari është për shkak të besimit që kemi investuar te ky njeri, lidhur me marrëveshjen e 18 majit për zgjedhjet e 25 qershorit. Ne duhet të fillojmë procedurat për shkarkimin e Zgurit”,- tha Edi Rama.

Më dy qëndrimet e sotme, shkarkimin e kreut të KQZ dhe atij të Bashkisë së Mallakastër, Edi Rama i ka dhënë fund marrëveshjes me Bashën. Duket se jo rastësisht në fjalën e tij para deputetëve të PS, Rama ka theksuar se Zguri u zgjodh në këtë detyrë për shkak të besimit që ofronte për marrëveshjen mes Lulzim Bashës më 18 maj.

VIDEO/DEKLARATA E EDI RAMES NE MBLEDHJEN E GRUPIT TE PS