Video e nënës 80 vjeçare nga Burreli me Ramën

0

Kryeministri Rama nuk i ka shumë qejf kur e kritikojnë apo i ankohen në takimet me popullin.  Por kjo grua në moshë 80 vjeçare është bërë hit në rrjetet sociale për shkak të përballjes që bëri dje me kryeministrin Edi Rama, të cilit i kërkoi llogari përse Burreli, edhe pse një qytet me resurse të mëdha natyrore, është më i varfri në Shqipëri. Ndonëse kryeministri fërkonte kokën dhe ndërhynte, por nëna ishte e vendosur për të folur, bile i tha kryeministri: “Boll, më dëgjo ti mua!”.

Në dëgjesën publike që Rama bëri dje në Burrel, kjo zonjë rreth të 80-ave, rrëmbeu mikrofonin dhe i tha Ramës shqetësimet me të cilat haset përditë.

“Ne në qytetin e Burrelit, gjithë këtë pasuri që kemi ne, minierat, kromin, gjithçka dhe qyteti i Burrelit është më i varfri i gjithë veriut. Kromi jonë shkon në Tiranë, shkon në Turqi, shkon në Kinë, gjithandej dhe rrugët tona janë shtremba-shtremba. Unë flas si nënë e vjetër dhe pensioniste. Kam punuar 38 vjet ndaj më vjen shumë keq për qytetin e Burrelit, sepse ka qenë qyteti më i mirë në të gjithë zonën e veriut. Qytet lulesh, qytet mollësh”, tha ajo.

E duke folur për reformën e ujit, zonja e moshuar deklaroi se “Marksi dhe Engelsi” (siç quheshin hidrocentralet në kohën e komunizimit) i kanë marrë dynymë të tëra toke për të ndërtuar hidrocentralin në Ulëz, por që deri më sot askush nuk e kishte kompensuar. Zonja e moshuar shton se nga viti 2014 nuk kishte pasur mundësi të paguante energjinë elektrike dhe për këtë ishte kërcënuar, si shumë shqiptarë të tjerë, se do ta fusnin në burg.

“Në ujin e kemi vet. Hidrocentrali i Burrelit mua më ka zënë 300 dynym tokë në Ulëz, ndërsa unë kam në 2014 drita pa paguar dhe ti thua do të fus në burg. Për atë pronën atje, mua s’më ka dhënë askush asnjë qindarkë. S’jam e zonja ta paguaj kurrë 2014-ën”, tha ajo. Këtu u nervozua kryeministri, sa mezi e mbante vendi.

Zoja vazhdoi (në video është nga fillimi) dhe ia numëroi kryeministrit. Por reagimi i Ramës, duke parë efektin e saj në sallë, ku të gjithë folën me zërin e nënës 80 vjeçare,  ishte dinak pasi u mundua ta kalojë me humor. Fjala e 80 vjeçares ishte gjendja e vertetë e qytetarëve, dhe jo siç mundohet qeveria ta zbukurojë në Tiranë.

Ishte hera e parë në këto katër vite e kusur, që një qytetar e mbërthen për muri kyeministrin e ku ai detyrohet të kërkojë falje, gjithnjë në mënyrën e tij. Fjalët e 80 vjeçares janë një thirrje e madhe për qeverinë për të kuptuar se mezi jetojnë, njerëzit. Duke parë se nervozizmi i kryeministrit po rritej nëna e bëri një “manovër” në fund në mënyrë që të mos e nxirrnin nga salla.

Gjithsesi video e nënës 80 vjeçare po bën namin në rrjetet sociale.