Floida Kërpaçi: Të rinjtë do e ndëshkojnë qeverinë e drogës dhe të oligarkëve

0

Deputetja e LSI dhe kryetarja e LRI, “Ikja e Ramës dhe ndëshkimi i krimit, aksione të domosdoshme për një ekonomi më të mirë për familjet Shqiptare”

Deputetja e LSI dhe kryetar- ja  e LRI,  Floida Kërpaçi thotë se largimi i qeverisë “Rama” dhe ndëshkimi i krimit janë ngjarje të domosdoshme për t’i dhënë vendit mundësinë që  të  zhvillohet. Në  një  intervistë për “Koha Jonë”, deputetja e LSI-së  flet për aksionet e kësaj force politike dhe angazhimin e gjithë të  rinjtë që  duan të  jenë aktiv në shoqëri, me idetë e tyre, me  angazhimin e tyre, për të shprehur opinione e për të ndër- marrë nisma që  ata mendojnë se shërbejnë për të përmirësuar realitetin dhe të  ardhmen eu- ropiane të  Shqipërisë.

Znj. Kërpaçi, jeni ndër deputetët më të reja të Kuvendit, por angazhimi juaj në politikë ka nisur vite me parë. Sot që jeni në institucionin ku merren vendimet më të rëndësishme, si e shihni politikën? A mjafton aktivizimi në Parlament për të ndryshuar gjërat?

Shqipëria sot është në kaos dhe shqiptarët nuk jetojnë mirë, me punë, me paga të larta, me shendetesi , vjen si shkak ngaqë shumë politikanë shqiptar shqetësohen për gjërat e gabuara. Problemi më i madh që unë shoh te sfera politike është të kuptuarit se kush është prioriteti numër 1. Njerëzit duhet të jenë të parët, prioriteti për këdo politikan që i kërkon njerëzve votën, pra besimin për të implementuar programin e tij politik. Nuk duhet të lejojnë që politika të ndryshojë prioritetet ne mes te rruges, dmth kur eshte fushata prioritet jane njerezit dhe kur hipin ne pushtet prioritet kane veten, miqte, familjen e njerezit. Nëse ndalohet kjo sjellje e papergjegjshme, Shqipëria ka një potencial shumë të madh për të ecur përpara.

Fatkeqësisht parlamenti, politika në përgjithesi në ditët e sotme e ka humbur besueshmërinë ne sytë e popullit që e zgjodhi atë. Jo te gjithe janë të papergjegjshëm e nuk meritojnë respekt, por për sa kohë në krye është një qeveri e cila kryefjalë ka krimin dhe një kryeministër i cili qëllim ka pasurimin çdo ditë e më shumë në kurriz të njerezve të thjeshtë dhe me mënyra të paligjshme dhe të rrezikshme kjo situatë do jetë.

Politikën, që në hapat e parë e deri më sot unë vazhdoj ta shoh si mjetin e vetëm të ndryshimit. Por politika nuk duhet të jetë pronë e një personi, apo një partie politike.

Politika është e njerëzve dhe ndaj ne si LSI, ne modelin e ri politik qe duam te sjellim, per vendin,kujdesin e politikes ndaj njerezve e çmojmë vendimtar e te lidhur me cdo gje.

Per sa i perket situates aktuale, ne po punojmë fort për të zgjuar ndërgjegjen kombëtare për situatën e vendit, që qytetarët të kuptojnë se nëse nuk flasin, nuk aktivizohen e nuk ja drejtojnë ata timonin politikës, me këtë kryeministër e ardhmja e shqipërisë nuk do të jetë në rrugë të sigurtë.

Për të sjellë ndryshimin nuk mjafton aktivizimi por kërkohet mobilizimi i të gjithëve ne, qytetarëve të thjeshtë për ti thene STOP këtij realiteti të patolerueshëm pasojë e veprimeve të papërgjegjshme të një grupi te papërgjegjshëm politikanësh. Pasi këta jane jo veten te papergjegjshem por edhe te lidhur me krimin, nje kombinim qe historia kudo ne bote ka treguar qe eshte shkaterruese per njerezit e thjeshte qe do vuajne pasojat.

Përditë ka skandale dhe akuza të forta ndaj qeverisë dhe sistemit politik në vend, por nuk ka protesta nga qytetarët. Zakonisht janë të rinjtë ata që kërkojnë ndryshimin e gjërave. Përse ka kaq apati mes të rinjve kur flitet për çështje kaq të rëndësishme?

Në fakt të rinjtë janë ata të cilët e vuajnë më shumë situatën e rënduar politike në vend. Sepse si rrjedhojë e lidhjes se qeverise me krimin dhe  drogen, shteti nuk ofron shërbime, punesim dhe mundësi për rinine por per oligarket e trafikantet. E vetmja zgjidhje e kesaj keqqeverisjeje per te rinjte eshte qe ti ofrojë drogë dhe varfëri. Për të tjerat duhet te mendojmë vet. Dhe sigurisht në një situatë të tillë që duket totalisht e pashpresë në sytë e një të riu ai do mendojë vetëm për të ikur sa më parë nga vendi.

Unë ju siguroj se të rinjtë nuk janë apatik. Ata janë shumë të vëmendshëm dhe janë shumë të interesuar për çfarë ndodh me jetët e tyre sepse e dinë mirë që pasojat që do të vuajnë do jenë të mëdha. Ju siguroj se ndjenja e revoltës është, shfaqet përditë në klasat e shkollave, në auditore, në shoqëri sepse problemet dhe ekonomia jane shkaterruese!

Ju siguroj se rinia ka forcë dhe është e vëmendshme. Duhet të kuptoni se rinia e sotme mendon dhe reagon ndryshe. Thjesht duhet të vijë momenti i cili ndjej se nuk është i largët.

Opozita ka mbajtur qëndrime të forta publike për skandalet e fundit, por ende nuk ka reagime masive. Çfarë po pret opozita për nisjen e protestave?

Protestat nuk do të jenë partiake, do të jenë popullore. Lëvizja Socialiste për Integrim nuk mbështet anjë protestë të sforcuar për motive politike. Këtu nuk bëhet fjalë për të ardhmen e opozitës apo të një partie, bëhet fjalë për Shqipërinë dhe shqiptarët të cilët janë marrë peng nga një narko qeveri e cila nuk ka prioritet si të përmirësojë jetët e tyre por si të shpërblejë oligarkët e miqtë e saj. Ndaj ne jemi në takime të vazhdueshme me popullin, me strukturat tona në të gjithë vendin, për ti informuar, për ti sensibilizuar, e aksioni opozitar do të jetë i gjithanshëm për të frenuar këtë shkatërrim që po i bëhet projektit të zhvillimit Europian të Shqipërisë. Protestat janë vetëm një mënyrë dhe kurdo që ato do të vijnë, do të jenë popullore e pa kthim pas.

Në mbledhjen e Fundit të Konventës Kombëtare të LSI u miratua një rezolutë e ashpër kundër qeverisë. Një prej pikave të saj ishte; jo bashkëpunim me Rilindje, por me socialistët e thjeshtë. Çfarë nënkupton konkretisht ky qëndrim?

Socialistët dhe Partia Socialiste ndryshon nga Rilindja dhe Edi Rama.

Rilindja është e lidhur me krimin, me oligarkët, janë njerëz që janë shumë të mirë për korrupsion, konçesione për miqtë dhe për fasada mediatike, ndërsa socialistët e thjeshtë janë ata që janë sot pa punë, janë më të varfër, jetojnë më keq. Rilindja është Edi Rama e qeveria e tij që është e lidhur me drogën dhe me kriminelët, ndërsa socialistët e thjeshtë duan reformën në drejtësi, duan një shtet të së drejtës dhe një shqipëri normale ku mbizotëron ëndrra europiane.

Ne zgjodhëm të ishim në opozitë sepse nuk mund të bënim kurrë pakt për të qeverisur me rilindjen dhe krimin që ajo përfaqëson. Me socialistët e thjeshtë po, por jo me rilindjen e krimit të organizuar, drogës dhe konçesioneve që po çojnë paratë e shqiptarëve te oligarkët dhe jo te familjet e thjeshta shqiptare.

Si kryetare e LRI-së, cilat janë angazhimet e fundit të forumit rinor në mbështet të platformës opozitare të LSI?

Lëvizja Rinore për Integrim është një forum ku mblidhen të gjithë të rinjtë që duan të jenë aktiv në shoqëri, me idetë e tyre, me angazhimin e tyre, për të shprehur opinione e për të ndërrmarë nisma që ata mendojnë se shërbejnë për të përmirësuar realitetin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Që prej themelimit të forumit në vitin 2004, kjo punë kurrë nuk ka rreshtur dhe nuk ndryshon në varësi të angazhimeve të partisë. Ne kemi agendën tonë, vendosim e ndjekim prioritetet tona. Ne jemi duke punuar në disa nisma për të rinjtë, të cilat do të adresohen se shpejti si nje alternative reaguese per te permiresuar jeten e tyre,e ndërkohë vazhdojnë takimet me strukturat në të gjithë vëndin, për ti falenderuar për kontributin e tyre në zgjedhjet e kaluara si dhe për të dëgjuar më tepër nga ata se si duan ta shohin LSI në këto vite në pushtet.

Platforma opozitare e partisë është miratuar nga konventa kombëtare, ku 50% e anëtarëve vijnë nga radhët e Lëvizjes Rinore për integrim, kështu që edhe ne jemi të angazhuar për të çuar përpara objektivat e vendosura.

Ditët e fundit keni denoncuar çështjen e problemit të kanabisit në shkolla. Në djeninë tuaj, cili ka qenë reagimi nga institucionet?

Jo ditët e fundit, çështjen serioze të përdorimit të kanabisit në shkolla unë e kam ngritur edhe në fjalën time të parë në parlament. Madje kam vazhduar ta përsëris edhe në fjalët e tjera që kam mbajtur. Fatkeqësisht nuk kam marrë asnjë përgjigje, as nga KM, as nga ministrja e arsimit, as nga ministrja e shëndetësisë e cila mendoj se duhet të jetë e fokusuar në edukimin e brezit të ri për të qëndruar larg drogave, apo qoftë dhe nga ministri i brendshëm i cili duhet të ketë të dhëna të qarta për këtë fenomen pasi droga nuk rritet në shkolla, është dikush që e çon aty, dikush që e trafikon atë.

Përgjigja ka qënë zero, sic unë edhe e kam quajtur këtë kryeministër e këtë qeveri, qeveria zero, me zero interes për rininë. Kam marrë zero përgjigje edhe për cështje të tjera që shqetësojnë të rinjtë të cilat unë i kam ngritur në parlament, por që qeveria as nuk i konsideron fare.

Unë kam një mesazh për të gjithë të rinjtë, e sidomos për prindërit, që të tregohen të kujdesshëm. Brezi i ri është gjithmonë e më shumë i rrezikuar nga jo vetëm kanabisi por edhe drogat e forta, nëpër shkolla por edhe në shoqëri, në lokalet e natës, dhe duhet një angazhim i të gjithëve për ti edukuar të rinjtë që mërzinë, depresionin apo edhe qefin të mos e gjejnë te këto substanca që kanë pasoja të dëmshme e të pakthyeshme për jetët e tyre.