Një “Pendë e Kristaltë” si Erenestina, poetja e magjishme gegë nderohet me çmim

 

Shkrimtarja Erenestina Gjergji Halili është vlerësuar dhe nderuar nga Instituti për Mbrojtjen e Kulturës Shqiptare. Për ruajtjen e kulturës gege dhe toske dhe për magjinë e shkrimeve të saj, Erenestina është nderuar me “Pendën e Kristaltë” për vëllimin, “Bibulz – Për ma t`parën lule t`kopshtit tem”.

“Drita sot paska çilë ndrysh! Më nderon ky çmim e vëmendja juej! Ju falem nderës”, ka shkruar Halili në rrjetet sociale për nderimin që i është bërë.

Çmimi për shkrimtaren vjen nga Vjena, nënshkruar nga letrarët dhe studiuesit, Gjergj Jozef Kola dhe Hans-Joachim Lanksch. “Bibulz”, është libri i një viti heshtje mediatike, por pune krijuese. Gjithë vëllimi i saj poetik është një intertekst, në kuptimin që i jep Bart, ajo e mbështet idenë e saj poetike, kumtin e fjalës dhe ligjërimin poetik, në paratekstin biblik.

“Instituti për mbrojtjen e kulturës shqiptare nderon znj. Erenestina Gjergji Halili me “Pendën e Kristaltë për POEZINË SHQIPE 2017”. Erenestina asht padyshim GRANDE DAME e poezisë shqipe. Poezia e saj ka nji melodi dhe stil krejt të veçantë. Ajo asht nji nga të paktat poetesha shqiptare të pakontaminueme me realsoc, si në stil, ashtu edhe në gjuhë. Erenestina Gjergji Halili asht nji fatlumni e madhe për çdo letërsi e për çdo komb. JURIA. Me Hans-Joachim Lanksch”, shkruan Gjergj Jozef Kola në vlerësimin e tij, shpërndarë në rrjetin social, Facebook..

Stuktura e librit të autores është trinia, ajo e madhja dhe ajo e Erës e kontekstualizuar. Është Ati, Biri, Shpirti, të tretë Erës, po Era është Nânë, kështu i nis edhe libri, si nânë që takon Atin (poezia e parë e Ciklit të parë), si nânë që shkon te Biri e bashkëbëjnë Shpirtin.

No automatic alt text available.