Erisa Xhixho: Ja si do të sillesha me “kundërshtarët” politikë në “C’est la vie”

0

 

Pamela ALIAJ

Gjithnjë e kemi parë si pjesë të politikës duke qenë shpesh zëri i femrave të LRI dhe LSI pranë Monika Kryemadhit. Por kësaj radhe, ajo vjen në një paraqitje krejt të re për të gjithë ne. Politikania Erisa Xhixho këtë vit, përveç gjithë impenjimeve të shumta si pjesë e LSI apo edhe impenjimeve në punë e familje, është pjesë e show-t të njohur “C`est la Vie`”. E entuziazmuar, ajo flet në një intervistë për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare” për impresionet e natës së parë, prapaskenat me kolegët dhe simpatitë me të veçanta që ajo ka. Më tej Erisa na rrëfen impenjimet e saj të shumta mes punës dhe familjes, ku një ndër detajet që spikat është se si ajo ka lënë në mes fushatën elektorale për të qenë pjesë e ditëlindjes së vogëlushit Henri. “Nuk dua të humb asnjë moment të Henrit. Edhe në kulmin e fushatës që Henri kishte 1 vjetorin, unë i thash “Stop” për t’i dhënë atij vëmendjen që meritonte duke i organizuar një ditëlindje, siç e ëndërronim.”,-ka thënë ajo.
Ju kemi parë vetëm në fushën e politikës, tanimë jeni edhe pjesë një show si “C’est la vie”. Si e keni përjetuar natën e parë? Ishte një ftesë pjesëmarrja apo një dëshirë e juaja?
Më propozuan organizatorët. E prita me qejf faktikisht, sepse mbaja mend kur ka qenë Monika para dhjetë vitesh në të njëjtin spektakël në edicionin e parë, në “C’est la vie”. Ka qenë edhe dëshirë e imja, sepse kur kam qenë e vogël kam qenë pjesë e korit të shkollës, pjesë e “Shtëpisë se pionierëve”. Adi Hila më thotë që kam vesh muzike (qesh), deri diku edhe zë dhe ka qenë ai që më inkurajoi dhe një mundësi që nuk të vjen shpesh. Adi Hila ishte ai që më propozoi për të qenë pjesë e show-t.
Partneri juaj në skenë ishte Erik Lloshi, si i keni marrëdhëniet me këngëtarin? E zgjodhët ju apo produksioni?
Ka qenë një përshtatje në zë edhe në karaktere me vokalet. Vendosëm bashkërisht që të ishte Eriku dhe besoj se jemi një çift në skenë shumë simpatik. Eriku është një këngëtar shumë profesionist me zë të veçantë dhe jam e kënaqur që bashkëpunoj me të.
Çfarë surprizash fsheh nata e dytë? Do të vazhdoni me të njëjtin partner?
Nata e dytë ka një surprizë shumë të bukur. Është një këngë romantike, në fakt, e preferuara ime, që e kam shumë për zemër, “Cosi celeste” të Zuchero. Është një nga këngët që është luajtur në dasmën time dhe ka një domethënie shumë të madhe për mua ./ Do të vazhdoj me Erikun deri në fund të “C’est la vie”, sepse partnerët janë të fiksuar për të gjithë deri në fund.

 
Përveç politikës për herë të parë po ju shohim teksa këndoni. A është ky një pasion i fshehur i juaji?
Përveç politikës, pasion tjetër imi janë udhëtimet, padyshim librat dhe studimet. Kjo ishte një nga arsyet pse iu ktheva si pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë, sepse të jep një mundësi të tillë të mos shkëputesh nga studimet.
Me kë ke marrëdhënie shumë të mirë në “C’est la Vie”, përveç Erik Lloshit?
Më vjen shumë mirë që është zgjedhur si prezantuese Marina Vjollca. Ka kaluar çdo pritshmëri dhe është shumë e dashur me ne, një vajzë vërtetë e veçantë, na lehtëson gjithë komunikimin. Nuk është diçka e lehtë, sepse është çdo gjë live, banda live, edhe këngëtarë profesionistë bëjnë gabime live, jo ne qe jemi dashamirës të muzikës.
Kishe shoqëri më parë me ndonjë prej konkurrentëve?
I njihja disa prej tyre, Ervin Bejlerin, Orin, Era Rusin, por jo dikë në veçanti dhe kjo është e bukura e këtij show që do krijojmë miqësi të reja. Në fakt, pyeta para se të merrja pjesë se kush do të ishte pjesë e produksionit. Më erdhi mirë që çdonjëri prej tyre është profesionist në fushën e vet, qoftë në gazetari, aktrim, biznes, etj. p.sh.: Eva Alikaj që unë e adhuroj dhe kam një simpati të veçantë për të. Të gjithë personazhet atje janë shumë të veçantë dhe japin një mesazh shumë të mirë për të gjithë publikun.
D.m.th. nga fusha e politikës është vetëm Erisa. Po të ishte një tjetër pjesëmarrës në show-n por “kundërshtar” politik që ke pasur “fërkime”, do të merrje pjesë, si do të reagoje?
Asgjë (qesh). Do ta mirëprisja, pasi në politikë ka kundërshtar në mendime, ide, por jo armiq .Besoj se kënga i sheshon të gjitha, sepse aty jemi më shumë për qejf. Është një programacion që përcjell energji pozitive te publiku, t’i kënaqi si ditë e diele. Ne kërcejmë aty dhe do të donim që edhe njerëzit nga shtëpia të kërcenin dhe ta shijonin, larg këtyre konflikteve dhe zhurmave të politikës. Kemi shumë nevojë për një pozitivitet të tillë dhe jam shumë e lumtur që jam pjesë e një spektakli të tillë.
Ju keni zgjedhur rrugën e politikës që në adoleshencë. Nëse s’do të ishte politika, çfarë të ardhme do të zgjidhnit?
Nëse nuk do të vazhdoja rrugën e politikës do të ishte padyshim jurisprudenca zgjedhja ime. Kam investuar ne profesionin tim në Fakultetin e Drejtësisë, studimet master, doktorale edhe pse kam qenë e angazhuar politikisht padyshim që gjen kohë për çdo gjë. Pasi unë besoj se nëse je e aftë në një profesion mund të kontribuosh shumë mirë në politikë. Normalisht që nëse s’do të kisha politikën do isha më e fokusuar në jurisprudencë. Do të kisha studion legale timen, më e fokusuar në profesionin tim.
Do të ishe këtu apo në Angli?
Këtë nuk di ta them , por ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Më ka dhënë një mënyrë tjetër të të menduari, të logjikuarit, të jetës atje. Kam shumë nostalgji dhe studimet atje kanë qenë investimi me i mirë për mua.
Jeni tashmë prej një viti nënë e një vogëlushi të bukur, Henrit. Si i ndan oraret Erisa mes politikës dhe të kujdesurit ndaj djalit? Pas bashkëshortit tuaj kush është ndihmesa juaj më e madhe për kujdesin ndaj djalit?
Ardhja në jetë e Henrit ka ndryshuar të gjithë jetën e të dyve. Tani jemi familjarë me përgjegjësi, por dhe duke vazhduar pasionet dhe profesionat tona. Kemi angazhimet tona të dy, por kemi arritur t’i organizojmë shumë mirë. Përveç ne të dyve është edhe mami im dhe mami i Eneas që na ndihmon. I kemi afër të dyja dhe na ndihmojnë ato me mbajtjen e djalit. Gjithashtu, kemi edhe një dado që kujdeset për Henrin kur ne nuk jemi në shtëpi. Besoj se vitin tjetër do ta çoj në çerdhe.
A keni në plan një motër ose vëlla për Henrin?
Po padyshim që është dhe shumë shpejt, por mbetet ne dorë të zotit kur do na bekojë me një engjëll tjetër.
Jeni gati për netët pa gjumë?
Po jemi gati, pasi familja për ne është gjeja më e rëndësishme ,është streha ku dashuria është pa kushte.
Keni më tepër kohë tani për familjen?
Sigurisht që kam më shumë kohë. Jam shumë e lumtur për këtë gjë. Nuk dua të humb asnjë moment të Henrit. Edhe në kulmin e fushatës që Henri kishte 1 vjetorin, unë i thashë “Stop” për t’i dhënë atij vëmendjen që meritonte duke i organizuar një ditëlindje siç e ëndërronim. Jam totalisht e përkushtuar ndaj Henrit, është në një fazë shumë të bukur tani se ka filluar të flasë të eci, të dhurojë përqafime, puthje.
Po ideja e emrit nga erdhi?
Ka histori më vete emri. Bëmë një listë të gjatë të gjithë. Duhej një emër që të flitej shqiptohej mirë edhe shqip edhe në gjuhë të huaj, duke qenë se jemi një vend që po shkojmë drejt Europës. Ideja ishte më tepër e Eneas, e mbështetur fuqimisht nga unë. Emri Henri i ka marrë nur dhe djalit.