Zhduket avokati shqiptar, flet bashkëshortja

Kishte për të arritur bashkëshorten në Mecarata, por u zhduk pa lënë asnjë gjurmë. Kështu shkruajnë mediat italiane për humbjen e një avokati shqiptar, i cili më datën 2 nëntor ishte nisur drejt Italisë por që nuk ka zbritur në portin e Barit.

Që nga ajo ditë nuk ka asnjë gjurmë të avokatit të njohur 54-vjeçar, Besnik Muço. Pas disa orë heshtje, bashkëshortja e tij i është drejtuar policisë për të bërë denoncimin. Raimonda ka thënë se ai ishte nisur nga porti i Durrësit me linjën “Adria” dhe do të zbriste në Bari.

Por sipas bashkëshortes, Besnik Muço, në portin italian nuk ka mbërritur. Që nga ajo ditë, është humbur çdo kontakt me 54-vjeçarin. Asnjë telefonatë në shtëpi, telefoni i tij është i fikur.

Javën që kaloi, gruaja Raimonda ka vendosur që të kërkojë ndihmë nga policia. Miqtë, kolegët dhe të njohurit në Shqipëri nuk kanë mundur që t’i japin përgjigje pyetjes se ku mund të ndodhet avokati Muço.

“Tani shpresa e bashkëshortes është e gjitha në punën hetimore të policisë dhe autoriteteve përkatëse, duke u përpjekur për të rindërtuar lëvizjet e fundit të 54-vjeçarit dhe kontaktet e fundit që ai ka patur”, shkruan “Il Messagggero”.