Kërpaçi: Dosja ”Tahiri” diskutohet tek anëtarët e PE

Deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi, në një postim në facebook, ka treguar se çështja”Tahiri” dhe lidhja e qeverisë me krimin, është objekt bisede tek anëtarët e Parlamentit Europian.

Kjo deklaratë e deputetes së LSI-së, është bërë në një takim me Eurodeputetët e së majtës në Parlamentin Europian. Sipas deputetes, ata e kanë cilësuar si të papranueshme lidhjen e qeverisë me krimin, bandat dhe trafikantët.

“Në diskutimin rreth situatës politike në vendet tona, mësova nga partnerët tanë se tema Tahiri e lidhja e qeverisë sonë me trafikantët dhe krimin ishin objekt bisede mes anëtarëve të Parlamentit Europian që ndjekin me vëmendje zhvillimet në Shqipëri. Ata e cilësuan si të papranueshme lidhjen e qeverisë me krimin, bandat dhe trafikantët”,-shkruan Kërpaçi.

Më tej deputetja shton se në tryezë u kërkua shkëputja e qeverisë me krimin, rritje ekonomike dhe një të ardhme më të mirë për rininë.

Shqipëria ka miq shumë të mirë në Europë, por nëse duam të ardhmen Europiane, nëse duam një të ardhme më të mirë për rininë, rritje ekonomike për vendin, standarte më të lartë jetese e shanse më të mëdha për punësim për të gjithë, shkëputja e lidhjes së qeverisë me krimin është e domosdoshme!