Koha për “peshk”!

 Dje janë rreshtuar ekspertët më të mirë të FBI, shërbimeve të Gjermanisë, Italisë dhe vendeve të BE për të nisur aksionin anti-krim në Shqipëri. Misioni është i qartë, të kapen të prekshmit dhe “peshqit e mëdhenj”. Nga dje ka nisur zyrtarisht, “peshkimi” i kokave të mafies dhe njerëzve të politikës me krimin.

Aksioni “Forca e Ligjit” nisi me ‘bekimin” e ambasadorit të SHBA, Donald Lu. Në një fjalim në gjuhën shqipe, diplomati amerikan u kujdes që të jepte mesazhet e duhur për strukturat e drejtësisë, por edhe për politikën. Donald Lu përsëriti disa herë një shprehje që përdoret shpesh në Shqipëri, për kapjen e “peshqve të mëdhenj”. Diplomati nuk foli në parim, por me emra konkret për lidhjen e politikës me krimin. Ai përmendi tre ish-zyrtarë të PS dhe një ish-kandidat të PD që janë larguar nga politika për shkak të problemeve me ligjin, duke theksuar se këta janë prova për bashkëjetesën e politikës me krimin në të gjitha kampet. Por kur përmendi ish-deputetë të PS, sipas Luan Ramës së LSI, ambasadori duhet të përmendte edhe shefin e këtyre deputetëve që është Edi Rama. Ndryshe nga herët e tjera, diplomati dha afate konkrete për rezultatet. Brenda muajve të parë të vitit të ardhshëm është koha e kapjes së “peshqve të mëdhenj”.

Në të njëjtën linjë me Lu, ishte dhe ambasadorja e BE, Romana Vllahutin, e cila tha disa të vërteta të hidhura për veshët e mazhorancës, kur foli për krimin dhe korrupsionin e pandëshkuar dhe shtoi se “shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës”. Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj prezantoi angazhimin e institucionit që drejton në zbatimin e këtij operacionit. Ministri Xhafaj ndodhet para sfidës me të madhe. I duhet jo vetëm të luftojë krimin dhe korrupsionin, por edhe të bëjë vetingun brenda radhëve të Policisë së Shtetit. Krimi i kanabisit nuk është bërë pa bashkëpunimin me policinë, ndaj mbetet dyshuese se sa do të arrijë ministri Xhafaj të ndëshkojë drejtuesit në polici.

Në jo pak raste institucionet dhe drejtësia shqiptare ka dështuar në mënyrë spektakolare të bëjë drejtësi. Jo vetëm nuk janë kapur “peshqit e mëdhenj”, por edhe “cironkat” kanë arritur të dalin nga burgu. Futja e njerëzve me precedentë penal në parlament ishte dështimi më i qartë i luftës kundër krimit, por edhe prova se politika dhe mafia në Shqipëri u bën një.

Më shumë se “peshqit e mëdhenj” mazhorancës i interesojnë disa statistika të këtij operacioni për të bërë shkëputjen e madhe nga imazhi i lidhjes me krimin që ka marrë këto vite. Mazhorancës i duhet një “rilindje anti-krim” për të dalë e pastër nga historia e pesë viteve të fundit. Bashkë me aksionin e institucioneve të drejtësisë, pritet të nis dhe një luftë politike e ashpër që si gjithmonë do të ngatërrojë dhe më shumë gjërat. Edhe brenda PS-së ka klane të cilat po mundohen ta kapin drejtësinë e re për të palosur njeri-tjetrin.

Është ende herët të parashikohet se çfarë do të prodhojë operacioni i madh anti-krim. Por është një aksion që pavarësisht kostove që mund të ketë nuk ka kthim pas. Garancia nuk është te gatishmëria e kryeministrit dhe qeverisë shqiptare, por te qëndrimi i ndërkombëtarëve. Partnerët strategjikë nuk janë mjaftuar vetëm me deklarata të forta, të cilat nuk kanë munguar në Shqipëri, por këtë herë kanë sjellë vetë hetuesit dhe ekspertët. Prania e agjentëve të FBI-së amerikane ishte mesazhi më i qartë i SHBA se këtë herë Shqipëria nuk duhet të bëjë sikur po e lufton krimin. Këtë herë duhen rezultate konkrete dhe afati është brenda muajve të parë të vitit 2018. Ndonëse moderator i njohur shqiptar i emisionit “Zonë e Lirë”, Arian Çani tha mbrëmë në emisionin e Eni Vasilit se kjo që po ndodh “duket si një lojë për të kapur disa dhe për të forcuar disa të tjerë”. Skeptik si përherë, Arian Çani tha se nuk besoj se do ketë reformë në drejtësi, por që kryeministri Rama po kap drejtësinë.

Megjithatë koha për “peshkim” nisi. Ekspertët e FBI janë në Tiranë për “peshq të mëdhenj”, madje kanë ardhur edhe me rrjeta çeliku për “peshkaqenë”.

Të shohim a do të ketë të drejtë Arian Çani apo ambasadori Lu.

Qamil Xhani