Elitat qeverisëse të Shqipërisë

Gjergj Fishta duke analizuar Shqipërinë e viteve 1921-1924, shkruante se  në qeverisje mbiu një elite “biramelash”, “njerëz të pa farë kulture, të pa farë edukate civile e tradicioni familjar të mbarë e të mirë”; administrata shtetërore u mbush me zyrtarë që s’dinin të bënin tjetër veçse “punë të papunë” dhe për këtë shkak “makina e shtetit nisi me u lëvitë… vithambrapa – si gaforrja”. Kështu, vazhdonte Fishta: “populli shqiptar qe raja e ata (njerëzit e shtetit tonë) qenë tiranët e tij” (Trazimet e qershorit, 1924). Dhe kjo elitë qeverisëse duket se po trashëgohet edhe sot e kësaj dite.

Nga Tonin Çobani

Sot, kur të gjithë e thonë me zë të lartë se politikanët shqiptarë të të gjitha kohërave kanë qenë të korruptuar nga maja e gishtit të këmbës deri te qimet e kokës, ka filluar të dëgjohet si kundërpërgjigje një shprehje tautologjike, kuptimi i së cilës është pak a shumë ky: secili popull sundohet prej elitave të politikanëve që ai popull meriton. D.m.th. se populli shqiptar nuk meriton një qeverisje të denjë (të pakorruptuar) ose një qeveri të përbërë nga nëpunës të përgjegjshëm (të pakorruptueshëm), sepse realisht shqiptarët nuk e ndiejnë se ajo qeverisje u mungon ose thjeshtë, sepse nuk e duan, nga që nuk janë mësuar me të. Fjala është për historinë e kohës sonë që nis në fillim të viteve ’90 apo më herët, pas Luftës së dytë Botërore (ose edhe pas Luftës së Parë, kur Shqipëria u njoh si shtet më vete), pra, qyshkur Shqipëria po qeveriset (më saktë: po sundohet) prej bijve të vet.

Gjergj Fishta duke analizuar Shqipërinë e viteve 1921-1924, shkruante se  në qeverisje mbiu një elite “biramelash”, “njerëz të pa farë kulture, të pa farë edukate civile e tradicioni familjar të mbarë e të mirë”; administrata shtetërore u mbush me zyrtarë që s’dinin të bënin tjetër veçse “punë të papunë” dhe për këtë shkak “makina e shtetit nisi me u lëvitë… vithambrapa – si gaforrja”. Kështu, vazhdonte Fishta: “populli shqiptar qe raja e ata (njerëzit e shtetit tonë) qenë tiranët e tij” (Trazimet e qershorit, 1924). Dhe kjo elitë qeverisëse duket se po trashëgohet edhe sot e kësaj dite.

Faik Konica, nga ana e tij, dallon si elitë të shqiptarëve “ekspertët” ose zyrtarët e lartë të shtetit, “guximi dhe paturpësia (e të cilëvë) zunë vendin e diturisë, serviliteti i tyre në të zotërit e ditës zu vendin e shërbimeve (të) kombit”. Konica ironizonte “robotët” që u shërbenin ekspertëve dhe “i pinë gjakun Shqipërisë… i thajnë burimet e jetës”, si dhe stigmatizonte “levantinët” ose “njerëzit e çkombëzuar” (Shqipëria si m’u duk, 1929).

E mbi ta n’ajri, si në qesend,- shkruante aso kohe Migjeni,– \ therin qiellën kryqat e minaret e ngurta… \ E mjerimi mirfilli ndien tradhti” (Vargjet e lira, 1936). Për sot, do të shtoja unë, mjerimi i një vendi mbetët i tradhëtuar mirëfilli edhe prej media-s së vet.

Qysh nga ato kohëra populli shqiptar nuk ka ndryshuar. As politikanët që e kanë sunduar. As korrupsioni i tyre. Çfarë duket të kenë pësuar ndryshime janë vetëm shifrat e përfitimit në kurriz të popullit. Shifrat e korrupsionit kanë pësuar rritje progresive. Kanë ndryshuar edhe demagogjitë ose performanca e tyre. Dikur administratën shtetërore dhe zyrat kryesore i drejtonin Lalë Krosët e Fishtës (“Lala Kros, Lala Kros \ Vetë shkruan e vetë vulos \ Ty këkrush s’të thotë mos…”) dhe memurët e Konicës (nëpunësit anadollakë të administrastës së re shqiptare). Sot bëhet fjalë për rritjen në numër të Lalë Krosëve dhe memurëve, të cilët vijnë me një përformancë më të sofistikuar partneriteti konçesional në të gjitha shërbimet ndaj popullit…

Gjithsesi, shteti i kahershëm shqiptar nuk qe e mundur të mbahej në këmbë si mbretëri konstitucionale kur vendit i mungonte thuajse fare infrastruktura urbane e domosdoshme për një kontratë konstuticionale me popullin. Ashtu sikundër as nuk mund të përceptohet se sa funksional do të mund të ishte një elitë e klasës punëtore në qeverisje, thjesht sepse një vend si Shqipëria përbëhej nga një popullsi me shumicë fshatare, rreth 90 përqind. Aq më pak mund të bëhet fjalë për një elitë qeverisëse të sotme, elitë e cila do të vinte qoftë nga politikanët e shumicës (të majtë ose të djathtë), qoftë të pakicës (të djathtë ose të majtë) kur të dy palët janë krimbur nga korrupsioni, që pohohet prej gojës së tyre, në mos tjetër, gjatë akuzave kriminale, që i bën njëra palë tjetrës, për më tepër se një çerek shekulli…

Në këtë pikë e kuptoj, se, për ta mbyllur esenë time të shkurtër, duhet bërë edhe një përkufizim për fjalën korrupsion. Ç’është korrupsioni? Një përfitim (vjedhje) me përmasa të mëdha që kryhet nga politikanë të ekzekutivit dhe të pushtetit legjislativ, veçmas ose në bashkëpunim me njerëz të ngjeshur me pushtet juridik dhe mediatik… Këto njerëz, të gjithë së bashku, madje,  pretendojnë elitën kombëtare të sotme!