Buxheti 2018, Ekonomi: Ja si funksionon TVSH për biznesin e vogël

Ish-ministrja e Ekonomisë dhe deputetja e Partisë Socialiste Milva Ekonomi, e ftuar në programin e mëngjesit në ”Vizion Plus”, ka dhënë disa sqarime për buxhetin e vitit 2018 dhe taksat që do të aplikohen. Ekonomi ka thënë se taksa e banesës nuk është e re, por ka ndryshuar mënyrë se si ajo mblidhet.

“Taksa e banesës nuk është e re, nuk është risi. Nuk është futur taksë e re. Kjo taksë ka ekzistuar, por zënia e territorit ka një kosto dhe hapësira përqark duhet të mirëmbahet. Këto detyra kolektive duhet të bëhen me anë të një tarife. Taksa e banesës lidhet me kohën e ndërtimit dhe zonën ku banon. Të jetosh në Tiranë është më e kushtueshme se në qytetet e rretheve. Funksionon koncepti që quhet rishpërndarje, pasi taksa grumbullohet dhe shpërndahet sipas nevojave që kanë rajonet, mbi bazën e nevojave. Edhe kjo taksë do të bëhet sipas konceptit tonë për të ndihmuar shtresat në nevojë. Pra pensionistët, ata me të ardhura të ulëta apo ata që janë persona të vetëm janë të përjashtuar jo vetëm nga kjo taksë, por edhe nga të tjera”, ka sqaruar deputetja.

Gjithashtu ajo ka folur për vendosjen e TVSH-së për biznesin e vogël, duke thënë se do të vendoset për ato biznese që kalojnë xhiron prej 2 milionë lekë në vit.

“TVSH për bizneset e vogla vihet pasi ato dëmtojnë bizneset e rregullta. Shumë biznese të vogla nuk pranojnë të marrin fatura nga biznesi i madh pasi i rritet pragu i xhiros. Tashmë kemi vendosur që bizneset me mbi 2 milionë lekë xhiro në vit të futen në skemën e TVSH-së, por deklarimet e tyre do të bëhen një herë në tre muaj për të ulur barrën administrative”, ka thënë Milva Ekonomi.