Blendi Fevizu: I kërkuari në Holandë nderohet nga policia në Shqipëri

Gazetari Blendi Fevziu, i ftuar në emisionin “360 gradë” të Artur Zhejit, teksa komentonte zhvillimet aktuale në vend pas skandalit Tahiri dhe deklaratave të ambasadorit Lu, për klanet dhe familjet kriminale që kontrollojnë Shqipërinë, ka zbuluar një bisedë me një oficer të huaj që po hetonte një grup kriminal.

Sipas tij hetuesi i kishte thënë se kriminelë ka kudo, por nëse në Belgjikë dhe Holandë udhëtojnë me transport publik, këtu në Shqipëri ata kalojnë para policisë dhe nderohen.

“Para rreth dy muajsh pata një takim me një oficer, i cili kishte ardhur në Shqipëri për të hetuar një bandë shumë të rrezikshme midis Holandës, Belgjikës dhe Luksemburgut. E di çfarë tha? Personazhe të tillë të botës së krimit ka sa të duash. Atje lëvizin me transport publik dhe janë të padukshëm, ndërsa këtu shprehin arrogancë ndaj qytetarëve. E kemi të dokumentuar që ky person që ne e kërkojmë në vendin tonë, kalon në rrugë dhe makina e tij nderohet nga punonjësi i policisë. Pse nuk e di policia ku është ky banditi?”, – u shpreh Fevziu.