Librazhd/Ariu bie në grackë, gjesti human i banorëve (FOTO)

Një ari i murrmë është kapur në Librazhd, pasi ra në grackën e leqeve dhe rrjetës me tela. Banorët e fshatit nuk e vranë ariun, por njoftuan Administratën e Zonave të Mbrojtura e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes.

Për shkak të telave, ariu kishte ngecur e nuk mund të shpëtonte dot. Ndaj u njoftua agjencia e specializuar “Four Paws” e cila dha ndihmën e nevojshme. Sipas drejtorit të ADZM, Fatmir Brazhda kjo është hera e tretë që shpëtohen arinj që bien në kurthe të ngritur nga banorë apo gjuetarë.

“Është hera e tretë që shpëtohen arinj që bien në leqe dhe kurthet me tela të ngritura nga banorët apo edhe nga gjuetarët. Rasti më i fundit ishte dy net më parë kur një ari i murrmë ngeci në telat e një parcele me misër. Sapo morëm njoftimin shkuam në vendngjarje dhe njoftuam “Four Paws”. Me anë të anestezisë u arrit që të afohemi tek ariu, të këpusim telat, ta mjekojmë dhe ta lëmë atë të lirë”, tha Brazhda.