Ish-ministri i PD rrëfen anën e panjohur: Pse Azemi s’kërkoi kurrë post

Nga Besnik Mustafaj

Nuk kam njohur njeri me instinkt politik aq të mprehtë, sa Azem Hajdari. Kam patur rastin këto kohë  të shoh një përmbledhje të fjalimeve të tij në Parlament, shumica e të cilave, me sa mbaj mend mirë, ishin të improvizuara aty për aty. Sot ato janë një pasqyrë, që tregon kapërcimin fenomenal që arriti të bëjë në jetën e tij ky burrë i ri brenda një kohe shumë të shkurtër.

Sepse në rastin e tij nuk mund të flitet për evolucion. Është mirëfilli një kapërcim fenomenal. Dhe nuk e kam fjalën për kapërcimin historik që bëri Shqipëria në sajë të protestave të studentëve të udhëhequr prej tij. Historia politike e botës moderne, veçanërisht ajo e Europës, njeh plot shembuj revolucionesh, kur personalitete të spikatura për guximin e tyre kanë arritur të udhëheqin popullin e zemëruar drejt përmbushjes së kauzës, përmbysja e rendit të vjetër.

Por roli i tyre ka mbetur me aq. Me të filluar puna për vendosjen e rendit të ri, vetë zhvillimet i kanë nxjerrë këta protagonistë nga rrjedha si të papërshtatshëm për misionin e ri. Ata kanë mbetur heronj, sigurisht, por pa vazhdimësi personale pse nuk kanë patur brenda vetes pikërisht atë cilësi, që Azem Hajdari e kishte shpesh edhe me tepri: instinktin politik për të ndërtuar. Shumë veta u zunë në befasi qysh ditën e parë të pjesëmarrjes sonë në punimet e Parlamentit të sapozgjedhur e që në fakt, kalendarikisht ishte seanca e dytë, më 17 prill 1991, kur Azem Hajdari u përfshi me një seriozitet prej ligjvënësi të regjur në diskutimet për rregulloren e Kuvendit, si dhe për formulën e betimit të deputetit.

Ndërkohë që asnjëri prej nesh nuk kishte lexuar në jetën e vet tekste të tilla. E kam fjalën për ne, deputetët demokratë. Aq më pak kishte ndonjë ftillim paraprak në këtë fushë Azemi. Por pikërisht ai, i pari kërkon që formula e betimit të deputetit, në parim, të përshkohej nga fryma e Kartës së Helsinkit, që do të thotë se deputetin shqiptar, ai e shihte tashmë si mbrojtës të vijës së parë të lirive dhe të drejtave universale të njeriut. Azem Hajdari hyn deri edhe në hollësirat e tekstit të paraqitur për shqyrtim, kur kërkon që “liritë e shtetasve” të ndryshohet me “liritë e individit”.

Dhe argumenton se “po të themi liritë e shtetasve, nuk marrim në mbrojtje si Kuvend liritë e të tjerëve, që nuk kanë nënshtetësinë shqiptare”. Më 17 prill 1991 do të zgjidhej edhe kryetari i këtij Parlamenti. Azem Hajdari ishte ende student. Partia e Punës, e dalë në shumicë në ato zgjedhje, solli kandidaturën e Kastriot Islamit, i cili vinte nga funksioni i ministrit të Arsimit. Azem Hajdari e kundërshton prerazi atë kandidaturë. “Arsyeja kryesore, – thotë ai, pa lënë shpresë për kompromis, – është mbyllja e shkollës. Jemi studentë, luftuam për liri, na hodhën në rrugë”.

Azemi e ka fjalën për mbylljen e Universitetit të Tiranës pas grevës së urisë të studentëve, që çoi në rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej” dhe heqjen e emrit të diktatorit nga balli i Universitetit. Në po atë seancë, ai mban edhe një fjalim sa të zjarrtë, aq edhe logjik e të strukturuar, në mbështetje të propozimit për ngritjen e një komisioni të posaçëm për hetimin e ngjarjeve tragjike të 2 prillit (1991) në Shkodër. Ai vetë ishte tashmë deputet i Shkodrës. Është një fjalim i çuditshëm, po të kemi parasysh kontekstin kur mbahet.

Azemi e shtron aty fillimisht çështjen në rrafshin konkret për zbardhjen e të vërtetës së masakrës së kryer nga Policia e Shtetit ende në duart e Partisë së Punës dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve, përfshirë edhe përgjegjësit politikë në Tiranë. Pastaj zhvillon në mënyrë krejt koherente konceptin për bashkëjetesën paqësore në pluralizëm si kusht jetik për demokracinë. Në fund e detyron Parlamentin të mbajë një minutë heshtje për të vrarët, duke i dekretuar kështu ata de facto dhe kundër dëshirës së shumicës, si martirë të demokracisë.

Azemi nuk kishte asgjë të shkruar paraprakisht. Por, në sajë të instinktit të vet politik, ai e dinte se i takonte t’i thoshte këto gjëra, duke vendosur kështu qysh ditën e parë të jetës së vet si parlamentar dhe standardet e veta si përfaqësues i rinisë, posaçërisht asaj studentore dhe të Shkodrës, që e kishte zgjedhur deputet në atë legjislaturë. Azemi i ditës së parë të Parlamentit e në vazhdim, Azemi politikan, përbën një nga ato surprizat fatlume të historisë, që sjell ndonjë herë më të rrallë fati në jetën e kombeve, kur këto kombe janë në çaste kthesash të mëdha.

Deri pak muaj më parë, pra, deri në vjeshtë 1990, përveç vullnetit të hekurt për të ecur përpara në jetën e vet individuale dhe familjare, ai nuk kishte dhënë ndonjë shenjë tjetër të veçantë se ushqente ëndrra për ngjitje të ndritshme në sytë e kombit, si ajo që e priste. Ndoshta, pse edhe ëndrra të tilla ishin krejtësisht të pamundura në rrethanat e tij jetësore. I lindur dhe i rritur në një qytet fare periferik si Bajram Curri, në një familje me një mijë e një halle të përditshme ekzistenciale, i detyruar të fillonte punë edhe vetë ende fëmijë, i martuar po ashtu njomëzak e i bërë baba njëzet vjeç, ai kishte ardhur në universitet pasi kishte kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, duke lënë në shtëpi gruan me djalin që sa kishte filluar të ecte dhe vajzën bebe.

Shkëputja nga familja për të jetuar me privacione të tjera në një dhomë me shumë shtretër në konviktet e Qytetit Studenti dhe nënshtrimi ndaj një disipline krejt të panjohur për të, siç është disiplina e studimeve, kishte qenë doemos një zgjedhje e vështirë, që kishte kërkuar një vullnet të hekurt, një besim të madh në vete e një guxim njerëzor po ashtu të madh, që Azemi i kishte në karakter.

Më 8 dhe 9 dhjetor (1990) e në ditët që pasuan, duke luajtur rolin që luajti për ta shpërthyer pakënaqësinë nën zë të studentëve në revoltë të shprehur në rrugë me thirrjet “Liri-Demokraci” apo “Edhe ne si gjithë Europa”, besimin në vete Azemi do ta shndërronte në besim të dhjetëra mijë të tjerëve, mandej të qindra mijërave, në krye të të cilëve do të vihej për t’u ndeshur dhëmb për dhëmb me një regjim thellësisht represiv e mizor dhe për të triumfuar si mishërues i një kauze të madhe, ashtu siç do ta shndërronte mrekullisht guximin e vet njerëzor në guxim politik për t’i çelur vendit një herë e përgjithmonë horizontin e lirisë dhe të demokracisë.

Të gjithë ata që e kanë njohur Azemin qysh në fëmijëri, një nga të cilët jam edhe unë, do të thoshin se kapërcime të tilla të vrullshme e madje jashtëzakonisht të rrezikshme, ishin gjithsesi brenda temperamentit të tij vullkanik. Ai do ta ruante natyrshëm këtë temperament deri në fundin e parakohshëm të jetës. Por, me të veshur kostumin e deputetit, ai do të shfaqte disa cilësi të tjera të larta, që rrallëkush i kishte pritur prej tij. Të paktën jo aq shpejt.

Temperamenti i tij vullkanik do të lëmohej me një shpejtësi të magjishme dhe aq sa duhej për t’u mbrujtur në një pasion të fortë e frymëzues. Fjalimet e tij në Parlament dëshmojnë pasionin që ushqente ai për debatin, por duke ruajtur pothuaj gjithmonë masën për të mos e poshtëruar kundërshtarin, cilësi kjo që e kanë vetëm njerëzit që nuk urrejnë, gjë që u mungon zakonisht atyre që kanë udhëhequr revolucione të mëdha. Besimin e fortë në vete Azemi do ta kishte deri në mbrëmjen tragjike të 12 shtatorit 1998.

Ama, ky besim në vete nuk e pengonte, siç pohohet qartë në fjalimet tij parlamentare, që t’i jepte pa asnjë kompleks të drejtë kundërshtarit që sillte argumente më të qëndrueshme se argumentet e atij vetë. Sepse Azem Hajdari, ndryshe nga udhëheqësit e revolucioneve, besimin në vete nuk e ngatërronte me vetëkënaqësinë. Dhe interesin e vendit, ai e kishte dukshëm dhe pa modesti të shtirur, përmbi egon e tij. E marr me mend sa e vështirë ka qenë për një burrë si ai mbajtja nën kontroll e egos. Fakt është se ai nuk mori kurrë ndonjë post qeveritar, nuk kërkoi kurrë të përqendronte në duart e veta pushtet ekzekutiv, megjithëse i ka takuar.

Azem Hajdarit i mjaftonte pushteti i jashtëzakonshëm moral që kishte. Dhe ai e përdorte me një mjeshtëri gjenuine tribunën e Parlamentit për ta ushqyer në mënyrë të pandërprerë këtë autoritet moral. Kjo sjellje ndaj pushtetit në të gjallë përbën një themel të sigurt për lavdinë e tij si hero tani post mortum. Fjalimet e Azem Hajdarit në Kuvendin e Republikës sonë përbëjnë në vetvete një histori besnike të sfidave, me të cilat është përballur Shqipëria në periudhën 1991-1998. Sepse deputeti Azem Hajdari ka qenë pjesë- marrës i vijës së parë në përballimin e këtyre sfidave.

Ai nuk i shmanget asnjë problematike dhe përpiqet ta thotë fjalën e vet, pavarësisht kë prek. Azemi nuk ia lejonte vetes të kafshonte gjuhën apo dhe qoftë ta sheqeroste sadopak fjalën për oportunizëm. Këto fjalime janë në vetvete dokumente me vlerë të veçantë për historinë politike të tranzicionit shqiptar. Në raport me të vërtetën, ai kishte një parimësi shpesh shumë të rrezikshme, që e çoi disa herë edhe para plumbave, madje edhe brenda në Parlament, dhe në fund i mori jetën po me breshëri plumbash. Azem Hajdari nuk ishte trim i marrë.

Ai e njihte shumë mirë rrezikun. Por nuk bënte dot ndryshe. Ai nuk do ta humbte kurrë guximin për t’u përplasur për të vërtetën me vrullin e një udhëheqësi revolucioni edhe pse revolucioni, mirë a keq, ishte përmbyllur si proces. Sfidat me të cilat është përballur Shqipëria në vitet 1991-1998, janë mirëfilli ato të ndërtimit nga hiçi të shtetit demokratik. Duheshin themeluar me ligj liritë politike dhe ekonomike të shqiptarëve, duhej themeluar politika e jashtme e hapjes dhe bashkëpunimit të vendit me botën, për ta zëvendësuar izolimin stalinist me integrimin euroatlantik, duhej projektuar dhe zbatuar sistemi i sigurisë kombëtare në rrethanat e reja gjeo-politike, duhej gjendur mënyra e veprimit për ta bërë të sinqertë dhe efikase mbështetjen ndaj çështjes së Kosovës.

Njëkohësisht, duhej ngritur rrjeti i institucioneve të përshtatshme kombëtare për përmbushjen e këtyre objektivave startegjike. Kjo problematikë kaq komplekse dhe e panjohur e nxirrte doemos Parlamentin në qendër të rëndësisë së zhvillimeve për të hartuar ligjet e shëndosha dhe për të shoqëruar dhe kontrolluar jetën institucionale në lindje dhe konsolidim.

E pra, nuk duhet harruar se deputetët e atij brezi e kishin dyfish të vështirë kryerjen e këtij misioni për shkak se nuk kishin asnjë përvojë në politikën e madhe, nuk vinin as me ndonjë kulturë politike të rrënjosur nëpër shkolla të mira apo udhëtime të gjata njohëse në botën demokratike. Në këtë kuptim, ne ishim të gjithë autodidaktë, por autodidaktë të apasionuar. Azem Hajdari ishte mishërimi më i përparuar i kësaj specieje politike të papërsëritshme.

Ai jo vetëm merr pjesë dinamike në debatet për çështjet e sjella në Parlament nga qeveria apo institucionet e tjera shtetërore. Me iniciativën e vet, ai ka sjellë në vëmendjen e Parlamentit shumë e shumë çështje të tjera, që kërkonin vlerësim nga të zgjedhurit e popullit, sipas tij, e që ai i konstatonte drejtpërdrejt në realitet. Ai është i tëri sy, veshë dhe shpirt për pulsin e Shqipërisë. Çështjet “jashtë rendit të ditës” përbëjnë një kontribut më vete në veprën e Azem Hajdarit si deputet.

Një i ri i sotëm, i lindur në vitin kur Azemi u zgjodh deputet dhe i shkolluar mirë, me të drejtë do të pyeste se nga i buronin Azem Hajdarit kompetencat për të thënë fjalën e tij në aq shumë fusha, shpesh pa lidhje gnoseologjike njëra me tjetrën.

Një pyetjeje të tillë unë do t’i përgjigjesha se ai kishte një kureshtje të pashtershme, nuk kishte turp nga padija e vet dhe bënte menjëherë të gjitha përpjekjet për ta mbushur zbrazëtinë, përkulej me modestinë më të madhe para atyre që dinin më shumë se ai dhe dëgjonte shumë, shumë, shumë dhe me një përqendrim dhe mirënjohje prej nxënësi. Kjo ishte edukata e tij njerëzore. Aftësinë për të përvetësuar shpejt dhe drejt atë që lexonte apo ato që dëgjonte, ai e kishte të lindur.