Deputetja e LSI: Qeveria nuk e do mësuesin e ndershëm por pazaret e drogës

Duke marrë shkas nga video-skandali në Gramsh, aty ku për një vend pune zyra arsimore emëronte përkundrejt pagesës, deputetja e LSI-së Kejdi Mehmetaj, shkruan se qeveria nuk do mësues të ndershëm. Në një postim në facebook, deputetja e LSI-së shkruan se çdo ditë jemi dëshmitarë të zellit që qeveria ka për të zhbërë edhe atë pak që ka mbetur cilësore në shkollat e Shqipërisë. Më tej me ironi, Mehmetaj shton se kryeministri dhe qeveria nuk kanë kohë të merret me arsimin, pasi janë të zënë me pazaret e drogës dhe shpërblimet ndaj oligarkëve.

Statusi i plotë

Qeveria nuk e do mësuesin e ndershëm, sepse adhuron padijen e një populli që mund ta nënshtrojë. Kjo është e vërteta lakuriqe e gjendjes së sistemit arsimor në Shqipëri. Drejtorë ZASH që marrin para për të punësuar mësues. Shkolla të shkatërruara. Kryetarë bashkish e partish që bëjnë emërime në arsim. Kjo nuk është vetëm një ngjarje e izoluar në Gramsh. Çdo ditë takojmë mësues të ndershëm të larguar nga puna pse nuk i japin rryshfetin eprorëve. Çdo ditë takojmë prindër të tmerruar nga shkollat, mësuesit e librat e fëmijëve të tyre. Çdo ditë jemi dëshmitarë të zellit që qeveria ka për të zhbërë edhe atë pak që ka mbetur cilësore në shkollat e Shqipërisë.

Sot arsimi është në ditën më të keqe:

• Rreth 15.000 fëmijë të moshës shkollore janë jashtë saj;
• Rreth 64.000 të rritur janë analfabetë;
• Fëmijët romë kanë mbetur më pas në arritjet shkollore;
• Gjysma e shkollave nuk kanë mjedise bazë të përshtatshme;
• Një në çdo katër mësues nuk është i kualifikuar;
• Rezultatet e PISA për fëmijët në arsimin e mesëm janë ndër më të ulëtit në vendet e OECD-së;

Por kryeministri dhe qeveria nuk kanë kohë të merret me arsimin, koha e tyre është shumë e zënë me pazaret e drogës dhe shpërblimet ndaj oligarkëve.